
Diskursi politik
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat do të mbahën me 28 dhjetor qytetarët presin qe partitë politike të bashkëpunojnë duke lënë anash retoriken përçarëse, inatet e interesat personale apo të klanëve të ndryshëm, sepse Kosova, nuk është pronë e një apo disa partive politike, andaj duhet gjetur kompromis në sajë të rezultatit të zgjedhjeve e jo duke kushtëzuar, sepse qytetarët presin për të formuar institucionet qeverisëse si kudo në botën demokratike
Nail Draga
Në skenën politike në Kosovë, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, u kriua një atmosferë polarizuese ne mes fituesit të zgjedhjeve(LVV) dhe partive tjera opozitare. Fillimisht u vonua në konstituimin e Kuvendit për të zgjedhur kryeparlamentarin e më pas edhe në zgjedhjen e Qeverisë.
Në sajë të rrethanave ekzistuese pavarësisht se nuk i kishte votat e mjaftueshme LVV tentoj të formojë qeverinë dy herë(26 tetor e 19 nëntor), por në mungesë të numrave të nevojshëm, dështoi që është rasti i parë në Kosovë qe partia fituese mos të arrijë të formojë qeverinë. Në një situatë të tillë opozitës i është ofruar mundësia për të formuar qeverinë por ata refuzuan sepse edhe atyre iu mungonin numrat e nevojshëm.
Në tërë këtë situatë del qartë se kundër LVV ishin të gjithë subjektët politike të opozitës, sepse nuk kanë shprehur gadishmëri për bashkëpunim, por kanë kushtëzuar bashkëpunimin që nuk ishte në favor të kompromisit politik në favor të Kosovës. Dhe nga situata e kriuar e vetmja mundësi e mbetur ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Zgjedhjet e katërta në këtë vit
Pikërisht, duke marrë parasysh se janë konsumuar të gjitha mundësitë ligjore presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas konsultimit me përfaqësuesit e partive politike, vendosi datën 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Do të jenë këto zgjedhjet e katërta gjatë këtij viti( dy parlamentare e dy lokale) që është ngarkesë e madhe për qytetarët për të dëshmuar vullnetin e tyre politik, për subjektët e tyre të preferuara.
Analistë të ndryshëm dhe njohës të rrethanave në skenën politike në Kosovë cekin se LVV përseri do të jetë subjekti i parë, por mbetet enigmatike numri i votave të fituara dhe numri i deputetëve të këtij subjekti politik për të arritur shumicën parlamentare. Nga zgjedhjet e 9 shkurtit LVV arriti të kishte 48 deputet, por ishte numër i pamjaftueshëm për të arritur numrin e nevojshëm prej 61 deputetëve për të qenë shumicë parlamentare. Nga ana tjetër numri i deputetëve nga pakica joshumicë serbe ishte 10 deputetë por vetëm 8 prej tyre e kanë mbeshtetur LVV, nga del se për të arritur shumicën parlamentare duhet mbeshtetje nga një tjetër subjekt politik. Opinioni është i njohur se nga LVV ofertë për bashkëpunim i është paraqitur LDK, por ata e kanë refuzuar!
Andaj nuk mund të akuzohet LVV se nuk ka pasur kapacitet për formimin e koalicioneve, sepse për bashkëpunim duhen dy palë, ndërsa në rastin konkret LDK, nuk ka treguar gadishmëri për arritjen e koalicionit qeverisës, andaj përgjegjësia iu takon atyre.
Imponohet bashkëpunimi
Përvoja politike dëshmon se pavarësisht qendrimeve në politikë të imponohet bashkëpunimi edhe me ata të cilët nuk pajtohemi, sepse raportët në skenën politike e kushtezojnë një veprim të tillë. Andaj, gjatë kësaj fushate besoj se të gjitha partitë politike do të përmbahen nga retorika politike sepse nuk përjashtohet bashkëpunimi pas zgjedhjeve që do të jetë i obligueshëm në arritjen koalicioneve për formimin e shumicës parlamentare e me te edhe të institucioneve qeveritare.
Në zgjedhje marrin pjesë 24 subjekte garuese
Sipas informacioneve nga KQZ në zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahen me 28 dhjetor janë certifikuar 24 subjekte garuese prej të cilave 3 janë koalicione, 18 parti politike, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.
Nga partitë parlamentare vetëm LVV ka formalizuar koalicionin me tri parti politike: GUXO, Alternativa dhe Partinë Shqiptare Demokristiane.
Ndërsa katër prej partive kryesore Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, kanë vendosur të hyjnë pa koalicione zyrtare në garën zgjedhore.
Në zgjedhje po ashtu do të marrin pjesë një numër i konsideruar i partive minoritare(serbe, boshnjake, turke, rome, ashkali e egjiptiane) të cilat përbëjnë numrin me të madh të subjekteve politike që do të marrin pjesë në zgjedhje.
Në këto zgjedhje bie në sy rënia e numrit të subjekteve politike qe marrin pjesë në në zgjedhjet parlamentare, sepse në ato të 9 shkurtit të këtij viti, kanë qenë të certifikuar 28 subjekte garuese.
Cekim se sistemi zgjedhor me lista të hapura që është duke u praktikuar në Kosovë mund të shërbejë si model për vendet e regjionit të cilët kanë mbetur peng të modeleve të vjetra të cilët për kohën janë të demodura, sepse qytetarët duan të votojnë për kandidatin me të preferuar e jo për ate të cilin iu servon partia.
Dilema pas zgjedhjeve
Në sajë të raporteve në mes pozitës dhe opozitës aktuale mendoj se vështirë zgjedhjet e reja do japin një shumicë absolute, sikurse ndodhi me LVV në vitin 2021. Theksojmë se me 9 shkurt partitë kryesore arriten këto rezultate: LVV në koalicion me Guxo dhe Alternativa 42,27% e votave, PDK (20.96%), LDK(18.28%), AAK/Nisma(7.07%). Ndërsa dalja në votime ka qenë 40.59%. Në ndërkohë në Kosovë janë mbajtur edhe zgjedhjet lokale(12 tetor dhe 9 nëntor) që paraqet një test për elektoratin votues, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare me 28 dhjetor. Madje kjo datë paraqet një moment të veçantë për votuesit që ka të bëjë kryesisht me diasporën e cila vjen në vendlindje në pushimin dimëror, dhe mundësi për të eliminuar votimin me postë, duke marrë pjesë drejtëpërdrejt në votime.
Pasi në skenën politike në Kosovë kemi dy blloqe politike LVV dhe opozita, ku asnjëra palë vështirë se do arrijë shumicën absolute, andaj formimi i shumicës parlamentare do varet nga pakicat. Nuk do të ishte në favor të Kosovës mos arritja e formimit të shumicës parlamentare, në afatin optimal sepse qytetarët votojnë për formimin e institucioneve në favor të qeverisjës si kudo në botën demokratike.
Përfundim
Varësisht prej rezultatëve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në sajë të përvojës se deritashme, çërtifikimi i rezultatit të zgjedhjeve do të marrin kohë. Kështu nja një muaj do të numërohen votat, me mundësi të rinumërimit, ndërsa kur të konfirmohen rezultatet nuk përjashtohet që të nisin përseri skenarët për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Dhe nga një situatë e tillë, kuptohet nëse nuk do të kemi shumicë parlamentare të verifikuar e stabile, do të vijë koha edhe të zgjedhja e presidentit. Nga një situatë të tillë kaotike Kosova, mund të jetë pa Kuvend, Qeveri e President, që nuk është në favor të Kosovës dhe të demokracisë parlamentare.
(Dhjetor 2025)
