

Një tjetër dëshmi frymëzuese se sporti nuk njeh moshë vjen nga Ulqin, ku 61-vjeçari Safet Basha vazhdon të sfidojë kufijtë personalë dhe të promovojë jetën aktive.
Safet Basha i njohur për pasionin e tij të madh për sportin, së fundmi ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme sportive, duke përfunduar me sukses gjysmëmaratonën e zhvilluar në Mostar, në Bosnja dhe Hercegovina.
Gara, e mbajtur më 21 mars 2026, mblodhi mbi 1600 garues nga më shumë se 30 shtete të botës, duke e bërë atë një ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare në kalendarin sportiv. Basha arriti ta përfundojë këtë sfidë në kohën 2 orë e 31 minuta, një rezultat i respektueshëm që dëshmon për përgatitjen dhe përkushtimin e tij.
Kjo ishte gjysmëmaratona e dytë për Bashën. Debutimin e tij në këtë disiplinë ai e kishte bërë në Milano, ku hodhi hapat e parë në një sfidë që kërkon jo vetëm forcë fizike, por edhe qëndrueshmëri mendore.
Historia e Safet Bashës është një shembull motivues për të gjitha brezat. Në moshën 61-vjeçare, ai jo vetëm që vazhdon të jetë aktiv në çiklizëm, por edhe sfidon veten në gara të vrapimit, duke treguar se pasioni dhe disiplina janë çelësi i suksesit, pavarësisht viteve.
Përndryshe, Basha është edhe anëtar i Klubit çiklistik Buna dhe merr pjese rregullisht në garat që organizohen nga klubi dhe federata përkatëse.
Me pjesëmarrjen në ngjarje ndërkombëtare si gjysmëmaratona e Mostarit, Basha njëkohësisht promovon edhe qytetin e tij dhe sportin në përgjithësi, duke u bërë një ambasador i vlerave të jetës së shëndetshme dhe aktivitetit fizik.
