Deputeti i Forcës së Re Demokratike Genci Nimanbegu në mbledhjen e parlamentit të Malit të zi i është drejtuar kryeministrit Millo Gjukanoviq me pyetje rreth temës së decentralizimit të pushtetit.
Kryeministri Gjukanoviç, u përgjigj se ideja për të ndryshuar politikën fiskale, e cila do të lejojë rishpërndarjen e të ardhurave që nga natyra e tyre i takojnë buxhetit të shtetit (TVSH, tatimi në fitim, akciza) sipas Qeverisë, nuk është e pranueshme.
“Këto të hyra përdoren për të financuar funksionet publike të shtetit dhe shpërndarja e tyre sipas selive apo vendbanimit e tatimpaguesit, nuk është e zbatueshme, jo vetëm në drejtim të qëndrueshmërisë së buxhetit të shtetit, por edhe nga pikëpamja e shpërndarjes së barabartë të të ardhurave”, tha Gjukanoviq.
Siç shpjegoi ai, një shpërndarje e tillë e të ardhurave do të bënte që të favorizoheshin qeveritë lokale territorialisht më të mëdha dhe ekonomikisht më të zhvilluara, pasi sistemet e mëdha ekonomike kanë selitë e tyre në ato komuna.
Nërsa kur bëhet fjalë rreth decentralizimit të sistemit të arsimit ai përsëriti se themelues i institucioneve shkollore në Mal të Zi është qeveria.
“Decentralizimi i sistemit arsimor në Bashkimin Evropian (BE) është i bazuar në parimin e pronësisë, gjegjësisht të drejtat e themeluesit. Prandaj, në shumicën e vendeve të BE-së, institucionet parashkollore dhe ato të shkollave fillore janë të themeluara nga komunitetet lokale, të cilat edhe i financojnë, dhe autoritetet kompetente lokale i emërojnë edhe organet drejtuese të këtyre institucioneve “, tha Gjukanoviq.
Sipas Gjukanoviç, në këtë pikë në Mal të Zi themeluesi i të gjitha institucioneve publike ekzistuese është Qeveria, dhe Ministri i Arsimit, në emër të themeluesit, emëron përfaqësues të shteti në menaxhimin e institucioneve publike dhe zgjedh drejtorët. /Ulqini Online/