Janë shumicë dhe në trojet e tyre, por trajtohen si pakicë. Shqiptarët në Mal të Zi, Maqedoni dhe Serbi nuk gëzojnë as të drejtat e pakicave që me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut iu takojnë.
Këto tri shtete nuk po e zbatojnë legjislacionin për dygjuhësinë, por përkundrazi, me strategji asimiluese, kanë vënë “ligjin në korniza” që të kufizohen mundësitë e zbatimit të gjuhës shqipe nëpër institucione të nivelit lokal dhe atij qendror.
Në Mal të Zi, shtet ky që hiqet mjaft demokratik për shqiptarët nuk ka në disa vende as shkollë fillore ku mësimi mbahet në shqip. Shqipja po luftohet të asimilohet, duke u shkelur nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, Konventat Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe arsimin e pakicave.
Në Rozhajë, Plavë, Guci, Malësi e Tivar…, shqiptarët po nënshkruajnë peticionin “Stop diskriminimit, duam të arsimohemi si shqiptarë”.
Gëzim Ibroçi, organizator i nënshkrimit të këtij peticioni, thotë se shqiptarët në Mal të Zi gëzojnë pjesërisht të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare.
Në Ulqin, ai thotë se edhe pse me tekste shkollore diskriminuese për shqiptarët kanë mundësi shkollimit në gjuhën amtare në arsimin fillor dhe të mesëm.
Por, këtë të drejtë nuk e gëzojnë fëmijët shqiptarë në Tivar edhe pse janë autoktonë, duke përjashtuar këtu Krajën, ku funksionon shkolla fillore. Ibroçi thotë se tekstet shkollore aktuale janë thjesht përkthime tendencioze, ofenduese dhe diskriminuese për shqiptarët.
“Nxënësit shqiptarë mësojnë për historinë e fqinjëve sllavë, derisa për identitetin e vet kombëtar në tërë librin e historisë kanë vetëm një faqe, në vend të këngëve të tyre mësojnë këngë sllave të përkthyera”.
Në hartimin e plan-programeve dhe vlerësimin e teksteve, Ibroçi thotë se shqiptarët nuk janë pjesë e këtij procesi.
“Të tjerët vendosin çfarë nxënësit shqiptarë duhet të mësojnë. Ndërsa autorët shqiptarë nuk i takon askund përveç në librin e gjuhës dhe letërsisë shqipe”, thotë ai për “Zërin”. Përdorimi i abetares së përbashkët nuk lejohet në Mal të Zi.
“Dhe jo vetëm kjo por nxënësit shqiptarë që në klasën e parë nuk gjejnë shembujt me emrat Genc, Kreshnik apo Teuta, por Davor, Natasha e Sllagjana. Madje shqiptarët i paguajnë më shtrenjtë se tjerët këto libra ofendues”.
Në librat që shqiptarët përdorin, Ibroçi thotë se jo vetëm që ka shumë pak për identitetin, por edhe atë që u servohet në libra e kanë të shtrembëruar. “Shembull Tivari quhet sllavisht Bar…”.
Kushtetuta e Malit të Zi lejon përdorimin e gjuhës shqipe aty ku shqiptarët janë shumicë, por në praktikë Ibroçi bën të ditur se realiteti është ndryshe. Komuniteti shqiptar ka reaguar më 14 nëntor për të parën herë duke protestuar për arsimin shqip.
“Kjo protestë është organizuar nga prindërit dhe jo nga institucionet. Aktualisht po nënshkruhet peticioni me arsyet e pakënaqësive dhe kërkesat, e që do të dërgohen në adresat përkatëse në Mal të Zi, por edhe në dy shtetet shqiptare për të ngritur zërin në mbrojtje të shqiptarëve autoktonë në Mal të Zi”, thotë ai.
Dygjuhësia nuk praktikohet në dokumente dhe administratë në Serbi
Galip Beqiri, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginë të Preshevës, thotë se gjuha shqipe me ligj në Serbi është e lejuar të përdoret në atë komunë të banuar mbi 15 për qind nga shqiptarët.
Mirëpo, ai thotë se dygjuhësia edhe në komunat ku ka shumicë shqiptare nuk praktikohet në dokumente dhe administratë. “Shumica e formularëve që lëshohen nga pushteti lokal në Medvegjë, Bujanoc dhe në Preshevë janë në gjuhën serbe, edhe pse me ligj kërkohet të jenë dhe në gjuhën shqipe”.
Beqiri thotë se problemi në tekstet mësimore theksohet tek identiteti kombëtar dhe trashëgimia te lëndët, si: gjeografia, historia, edukata e artit dhe edukata muzikore, për të cilat lëndë nuk ekzistojnë në shqip librat.
Sipas tij, historia në shkollat fillore ku mësojnë shqiptarët mësohet sipas plan-programit serb, dhe askund nuk figuron ndonjë pjesë mësimore që flet për 28 Nëntorin – Pavarësinë e Shqipërisë.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, thotë se në raporte normale midis dy shteteve reciprociteti sa i përket të drejtave të njeriut nuk duhet të praktikohet.
Ai thotë se me Konventën për të Drejtat e Pakicave për përdorim të gjuhës dhe Konventës për të Drejtat e Njeriut, në shtetet ku ka shumicë shqiptare dhe nuk zbatohet dygjuhësia, duhet të zbatohet reciprociteti.
“Kosova duhet të veprojë duke përdorur reciprocitetin te serbët e Kosovës nëse edhe Serbia nuk respekton të drejtat për shkollim sikurse kanë serbët në Kosovë”. Në qoftë se as kjo formë reagimi nuk ka efekt, Shala thotë se çështja duhet të ngrihet në Gjenevë në konferencën për të drejtat, si dhe në OKB.
Serbia nuk respekton konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut
Analisti nga Presheva, Nexhmedin Saqipi, thotë se në organet shtetërore dygjuhësia nuk zbatohet fare, dukë vënë në pozita diskriminuese gjuhën shqipe.
“Serbia, shteti ku jetojnë shqiptarët, ndonëse me Kushtetutë e ka të rregulluar dygjuhësinë në ato rrethe e komuna, ku pakicat përbëjnë shumicën, ajo në praktikë nuk e mundëson një të drejtë të qytetarëve joserbë, të flasin e shkruajnë në gjuhën amtare, konform konventave ndërkombëtare”.
Ai thotë se shqiptarët e rajonit të Luginës së Preshevës janë në pozita të pabarabarta jo vetëm me serbët, por edhe me pakicat e tjera etnike, shumë më të vogla në numër.
“Gjuha shqipe lëre që është e diskriminuar, por edhe e rrezikuar të asimilohet, nëse faktori shqiptar dhe ai ndërkombëtar nuk e ngrenë zërin e alarmit për këtë dukuri shumë shqetësuese për shqiptarët autoktonë që jetojnë në Serbisë”, thotë ai.
Sipas tij, tekstet mësimore të hartuara nga Ministria e Arsimit, shkencës dhe zhvillimit teknologjik të Serbisë nuk i plotësojnë standardet për mësim të përparuar të nxënësve dhe personelit arsimor të shqiptarëve në Serbi.
“Këto tekste në të shumtën e rasteve janë të përkthyera keq, me gabime dhe të papërshtatshme për mësimin dhe edukimin e nxënësve shqiptarë në Luginë të Preshevës dhe më gjerë në Serbi”, thotë ai.
Saqipi thotë se Ministria e Arsimit në Serbi, ka reaguar ashpër kur drejtorët e shkollave shqipe tentuan ta depërtonin abetaren e përbashkët të hartuar nga Shqipëria dhe Kosova. Sipas tij, në tekstet mësimore të nxënësve me mësim në gjuhën shqipe, nuk pasqyrohet drejt identiteti kombëtar.
“Shembull Abetarja, në faqen ku është germa F, është hequr Flamuri Kombëtar dhe në vend të saj është vënë fjala Flutur, pastaj tek germa Sh, në vend të fjalës Shkodra, është vënë Nish etj.”.
Serbia edhe pse është nënshkruese e shumë konventave ndërkombëtare edhe në fushën e arsimit, Saqipi thotë se shqiptarët në Serbi, nuk e kanë të zgjidhur arsimimin e lartë dhe nuk u lejohet nostrifikimi i diplomave nga Kosova, e me shumë vështirësi nga Shqipëria e Maqedonia.
“Ky është një diskriminim klasik dhe i papranueshëm nga shqiptarët që jetojnë në këtë republikë”, thotë Saqipi.
Gjuha shqipe dhe shkrimi i saj në Maqedoni nuk trajtohet si gjuhë zyrtare
Jeton Shasivari, profesor i së drejtës kushtetuese në Fakultetin Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore UEJL në Tetovë, thotë se aktet juridike kushtetuese dhe ligjore në fuqi në Maqedoni nuk e zyrtarizojnë gjuhën shqipe dhe shkrimin e saj.
“Për më tepër e degradojnë dhe e segmentojnë atë në drejtim të margjinalizimit të saj me qëllim të zhdukjes së tipareve dhe gjurmëve dynacionale të realitetit shoqëror dhe etnik në Maqedoni, sepse gjuha shqipe dhe shkrimi i saj në Maqedoni nuk trajtohet si gjuhë zyrtare dhe si një e drejtë kolektive, por si një e drejtë individuale, si gjuhë e palës, si gjuhë e individit, si një gjuhë e qasjes, e jo si gjuhë e shtetit përkatësisht si gjuhë e organit shtetëror apo e personit zyrtar në ushtrimin e veprimeve dhe procedurave të ndryshme zyrtare dhe shtetërore”, thotë Shasivari.
Ai thotë se fatkeqësisht, tani, statusi kushtetues dhe ligjor i gjuhës shqipe në Maqedoni veçohet.
“Seancat plenare të Parlamentit nuk mund të udhëhiqen në gjuhën shqipe, ministrat shqiptarë nuk mund as ta shkruajnë e as ta flasin gjuhën shqipe në Qeveri, gjuha shqipe nuk parashihet fare në Presidencën e Maqedonisë, komandat, qoftë ushtarake, qoftë policore, nuk mund të jepen edhe në gjuhën shqipe, procedurat gjyqësore penale, civile dhe kundërvajtësve nuk mund të udhëhiqen (të realizohen) edhe në gjuhën shqipe (madje as edhe në gjykatat e themeluara në njësitë e vetadministrimit lokal ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në nivelin lokal, si: qyteti i Shkupit, Tetova, Gostivari, Dibra, Kumanova, Kërçova, Struga, etj.
Procedurat administrative nuk mund të udhëhiqen edhe në gjuhën shqipe”, thotë Shasivari për gazetën, duke theksuar se gjuha shqipe dhe shkrimi i saj në të gjitha degët e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë trajtohet si gjuhë e shtetasve të huaj, ose si gjuhë e minoriteteve.
“Vetëm sa për ilustrim, nëse në një procedurë gjyqësore në RM marrin pjesë një shtetas i Republikës së Kosovës me përkatësi kombëtare shqiptare dhe një shtetas i RM-së po ashtu me përkatësi shqiptare, ata de fakto dhe de jure, e kanë trajtimin e njëjtë, pra, mund të përdorin gjuhën shqipe përmes përkthyesit (sepse shteti i RM-së komunikon vetëm në gjuhën dhe shkrimin maqedonas), me atë dallim që shtetasi i RK-së vetë do t’i heqë shpenzimet e përkthimit, kurse shtetasit të RM-së, shpenzimet e përkthimit do t’ia heqë shteti”.
Shasivari bën të ditur se në ish-Maqedoninë komuniste, udhëheqja e procedurës gjyqësore edhe në gjuhën shqipe ka qenë e përcaktuar me ligj si një e drejtë kolektive e shqiptarëve.
“Nga ana tjetër, sot në praktikë shpesh ndodhin situata tragji-komike, sikurse në një proces gjyqësor edhe pse të gjithë pjesëmarrësit janë shqiptarë, si: gjyqtari, avokati, prokurori publik, eksperti mjeko-ligjor, i akuzuari, procesmbajtësi, dëshmitarët, etj., megjithatë të gjithë ata komunikojnë në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj?”.
Paradoksi, ai thotë se ka të bëjë me faktin se shqiptarët nominalisht nuk i gëzojnë as edhe të drejtat gjuhësore që Konventat evropiane u garantojnë minoriteteve.
“Shqiptarët në RM nuk i gëzojnë madje, edhe të drejtat në bazë të statusit të minoritetit, si për shembull, Konventa evropiane mbi gjuhët regjionale dhe minoritare e cila i obligon vendet anëtare të KE-së (ku bën pjesë edhe RM) të sigurojnë që gjykatat në procedurat penale, civile dhe administrative, me kërkesë të njërës palë, të realizojnë procedurën edhe në gjuhën regjionale ose minoritare”, thotë Shasivari. /Zëri/