
Pas miratimit të ndryshimeve në Ligjin për ullishtarinë dhe vajin e ullirit, të cilat mundësojnë ndërtimin e objekteve në sipërfaqe me ullinj, Komuna e Ulqinit ka reaguar ashpër përmes një deklarate zyrtare. Kryetari i Komunës, Genci Nimanbegu, shpreh shqetësimin për pasojat e rënda që këto ndryshime mund të kenë mbi Ullishtën e Ulqinit dhe veçanërisht zonën e Valdanosit, duke i cilësuar ato si kërcënim serioz për trashëgiminë natyrore, kulturore dhe ekologjike të qytetit, shkruan Ulqini Online.
Më poshtë mund të lexoni të plotë deklaratën e kryetarit të Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.
DEKLARATË E KOMUNËS SË ULQINIT ME RASTIN E MIRATIMIT TË PLOTËSIMEVE DHE NDRYSHIMEVE TË LIGJIT PËR ULLISHTARINË DHE VAJIN E ULLIRIT
Me rastin e miratimit të Ligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për ullishtarinë dhe vajin e ullirit, Komuna e Ulqinit e sheh të nevojshme të shprehë publikisht qëndrimin e saj, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me trajtimin e ullishteve, me fokus të veçantë në hapësirën me vlerë të jashtëzakonshme – Ullishtën e Ulqinit, pjesë e së cilës është edhe Valdanosi.
Me amendamentet e miratuara, është mundësuar ndërtimi i objekteve në sipërfaqet me ullinj – qoftë për banim familjar apo për valorizim turistik – gjë që përbën një rrezik serioz për të ardhmen e zonës ullishtare të Ulqinit. Ne konsiderojmë se dispozitat e tilla nuk duhet të zbatohen në mënyrë mekanike, pa një analizë gjithëpërfshirëse të kontekstit lokal dhe pa vlerësimin e pasojave afatgjata për hapësirën dhe komunitetin.
Ullishta e Ulqinit, së bashku me ullishten në Valdanos, përfaqëson një nga tërësitë më të vlefshme ambientale në Mal të Zi – një hapësirë me rëndësi të jashtëzakonshme peizazhore, kulturore, ekologjike dhe historike. Trajtimi i këtyre zonave si potencial për ndërtim hap një precedent të rrezikshëm dhe çon drejt humbjes së pakthyeshme të autenticitetit dhe degradimit të ambientit që brez pas brezi është kultivuar nga ulqinakët.
Zgjidhja më e re ligjore – e cila lejon ndërtimin e objekteve banimi dhe turistike në prona më të mëdha se 0.1 ha, me mendim pozitiv nga Ministria e Bujqësisë – e konsiderojmë të papranueshme dhe të dëmshme. Kjo hap rrugën për urbanizim në dëm të interesit publik, duke rrezikuar drejtpërdrejt ullishtat shekullore, ekosistemin e ndjeshëm, traditën ullishtare dhe autenticitetin e Ulqinit si një destinacion i kulturës mesdhetare.
Ullishta e Ulqinit numëron rreth 87.000 pemë ulliri, rrënjët e të cilave datojnë nga periudha para erës sonë. Ajo nuk është vetëm një burim bujqësor, por një burim shëndeti, identiteti lokal, krenarie kombëtare dhe një themel për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe ekonomisë rurale. Kjo zonë ka potencialin të nominohet për Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, për shkak të vlerës së saj universale dhe të pazëvendësueshme.
Komuna e Ulqinit dërgon një mesazh të qartë: Ullishta e Ulqinit duhet të ruhet në formën e saj origjinale. Është detyra jonë ta mbrojmë këtë hapësirë – jo vetëm në interes të komunitetit të sotëm, por edhe në emër të brezave që do të vijnë. Prandaj do të ndërmarrim të gjitha hapat ligjorë që kjo zonë të mbrohet, deri në hartimin dhe miratimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm, që do të përcaktojë qartë kufijtë e zhvillimit të mundshëm pa rrezikuar vlerat thelbësore të këtij peizazhi.
Ftojmë:
- deputetët e Kuvendit të Malit të Zi që të rishqyrtojnë ndryshimet e miratuara;
- Ministrinë e Bujqësisë që të mbrojë interesin publik dhe të parandalojë shkatërrimin e ullishteve përmes ndërhyrjeve urbanistike;
- opinionin profesional dhe publikun e gjerë, organizatat joqeveritare dhe institucionet përkatëse që të përfshihen në mënyrë aktive në mbrojtjen e këtij peizazhi të çmuar.
Ulqini nuk duhet ta humbasë ullishtën.
Kryetari i Komunës
Genci Nimanbegu