xheladin zeneli

(Çfarë janë këto komuna që miratojnë deklarata për mosnjohjen e Kosovës?)

Nga Xheladin Zeneli 

Miratimi i deklaratave nga kuvendet komunale të Zetës dhe Plevlës, me të cilat kërkohet shfuqizimi i vendimit të Malit të Zi për njohjen e Republikës së Kosovës, përbën një precedent të pazakontë në praktikën demokratike dhe një sinjal shqetësues për drejtimin politik të vendit.

Në çdo shtet demokratik, komunat kanë kompetenca të përcaktuara qartë: administrimin e territorit të njësisë së vetëqeverisjes lokale, zhvillimin ekonomik e social, ofrimin e shërbimeve publike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Politika e jashtme, njohja ose mosnjohja e shteteve dhe marrëdhëniet ndërkombëtare janë kompetencë ekskluzive e institucioneve qendrore të shtetit.

Prandaj lind pyetja: me çfarë legjitimiteti politik apo kushtetues dy kuvende komunale marrin përsipër të sfidojnë një vendim shtetëror të marrë pothuajse dy dekada më parë?

Mali i Zi e njohu Republikën e Kosovës në tetor të vitit 2008. Ky ishte një vendim sovran, i marrë nga institucionet shtetërore në përputhje me orientimin euroatlantik të vendit dhe me interesat e tij strategjike. Asnjë komunë nuk ka mandat kushtetues për ta rishikuar apo kontestuar atë vendim.

Megjithëse deklaratat e komunave të Zetës dhe Plevlës nuk prodhojnë pasoja juridike, ato kanë peshë politike. Ato synojnë të krijojnë presion mbi institucionet qendrore dhe të normalizojnë një narrativë që bie ndesh me politikën zyrtare të Malit të Zi. Kjo është arsyeja pse ato nuk duhen parë vetëm si akte simbolike, por si pjesë e një strategjie më të gjerë politike.

Është e vështirë të mos shihet ndikimi i politikës zyrtare të Beogradit në këtë proces. Prej vitesh, Serbia përpiqet ta mbajë të hapur çështjen e Kosovës në rajon, duke përdorur edhe instrumente politike jashtë kufijve të saj. Në Mal të Zi kjo qasje gjen përkrahje tek një pjesë e forcave politike që vazhdojnë ta shohin politikën shtetërore përmes prizmit të interesave të Beogradit.

Në këtë kontekst, nuk mund të anashkalohet roli i kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq. Në deklaratat e tij publike ai i referohet vazhdimisht Kosovës si “Prishtina”, duke shmangur emërtimin zyrtar “Republika e Kosovës”. Kjo nuk është thjesht çështje terminologjie, por një mesazh politik që përputhet me retorikën zyrtare të Beogradit dhe që bie në kundërshtim me politikën zyrtare të shtetit që ai përfaqëson.

Që nga viti 2023, Mali i Zi qeveriset nga Lëvizja “Evropa Tani”, në koalicion edhe disa parti të spektrit pro-serb dhe pro-rus.Në këtë shumicë qeverisëse bëjnë pjesë edhe disa subjekte politike shqiptare.

Nëse Mali i Zi synon seriozisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ai duhet të dëshmojë se institucionet e tij funksionojnë mbi bazën e Kushtetutës, sundimit të ligjit dhe një politikë të jashtme koherente. Nuk mund të pretendohet integrimi evropian, ndërkohë të lejohet që kuvendet komunale të shndërrohen në arena të politikës së jashtme dhe të sfidojnë vendime themelore të shtetit.

Deklaratat e komunës së Zetës dhe të Plevlës nuk e ndryshojnë statusin ndërkombëtar të Kosovës, por ato dëmtojnë klimën politike në Mal të Zi dhe dërgojnë sinjale të gabuara për orientimin pro europian të vendit.

Një shtet serioz nuk mund ta ketë politikën e tij të jashtme në duart e komunave. Nëse kjo logjikë pranohet si normale, atëherë vihet në pikëpyetje vetë autoriteti i institucioneve shtetërore dhe funksionimi kushtetues i Malit të Zi.

Në një kohë kur Ballkani Perëndimor ka nevojë për  integrim dhe fqinjësi të mirë, çdo përpjekje për të instrumentalizuar institucionet lokale për çështje të politikës së jashtme përbën një precedent të rrezikshëm dhe ështe në kundërshtim me parimet e funksionimit të një shteti demokratik për të cilin pretendon të jetë Mali i Zi.

Korrik 2026

By admini

Leave a Reply