Ilustrim

A ka nevojë Kosova për një rilindje të re?

Nga Haxhi Zeneli

Ka emra që nuk janë thjesht gazeta. Janë kujtesë kolektive. Janë zë. Janë histori. Një prej tyre ishte dikur gazeta Rilindja.

E themeluar në vitin 1945, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, Rilindja nuk ishte vetëm një medium informimi. Ajo ishte dritarja e parë serioze e informimit në gjuhën shqipe për qytetarët e Kosovës. Për dekada me radhë, ajo hyri në çdo shtëpi, në çdo kafene, në çdo tryezë mëngjesi. Ishte pjesë e ritualit të përditshëm: aroma e kafesë së mëngjesit dhe zëri i dikujt që lexonte me zë të lartë lajmet e ditës apo çështje të shoqërisë.

Në ato vite, lajmi kishte peshë. Fjala kishte përgjegjësi. Çdo artikull kalonte nëpër duart e redaktorëve të kualifikuar, verifikohej, rishikohej, pastaj aprovohej dhe publikohej vetëm pasi ishte i saktë. Rilindja fitoi besimin e lexuesve, një besim i ndërtuar me profesionalizëm. Qytetari e dinte se ajo që lexonte ishte e filtruar nga standarde të qarta etike dhe gazetareske, ndonëse, kuptohet, nuk ishte pa censurën e kohës komuniste.

Por në vitet ’90, serbët e kishin kuptuar me kohë se kjo gazetë kishte ndihmuar në edukimin dhe emancipimin e shqiptarëve. Prandaj, okupimi i Rilindjes nga serbët u bë menjëherë, duke e pushtuar atë dhe duke e mbyllur dhunshëm. Me të nuk u mbyll vetëm një redaksi, por u godit një simbol i identitetit kulturor dhe informativ të Kosovës.

Sot, Kosova është shtet i pavarur. Ka institucione, ka liri fjale, ka teknologji. Por paradoksi qëndron këtu: në një epokë me më shumë media se kurrë, besimi në informacion është më i brishtë se kurrë.

Portalet online janë bërë burimi kryesor i lajmit. Klikimet kanë zëvendësuar etikën. Lajmet e paverifikuara, titujt sensacionalë dhe teoritë konspirative shpesh krijojnë panik, ndarje shoqërore dhe mosbesim ndaj institucioneve. Në mungesë të një autoriteti të qëndrueshëm mediatik, qytetari endet mes informacioneve të paqarta dhe shpesh të manipuluara, duke nxitur polarizimin e shoqërisë.

Këtu lind pyetja thelbësore: pse Kosova nuk e fillon sërish sot një “Rilindje të re”?

Jo thjesht si nostalgji. Jo si simbol romantik i së kaluarës. Por si nevojë shtetërore dhe kombëtare.

Një gazetë fizike në duart e qytetarit ka një estetikë dhe peshë të veçantë. Ajo kërkon përqendrim. Kërkon kohë. Krijon kulturë leximi. Nuk zhduket me një “scroll”. Nuk manipulohet nga algoritmet. Ajo mbetet dokument. Arkiv. Dëshmi.

Shpesh dëgjohet një kundërshtim i njohur: “Ajo kohë ka kaluar. Njerëzit nuk lexojnë më gazeta.” Dhe, në pamje të parë, kjo duket e vërtetë. Por ndoshta e vërteta është më e thellë. Njerëzit nuk e kanë braktisur leximin – ata thjesht nuk e kanë përjetuar më si dikur.

Një gazetë nuk është vetëm informacion. Është përvojë, është ndjesi, është kontakt i drejtpërdrejtë. Ta mbash në duar, ta shfletosh faqen, të ndalesh te një titull apo një analizë – kjo krijon një lidhje që ekrani nuk e zëvendëson kurrë.

Edhe sot kemi libra dhe gazeta dixhitale, por ato fizike vazhdojnë të ekzistojnë dhe të kërkohen. Pse? Sepse kur mban një libër në dorë, ndjen se je ti në kontroll të asaj që lexon. Nuk të shpërqendron asgjë, nuk të imponohen reklama që vështirë kontrollohen dhe që synojnë të të shesin diçka. Nuk ke nevojë të abonohesh apo të klikosh për të lexuar të gjithë shkrimin. Nuk të ndërhyn algoritmi duke të përzier përmbajtjen e faqes apo duke të ndërprerë me njoftime.

Pra, një gazetë është një hapësirë e qetë mes teje dhe mendimit. Ajo sjell një kënaqësi të veçantë, një lloj përqendrimi dhe serioziteti. Nuk është thjesht një mënyrë informimi, por një mënyrë përjetimi.

Ndoshta problemi nuk është se njerëzit nuk duan të lexojnë. Ndoshta ata thjesht nuk kanë pasur më mundësinë ta ndiejnë atë përvojë.

Prandaj, rikthimi i një Rilindjeje të re do të ishte më shumë se hapja e një redaksie. Do të ishte rikthimi i një standardi, i një kulture që dikur ekzistonte dhe që duhet të ekzistojë sërish. Nganjëherë duhet të mendojmë se nga kemi ardhur deri këtu, kush na ndihmoi në këtë rrugëtim. Nuk duhet të mendojmë vetëm për llogaritjet e përfitimeve financiare, sepse kjo nuk ka çmim.

Një gazetë me redaktorë profesionistë, me vija të qarta etike dhe me verifikim të shumëfishtë të burimeve do të ishte më se e nevojshme për Kosovën. Një platformë që nuk konkurron për klikime, por për kredibilitet.

Kosova ka nevojë për një medium që edukon, jo vetëm informon; që qetëson mendjet; që bashkon dhe jo që ndan.

Imagjinoni përsëri mëngjeset kur qytetari del për të blerë gazetën, e cila sjell lajme ekskluzive, jo thjesht riprodhim portalesh. Kur debati publik ndërtohet mbi analiza serioze dhe jo mbi tituj provokues. Kur lajmi nuk është thashethem, por fakt i konfirmuar.

Si do që të jetë, rikthimi i Rilindjes do të ishte një investim në stabilitet shoqëror. Do të ishte një mesazh se shteti i Kosovës jo vetëm ekziston politikisht, por është i gatshëm të ndërtojë institucione të forta edhe në fushën e informimit. Sepse media nuk është vetëm biznes. Është shtyllë e demokracisë.

Dhe ndoshta ka ardhur koha që Kosova ta ketë sërish në duar një gazetë informuese si dikur, një zë që bashkon dhe ndriçon mendjet.

By admini