
Sot mbushet një vit nga momenti kur u bë publike se kompania e lidhur me investitorin Mohamed Alabbar fitoi shumicën e parcelave bregdetare në Plazhin e Madh — zhvillim që ndezi reagimin më të madh qytetar në Ulqin në dekadat e fundit. Deputeti Dr. Ilir Çapuni rikujton rrugëtimin e muajve të protestave, debatit publik dhe përpjekjeve institucionale, ndërsa pret që Gjykata Kushtetuese të japë vendimin e saj përfundimtar mbi kushtetutshmërinë e marrëveshjes ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kumtesa në tërësi
Sot, më 11 mars, mbushet një vit nga momenti kur opinioni mësoi se kompania e lidhur me investitorin Mohamed Alabbar në tender fitoi shumicën e plazheve në Plazhin e Madh. Ishte kjo shenja e parë e një procesi më të madh që po u zhvillonte pas shpinës së publikut – të një marrëveshjeje ndërshtetërore për zhvillimin e patundshmërive dhe turizmit me Emiratet e Bashkuara Arabe. Ky zhvillim shkaktoi një reagim të fuqishëm në Ulqin dhe hapi një nga çështjet më të rëndësishme për të ardhmen e qytetit tonë.
Në muajt që pasuan pamë një unitet të madh të ulqinakëve, por edhe solidaritet të qytetarëve në mbarë Malin e Zi.
Rezistenca që u aplikua në atë kohë ishte politikisht e vështirë dhe shpesh e pabaraspeshuar, por është e rëndësishme të theksohet se kundërshtimi ndaj këtij projekti dhe ndaj mënyrës së dhënies së pasurive natyrore zhvilluesve u zhvillua përmes mekanizmave demokratikë dhe institucionalë.
Para Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi aktualisht është në shqyrtim vlerësimi i kushtetutshmërisë së Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim në Fushën e Turizmit dhe Zhvillimit të Patundshmërive në mes të Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, dhe pritet që Gjykata në ditët në vijim të marrë një vendim përfundimtar dhe meritor.
Edhe pse për këtë ligj mungoi debati publik, ne i shfrytëzuam të gjithë mekanizmat përmes debatit publik që u zhvillua përmes protestave, mediave, Kuvendit të Komunës së Ulqinit dhe Kuvendit të Malit të Zi me trupat e tij. Ne u përpoqëm të informojmë qytetarët dhe deputetët se kjo marrëveshje ka mangësi serioze që e vënë në pikëpyetje në kuadër të rendit tonë juridik. Ky debat, mbi të gjitha, tregoi se e drejta është në anën e kërkesave që vijnë nga Ulqini. Tani mbetet që Gjykata Kushtetuese ta konfirmojë këtë qëndrim edhe formalisht.
Përveç mangësive formale dhe procedurale, kjo marrëveshje është në kundërshtim edhe me Konventën e Aarhusit, është miratuar pa marrë parasysh përfundimet e Kuvendit të Komunës së Ulqinit dhe konfirmon një interes publik të paqartë: ndërtimin e banesave dhe zhvillimin e turizmit në lokacione që mund të përzgjidhen nga një palë e tretë.
Në rrugën tonë drejt Evropës duhet të tregojmë se jemi të aftë të marrim vendime në përputhje me standardet evropiane — me transparencë, përgjegjësi dhe në interes të qytetarëve.
Gjykata Kushtetuese nuk do të shpallë fitues apo humbës në këtë proces, sepse me një vendim të drejtë fitues janë të gjithë qytetarët e këtij vendi. Vendime të tilla, të vetmet të drejta, janë pjesë e kulturës politike evropiane dhe dëshmi e forcës dhe pjekurisë së institucioneve.
Është e rëndësishme të theksohet gjithashtu: Ulqini nuk është kundër investimeve dhe as kundër bashkëpunimit me Emiratet e Bashkuara Arabe. Malit të Zi i duhen partnerë dhe miq.
Por në të njëjtën kohë duhet të jemi të qartë — nuk ekziston asnjë investitor apo shtet të cilit mund t’i japim më shumë sesa i detyrohemi Malit të Zi dhe Ulqinit, këtyre xhevahireve që ua kemi borxh brezave tanë.
Prandaj pres që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të kontribuojë në uljen e tensioneve, në forcimin e institucioneve dhe në hapjen e hapësirës për një zhvillim që do të jetë në interes të qytetarëve, e jo në dëm të trashëgimisë sonë natyrore dhe shoqërore.
Ulqinakët vitin e kaluar nuk i festuan me qetësi Ramazanin, Bajramin, Pashkët katolike dhe Pashkët ortodokse. Të gjitha aktivitetet për festimin e Ditës së Ulqinit, përveç programeve për fëmijë, u anuluan sepse qyteti në ato ditë protestonte dhe me shqetësim ndiqte zhvillimet. Programet për fëmijë mbetën si simbol i zhvillimit të brezave të ardhshëm — një buzëqeshje që nuk duhet të shuhet.
Prandaj këtë vit, në prag të festave të reja, të sezonit të ri turistik dhe të Ditës së Ulqinit, presim drejtësi institucionale përmes një vendimi të drejtë të Gjykatës Kushtetuese — drejtësi për qytetarët tanë dhe për brezat që vijnë, jo si shërbëtorë për njëqind vjet, por si zotër të përjetshëm të pasurisë së tyre.
Dr Ilir Çapuni
Deputet në Kuvendin e Malit të Zi
