bronks-familja-rudaj-burekGazeta “The Fordham Ram” ka bërë një përshkrim të bandave kriminale që udhëheqin qytetin e Bronksit, prejardhjen e tyre dhe lidhjet e tyre mes vete.

Me gjithë numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë në këtë qytet, botën e krimit e udhëheqin familjet kriminale italiane, të cilat, sipas autorit të shkrimit që do ta lexoni më poshtë, Michael Dobuski, kanë formuar organizatën “Pesë Familjet”, transmeton Koha.net.

Por, këtij bashkimi të familjeve italo-amerikane, së fundmi i është bashkuar edhe një familje shqiptare, e quajtur “Organizata Rudaj”, e cila në rrugë njihet si “Korporata”.

Më poshtë mund të gjeni shkrimin e plotë të The Fordham Ram” të përkthyer nga Koha.net:

Të qenit vrasës me pagesë për një bandë nuk është siç ka qenë dikur.

Dënimi i Bajram Lajqit më 2004, pjesëtar i njohur i bandës shqiptare, riktheu botën e krimit të organizuar në New York në ballë të ndërgjegjes popullore. Lajqi u dënua me 6 vjet burgim në një burg federal nën akuzën e trafikimit të drogës dhe përdorimit të armës së zjarrit në lidhje me një incident të ndodhur në “Tosca Cafe” më 2011 në Tremont Ave. Lajqi, me ndihmën e një partneri, thuhet të ketë qëlluar dhe lënduar me armë zjarri një trafikant rival të narkotikëve, i cili deshi të ikte nga restoranti pasi Lajqi e goditi atë në fytyrë dhe i shpoi gomat e veturës së tij.

Më 1931, grupi “Pesë Familjet” e tmerrshme të krimit të organizuar të New Yorkut u themelua në rrugët 187th dhe Washington Ave. në Bronks. Takimi kishte pasur qëllimin që t’i adresohet vakuumit të pushtetit që kishte mbetur nga vrasja e para pak kohe e “Bosit të të gjithë Bosëve”, Salvatore Maranzano, pas Luftës brutale Castellammarese më 1929, transmeton Koha.net. Atje, pesë familjet e mëdha banditeske italo-amerikane themeluan “Komisionin”. Në themel, “Komisioni” ndante qytetin dhe lagjet përreth në territore të kontrolluara nga familjet e krimit Lucchese, Genovese, Gambino, Bonnano dhe Colombo, familje të cilat operojnë përbrenda Bronksit në kapacitet të njëjtë.

Ky hap kishte për qëllim të frenonte dhunën në mes të bandave ndërsa në të njëjtën kohë lejonte funksionimin e tyre. Për pjesën më të madhe, kjo strategji ishte e suksesshme. “Pesë Familjet” ende operojnë, siç është dëshmuar nga gjykimi që ende po vazhdon në Manhattan i 73-vjeçarit Nicholas Santoraan, një bos në plakje i familjes Bonanno.

Rishtazi, një familje e gjashtë e pakapshme i është bashkuar skenës së krimit të organizuar të Bronksit. Organizata Rudaj, apo “Korporata” siç njihet në rrugë, është një familje banditeske shqiptare që daton nga mesin i viteve të ’80-ta.

Në vitet e ’80-ta, një grup pjesëtarësh të bandave sulmuan një bandë rivale në panairin e Westchester County. Deri në fund të dekadës dhe në vitet e ’90-ta, Organizata Rudaj ka qenë e ndërlidhur me nivele jashtëzakonisht të larta të dhunës në lidhje me përfshirjen e tyre në tregtinë me drogë dhe me armë zjarri. Për shembull, policia raporton se ata kanë qenë të përfshirë në një rrugë qorre me familjen Gambino në një pompë benzine në New Jersey. Ata kanë paguar rregullisht policë të NYPD-së, kanë kontrolluar klube striptizi, kanë poseduar raketahedhës dhe raportohet se kanë angazhuar vrasës për ish-kryebashkiakun e qytetit të New Yorkut, Rudolph Giuliani. Sot ata madje përmenden edhe në video-lojën “Grand Theft Auto”, transmeton Koha.net.

Shefi i menduar i Organizatës Rudaj, Plaurent “Lenti” Dervishaj, jo vetëm se është në listën e personave më të kërkuar në New York City, por është edhe i arratisuri më i kërkuar në vendlindjen e tij, Shqipëri. Qeveria e Shqipërisë nga shumë konsiderohet si e korruptuar thellë pjesërisht për shkak të rolit të saj në tregtinë me heroinë. Shqipëria është një prej lokacioneve kryesore në mes të Afganistanit, prej nga vjen edhe pjesa më e madhe e produktit, dhe Evropës Qendrore, një prej tregjeve më të mëdha të drogës në botë.

Paqëndrueshmëria politike në Shqipëri është një prej arsyeve që popullata shqiptaro-amerikane në New York po rritet më shumë se çdo kund në SHBA. Shqiptarët fillimisht nisën të vinin në Bronks në vitet e ’60-ta dhe ’70-ta, duke plotësuar hapësirat e lëna nga familjet e zhdukura hebreje dhe italiane. Në veçanti, ata u vendosën përreth Pelham Parkway, Morris Park dhe Belmont. Madje Lydig Avenue në Morris Park tani quhet edhe si “Shqipëria e Vogël”. Ata kanë bërë emër si vetë-startues ambiciozë.

Përmes pronësisë së tyre në biznese të ndryshme, ata i ofrojnë banorëve të Bronksit një shije të vendlindjes së tyre. Restoranti “Tony and Tina’s”, në këndin e 187th dhe Arthur Ave., është shembull adekuat i pronësisë së biznesit shqiptar. Dyqani shet produkte autentike të kuzhinës shqiptare, si byrek dhe suxhuk, dhe për pronar ka familjen e njëjtë që drejton edhe “Simon’s Deli”, “Michelangelo’s”, “Howl at the Moon” dhe “Blue Goose”.

Megjithatë, fluksi i vazhdueshëm i shqiptarëve në Bronks, në njëfarë mënyre, ka çuar në forcimin e ekonomisë lokale. Por mungesa e banimit të përballueshëm në qytetin e vogël ka rritur tensionet në mes të shqiptarëve nga të dy anët e ligjit.

Organizata Rudaj është thënë të jetë shpërbërë më 2004 pas një operacioni të fortë policor që përfundoi me mbi 20 të arrestuar. Por incidentet e fundit, siç është zënka në “Tosca Cafe”,ka bërë që shumë të mendojnë se banda shqiptare është ende e gjallë dhe e fortë. /Koha Net/

By admini