Rudi Vata afron një koreano-jugor për të marrë presidencën e Vllaznisë\
Ish-futbollisti i shkodranëve dhe Kombëtares pret të zhvillojë një takim me kryebashkiaken Ademi. Bizesmeni Ji Won Choi gati të investojë te kuqeblutë.
Gaspër MARKU
Ka luajtur futboll me Vllazninë, Dinamon, Tiranën, si dhe me një sërë klubesh me zë evropiane, duke qenë mjaft i njohur. Po kaq i njohur dhe me reputacion edhe me Kombëtaren kuqezi, madje duke mbajtur për një kohë rekord shiritin e kapitenit, ndërkohë që provoi edhe përvojën e trajnerit të Superligës me Vllazninë. Shkodrani Rudi Vata, pak kohë më parë u emërua gjithashtu në cilësinë e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Skoci. Me dëshirën dhe preokupacionin për të kontribuar për qytetin e tij të lindjes, ku u lind dhe u rritë si futbollist, falë njohjes dhe bashkëpunimit me biznesmenin e fuqishëm koreano-jugor Ji Won Choi, Vata ka vendosur t’i futet një misioni tjetër, atij të presidencës së Klubit të Futbollit Vllaznia. Lajmi në fjalë bëhet i ditur për “Sport Ekspres” nga vetë Vata, i cili në prononcimin e tij shprehet entuziast për realizimin e një objektivi të tillë. Sipas tij, nga ana e tyre është gjithçka gati për t’u angazhuar në këtë ndërmarrje shumë të rëndësishme ndërsa thotë se janë në pritje të një sinjali nga ana e Bashkisë Shkodër. Madje, sipas tij, një iniciative e tillë ka ditë që është në planin e tyre të punës, por i është dashur të presin në një farë mënyre edhe procedurat e kalimit të postit të qeverisjes vendore nga mandati i ish kryetarit Lorenc Luka tek kryetarja e re, Voltana Ademi.
Deklarata – “Ne shpresojmë që deri në fund të kësaj jave do të mundësohet një takim informues me kryebashkiaken e re Voltana Ademi dhe strukturat e saj vendore në mënyrë që hapet “drita jeshile” për avancimin e procedurave”, thotë për “Sport Ekspres” Rudi Vata. Më pas ai bën të ditur se koreano jugori Ji Won Choi, është pronari më i ri i Klubit të Futbollit Otrant Olimpik i Ulqinit, ndërkohë që pas sugjerimit të bërë nga ana e tij, biznesmeni korean ka shfaqur gatishmërinë të investojë në futbollin shkodran i njohur për traditën dhe vlerat potenciale që disponon ky qytet për talentet që prodhon nga ekipet zinxhir të Akademisë Vllaznia. “Si fazë e parë takimi prezantues me kryebashkiaken e re Voltana Ademi do të na shërbejë për njohjen me nga afër të situatës aktuale në Klubin e Futbollit Vllaznia dhe për të parë se cilat janë mundësitë e arritjes së një marrëveshje dypalëshe me qëllimin për të ndërtuar një klub me baza profesionale”, pohon Vata duke shpresuar që drejtuesit e bashkisë së re nuk do të ngurojnë ta humbin këtë rast dhe këtë mundësi që i ka ardhur në dere, ku bashkëpunimi me biznesmenin potencial nga Koreja e Jugut do t’i jepte fund njëherë e mirë probleme të shumta që e kanë shoqëruar futbollin shkodran gjatë viteve të fundit, situatë që edhe këtë sezon pritet të jetë po aq problematike nëse në krye të drejtimit do të vijojë të jetë sërishmi institucioni i qeverisjes vendore./Sport Ekspres/