
Ilustrim: Shkolla e mesme në Ulqin
Drejtorët e shkollave në Mal të Zi nuk zgjidhen sipas përkatësisë kombëtare, politike apo çfarëdo përkatësie tjetër. Ata zgjidhen në bazë të dijes, kompetencave, përvojës dhe rezultateve të arritura në procedurën e parashikuar me ligj, për çka dëshmojnë më së miri edhe vetë kandidatët, është bërë e ditur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit (MPNI).
Ata reaguan lidhur me pretendimet e bëra publike për zgjedhjen e drejtoreshës së Shkollës së Mesme të Përzier Publike “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin, me të cilat, sipas Ministrisë, po tentohet që vendimi i saj të paraqitet si rezultat i ndikimeve politike, kombëtare apo të çfarëdo natyre tjetër. Këtë çështje e kishte komentuar më herët gjatë ditës zëvendëskryeministri i Qeverisë dhe kryetari i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj.
Nga MAShI, në reagimin e dërguar për RTCG, thuhet se në rastin konkret procedura e zgjedhjes së drejtoreshës së SHM “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin është zhvilluar plotësisht në përputhje me ligjin dhe rregullat në fuqi.
“Janë përmbushur të gjitha kriteret dhe parametrat e parashikuar me ligj, ndërsa procedura është zhvilluar në mënyrë transparente dhe mbi bazën e dokumentacionit dhe rezultateve të punës së komisionit të konkursit. Sipas vendimit zyrtar të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit të datës 29 korrik 2026, pas zhvillimit të konkursit dhe punës së komisionit, kandidatja Snezhana Zhivanoviq u rendit e para në listën përfundimtare. Në testin me shkrim dhe intervistën me gojë ajo fitoi gjithsej 39 nga 40 pikë të mundshme, përkatësisht 97.5 për qind. Në punimin me shkrim ajo fitoi 19.67 pikë, ose 98.35 për qind, ndërsa në intervistën me gojë 19.33 pikë, ose 96.65 për qind”, thuhet në reagim.
Komisioni, siç shtohet më tej, ka vlerësuar veçanërisht cilësinë e punimit me shkrim, objektivat strategjikë të përcaktuar qartë, kuptimin e trendeve bashkëkohore në arsim, aftësinë për planifikim strategjik, aftësitë komunikuese dhe organizative, si dhe kompetencat në fushën e drejtimit të institucioneve arsimore dhe edukative.
“Pra, është zgjedhur kandidatja që në procedurën e parashikuar ka arritur rezultatin më të mirë. Ky është kriteri i vetëm që ka rëndësi për Ministrinë. Prandaj, përpjekjet për ta paraqitur këtë zgjedhje si pasojë të përkatësisë kombëtare apo politike janë krejtësisht të pabazuara. Po aq i pasaktë është edhe pretendimi se bëhet fjalë për një person që ‘nuk e flet gjuhën shqipe’. Në dokumentacionin e konkursit, përkatësisht në biografinë e kandidates, është shënuar qartë se ajo zotëron njohuri të gjuhës shqipe në nivelin B2, në fushat e të kuptuarit, leximit, të folurit dhe shkrimit. Gjithashtu, i pasaktë është edhe pretendimi se drejtoresha është ‘sjellë nga një komunë tjetër'”, thuhet në reagim.
Sipas ministrisë, Snezhana Zhivanoviq është e punësuar që nga 1 tetori i vitit 2008 pikërisht në SHM “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin, ku prej më shumë se 17 vitesh punon si profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë malazeze, serbe, boshnjake dhe kroate, si dhe e gjuhës malazeze si gjuhë joamtare.
“Pra, bëhet fjalë për një punonjëse shumëvjeçare të arsimit dhe anëtare të kolektivit të shkollës, e jo për një person që është ‘sjellë’ nga një mjedis tjetër. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit nuk do të lejojë që procedurat ligjore dhe rezultatet profesionale të kandidatëve t’u nënshtrohen presioneve politike, kombëtare apo çfarëdo lloji tjetër. Obligimi ynë është që mes kandidatëve të zgjedhim më të mirin, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare, politike, fetare apo të çfarëdo natyre tjetër. Pikërisht kjo është thelbi i barazisë dhe i menaxhimit të përgjegjshëm të sistemit arsimor.
Kritika ndaj vendimit është legjitime. Mospajtimi politik është legjitim. Por përpjekja që një vendim profesional dhe rezultati i një procedure konkursi të paraqiten si akt i ‘poshtërimit të Ulqinit’, ‘provokim institucional’ apo ‘albanofobi’, pa mbështetje në fakte dhe dokumentacion, nuk është asgjë tjetër veçse insinuatë politike”, thuhet në reagimin e MPNI-së.
Ata shtojnë se, nëse dikush mendon se procedura është shkelur, duhet të tregojë se cili ligj është shkelur, cili kriter nuk është respektuar ose cili rezultat i procedurës së konkursit është anashkaluar.
“Sepse faktet janë të qarta: është shpallur konkursi, është zhvilluar e gjithë procedura, puna e komisionit është dokumentuar, kandidatja ka arritur rezultatin më të mirë dhe janë respektuar të gjitha kriteret ligjore. Kjo është procedura. Këto janë faktet. Gjithçka tjetër janë interpretime politike.
Multietniciteti i Ulqinit dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve të tij nuk mbrohen duke diskualifikuar paraprakisht njerëzit mbi bazën e emrit, prejardhjes apo interpretimeve politike. Ato mbrohen duke u garantuar të gjithëve të drejta të barabarta, mundësi të barabarta dhe vendime të bazuara në dije dhe rezultate.
Drejtorët e shkollave nuk janë përfaqësues të kuotave politike apo kombëtare. Ata janë drejtues të institucioneve arsimore. Prandaj nuk zgjidhen për atë se kush janë, por për atë se çfarë dinë, çfarë mund të bëjnë dhe çfarë rezultatesh arrijnë në procedura që duhet të jenë të njëjta për të gjithë.
Ministria do të vazhdojë të këmbëngulë pikërisht në këtë parim. Zgjidhet kandidati më i mirë. Gjithçka tjetër janë insinuata politike”, përfundon reagimi i MAShI-së. /RTCG/
