
Ish-punonjësi i administratës së Komunës së Ulqinit, Sabri Halili, i është drejtuar me një letër të hapur Kryetarit të Komunës së Ulqinit, Sekretariatit për Financa dhe Buxhet, Sekretariatit për Mbrojtjen e Pronës dhe Sekretariatit për Vetëqeverisjen Lokale. Në reagimin e tij, Halili shpreh pakënaqësi për mosshlyerjen e kontributeve që, sipas tij, duhej të ishin paguar pas daljes në pension, si dhe për mungesën e përgjigjeve nga institucionet komunale. Ai ngre gjithashtu shqetësimin për mosrespektimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në komunikimin me administratën lokale.
Më poshtë mund ta lexoni letren e hapur të z. Sabri Halili.
Letër e hapur drejtuar Kryetari të Komunës së Ulqinit dhe sekretariateve: Sekretariatit për Financa dhe Buxhet, Sekretariatit për Mbrojtjen e Pronës dhe Sekretariatit për Vetëqeverisjen Lokale
Ulqin, korrik 2026
Të nderuar,
Me anë të kësaj letre të hapur shpreh shqetësimin tim për moskryerjen e detyrimeve që administrata lokale ka ndaj meje si ish nëpunës i Komunës së Ulqinit, e tash pensionist (me 19 korrik 2026 janë mbushur 10 muaj), lidhur me kontributet që sipas Ligjit të punës duhen shlyer atë ditë që punëmarrësi merr Aktvendimin për dalje në pension, ose më së lagëti 30 ditë pas marrjes së Aktvendimit, gjë që punëdhënësi as pas 10 muajsh nuk e ka kryer këtë detyrim.
Lidhur me këtë, dhe jo vetëm para rreth 80 ditësh i jam drejtuar me shkrim Kryetarit të Komunës së Ulqinit dhe sekretariateve të përmendura, por përveç Sekretariatit për vetëqeverisjen lokale nuk kam marrë asnjë përgjigje tjetër. Sa i përket përgjigjeve po përmendi vetëm një shqetësim timin. Unë shkresat i kam dërguar në gjuhën shqipe, kurse Sekretariati më ka kthyer përgjigje (përgjigje i thënçin) në gjuhën serbe. Pak është të thuash se kjo është shqetësuese. Jo, është alarmante, sepse këtu kemi shkelje të Statutit të Komunës së Ulqinit dhe të Kushtetutës të Malit të Zi, që garantojnë të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
Shqetësimi që kam shprehur në shkresën e 11 majit ka të bëjë me kontributet e pashlyera, si dhe disa padrejtësi të tjera që më janë bërë gjatë punës time afro 18 vjeçare në adminitratën e Kumunës së Ulqinit. Me këtë rast nuk do t’i përmendi, por në ndonjë rast tjetër pse jo?
Moskryerja e detyrimeve, mospagesa e kontributeve dhe sjellja mospërfillëse ndaj një problemi i cili sot është preokupim i imi, e nesër edhe i juaji, është sjellje shumë e ulët dhe e papërgjegjshme.
Përjashtimi i punëtorëve të Komunës nga e drejta e zahiresë (i atyre që sipas ligjit u takon zahireja, që kanë punuar 6 muaj pa ndërprerje), nuk është aspak respektim i ligjit, por i një akti nënlogjor. Ata të fushës e dinë se akti nënligjor nuk e ka fuqinë e ligjit, kurse në rastin tim, por besoj se edhe të të pensionuarëve të tjerë, punëdhënësi ka aplikuar dispozitat e një akti nënligjor.
Unë kam qenë gjithmonë dhe jam për respektimin e ligjit. Hipotetikisht po e pranoj se punëdhënësi sa i përket zahiresë e paska zbatuar ligjin dhe shumë mirë ka bërë, nëse është ashtu. Me plotë të drejtë shtroj tash një pyetje të thjeshtë: Pse nuk e repekton ligjin sa i përket kontributeve? Për mua kjo është shkelje më e rëndë e ligjit. Me javë të tëra e kam shtyer këtë reagim timin, duke ju besuar disa zyrtarëve se kinse përllogaritja e kontributeve bëhet këtë të hënë, mart, … premte. Edhe me këtë rast ka shkelje, sepse përllogaritja e kontributeve që e kërkon Agjencia për Zgjidhjen Paqësore të Mosmarrëvshjeve të Punës ka një afat i cili duhet respektuar, e Sekretariati për Financa dhe Buxhet nuk e ka respektuar. Për të mos e zgjatur, sepse ndoshta do të më jepni mundësi që përsëri të reagoj, po e mbylli me faktet e përmendura më sipër.
Për sa më sipër, ju bëjë thirrje që përfundimisht të reflektoni dhe t’i jepni zgjidhje këtij problemi të krijuar, jo nga ish punëtorët e Komunës, tash pensionistë të përkohshëm, por nga papërgjegjshmëria e administratës lokale që e kanë detyrim të merren me këto çështje. Nëse ky problem nuk zgjidhet brenda një afati 15 ditor, atëherë jam i detyruar që zgjidhjen ta kërkoj përmes organeve kompetente të shtetit. Nuk funkcionon gjithçka dhe gjithmonë si ajo thënia “Ligji në dorën e Maliqit”. Vërtetë që ka Maliq, por duhet ditur se ka edhe ligj.
Ulqin, me 25 korrik 2026 Sabri Halili
