Duhet të jetë nja tetë vjeç. Pa pasaportë, letërnjoftim a çfarëdo dokumenti tjetër me fotografi. Identiteti i tij është vetë jeta që bën. Kufijtë s’kanë kuptim. Jo se është qëndrim politik.
Thjeshtë humbasin me lëvizjen e tij të vazhdueshme dhe fatin e paracaktuar se atdheu është ai ku gjen një grimë lumturie. Është sinonim e asaj se thyerja e kufijve ka të bëjë më shumë me akt mendor se sa fizik. Se jeta është lojë hesapi. Për të, ajo është muzikë. Një këngë, që asnjëherë s’e çon deri në fund. Një refren ose më saktë një varg në formë pyetjeje.
”A e din sa shumë të dua?”, është ajo dhe u drejtohet të gjithë atyre që parakalojnë në Sheshin e këtij vendi për të cilin ai është e vetmja dëshmi se për një vit ka përparuar diçka. Dhe ka një arsye për këtë.
* * *
Mëngjesi i parë i vitit 2015. Aso që edhe për ata të cilët janë krejt pak të prekur nga bestynia – e përkundrazi për inatë i bijnë trup edhe kur shtatë herë maca e zezë ua prenë rrugën – e marrin si shenjë ogurzeze. Ftohtë, po se po. Sheshi është gati i shkretë. Nata më e gjatë e ndërrimit të moteve, siç i thonë shpesh pa ndonjë shpjegim, gjithherë e ka agun më të vonshëm. Larg bestytnive, për ata që pa ndonjë arsye kanë një lloj frike fëmijërore nga ato që u kanë thënë gjyshet, i bie që njashtu siç bën ditën e parë të vitit, njashtu të shkon deri në fund. S’e sheh lindjen e diellit.
Por dita e parë s’kishte asnjë rreze. Një lloj smogu që përzihej me tym fishekjarresh të ndezura më bollëk një natë më parë nga ata që urojnë ”për një vit ndryshe” e s’bëjnë gjë për të. Si një test për sa e sa ”fishekzjarrë” që do të ndizeshin aty e diku tjetër.
Në Shesh jane tre veta: njëri që s’e ka festuar sepse ka kohë që s’gjen arsye për të shënuar diçka të re, e për tjetrin ende është terri i Vitit të Ri dhe ende s’ka gdhirë nga festa. Dy lëvizin.
I treti është Xhon Darabuka. E vetmja shenjë e Sheshit se në këtë vend ka pëparuar a ndryshuar diçka për 365 ditë, pos motit e stinëve. Në një Shesh ku përnjëherësh takohesh me imazhin e një pacifisti në politikë, humanisteje në veprim, heroi a martiri me xhinse e kallash. Dhe me një tjetër hero mbi kalë e më shpatë drejt tokës, që atyre të cilët e shohin prej lartë, nga zyret, u jep zemër t’i presin punët me sëpatë. Prej aty ku bëhen tok ata që për tri ditë u vonuan ta shpallnin pavarësinë e vendit. Sikur të shpallej me 14 shkurt, në Ditën e të Dashuruarve, mbase ndonjëri do të binte në dashuri me atë që quhet shtet, që e kanë shndërruar në femër të përdalë për të cilën presin në rend.
Xhon Darabuka i ulur këmbëkryq midis Sheshit i jep zor të mbajë një ritëm në instumentin e punuar prej bakri, i cukatur në dy a tre vende, i grithur gjithandej. Ose i janë mërdhirë duart, ose i është ngrirë ritmi në shpirt. Takati kurrkah. Ritëm jo se jo. Dita e parë e tij në Shesh s’ka ku shkon më keq. Thonë se muzika është me të lindur veç duhet të shpupurishet. Dhe Xhon Darabuka ia ka dalë ta zgjojë muzikën në të me vargun që e përsërit pa ia nda: “A e din sa shumë të dua?”
* * *
Mëngjesi i qershorit 2015. Pak ka rëndësi nëse në Shesh ka më shumë shëtitorë. Behari i zgjon njerëzit por vetëm fizikisht. Asgjë për të qenë s’ka ndryshuar.
Pos Xhon Darabukës. E kap më lehtë ritmin, bën nja dy – tre kapërcime dhe sërish bie në binarë. Ka të atillë që i hedhin ndonjë metelik sa për të thënë. Më shumë për t’u krekosur kur me fodullëk e nxjerrin monedhën nga xhepi. Xhon Darabuka nuk përkulet para atyre që i dhurojnë. As nuk e ndërron ritmin. Disi është shpërfillës dhe ruan krenarinë në fytyrë edhe nëse s’ka arsye për këtë. Ka krijuar një lloj pavarësie dhe bën muzikë pavarësisht se sa para ka. Sikur të ishte projekt i Ministrisë, para së cilës shpesh zë vend, kaherë do ta flakte atë që i fle në shpirt. Branda saj ka mjaft defaxhinj që paguhen edhe pa bërë muzikë. Aso që idetë e Mario Vargas Llosas në “Shënime për vdekjen e kulturës: Ese mbi spektaklin dhe shoqërinë”, ende ta pazbërthyera mirë, i kanë marrë kallëp. Se kultura ka vdekur dhe s’ka kush e ngjallë.
Xhoni është dëshmitar i të gjitha ngjarjeve që ndodhin në Shesh. Ashtu si edhe i ndërrimit të motit.
* * *
Sërish ftohtë. Fund dhjetori. Prap në Shesh dhe prap ka pak rëndësi nëse ai është plot me njerëz që festojnë. Xhon Darabuka s’duket nga njërëzit që e kanë rrethuar derisa ai, herë e shpejton ritmin herë e ngadalëson ritmin, i bie më fort e herë më lehtë. Por sërish punë ritmi mbetet.
-“Hajt bjeri ma fort”, i thotë një burrë jo fort i gjatë i veshur katran zi, një zgjidhje për ta fshehur mbipeshën.
-“Bjeri, bjeri se po du me të incizu!”, i kërkon derisa ia gjuan para këmbëve 50 centë me të cilat kujton se ia ka blerë dinjitetin.
Xhon Darabuka u përgjigjet urdhërave derisa e degjon tingëllimën e monedhës që i bie afër por s’e ndal ritmin për ta marrë.
– “Qysh e ki emrin?”, e pyet.
– “Xhon”, ia kthen Xhon Darabuka. “Si John Lennoni. E kam mik”, i përgjigjet si për ta vënë në lojë edhe pse vetë fytyra e tij lë fort të kuptohet që se s’e ka idenë për ikonën e shekullit XX.
Ai mund ta ketë mik në një kuptim. Ka 365 ditë lume që në mëngjes e në mbrëmje, pyet ”a e din sa fort të dua” dhe ”s’gjen përgjigje” . ”Miku” i tij, këtu e 45 vjet më parë me ”Imagine” u bënte thirrje njërëzve të kësaj bote të imagjonojë një botë ndryshe. Kërkesës së tij kush s’iu përgjigj kush, Kërkonte të imagjonohej “sikur të mos ketë parajsë” e “as ferr poshtë nesh” por “vetem qiell mbi ne”. Dhe kjo, është “e thjeshtë ta provosh”. Pastaj “imagjino gjithë njerëzit të jetonin për të sotmen”. Ose “imagjino të mos ketë shtete…asgjë për të cilën të vrasësh a të vdesësh…as fe gjithashtu”. “Imagjino krejt njerëzimin të jetonte në paqe”, këndonte Lennoni tek i kthehej atij që ia kërkonte këtë e që mund ta merrte për ëndrrimtar. “Por nuk jam i vetmi. Shpresoj një ditë do t’na bashkohesh dhe bota do të jetë si një”, i përgjigjej vetë.
John Lennoni kishte një shpjegim të bukur për ëndrrat. “Ajo të cilën e ëndërron i vetëm, është veç një ëndërr”, thoshte Lennon. “Atë që e ëndërroni bashkë është realitet”. Edhe 35 vjet pas vdekjes së tij, bota, njërëzit e kësaj bote, vazhdojnë ta zhgënjejnë.
Në realitet Xhon Darabuka s’është sinonim i ndryshimit. Sepse ndryshimi i vërtetë bëhet në Shesh. E një djalosh që i bie darabukës, tetëvjeçar, aq sa Kosova do të festojë më 2016, nuk mjafton për ta bërë ndryshimin. Që ai të ndodhë, imagjinojeni botën sikur ajo e John Lennonit! Së paku një botë e tillë le të jetë dëshira që mund të mendohet në natën e Vitit të Ri.
/Koha.net/