Shkruan: Gj. Gjonaj.
Mbrëmë në Tiranë filloi edicioni i gjashtëmbëdhjetë i Festivalit më të madh të muzikës moderne shqiptare “ Kënga magjike 2014” Në natën e parë gjysmëfinale u prezentuan emra të njohur të muzikës shqipe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Ndërkaq, sonte në natën e dytë gjysmëfinale të këtij spektakli , në këtë skenë do të ngjitet për herë të parë këngëtari i ri, i talentuar nga Ulqini Alldin Zhygjeli. Ai me zërin e tij të veçantë dhe premtues me grupin muzikor “ Burn” nga Tirana do të performojë këngën “ Kohën do ta ktheja pas”, kompozim i anëtarëve të grupit. Dalja për herë të parë e Zhygjelit në këtë skenë magjike do të jetë një përjetim emocional tepër i veçantë dhe mbresëlënës për këtë këngëtar simpatik, i cili i ka fansat e vet jo vetëm në Ulqin, por edhe në qytete tjera në hapësirën mbarëshqiptare.
Alldin Zhygjeli ka studiuar tetë vjet për kitarë dhe është rritur me dashurinë për muzikën në një familje me traditë muzikore. Studion arkitekturën në kryeqytetin e Shqipërisë.
Festivali “ Kënga magjike 2014” do të mbyll siparin e tij nesër mbrëma, kur edhe do të mbahet nata finale.