Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë Eagle Hills, Mohamed Alabar, megjithatë ka nënshkruar një kontratë për marrjen me qira të një plazhi në rivierën e Ulqinit, mëson Televizioni Vijesti nga Ndërmarrja për Menaxhimin e Bregdetit (Morsko dobro), transmeton Ulqini Online.

Bëhet fjalë për një lokacion që në kadastër figuron me emrin 10M, por në fakt bëhet fjalë për plazhin Tropikana, që është plazhi i parë privat në Mal të Zi dhe për vite me radhë ka fituar flamurin e kalter. Sipas informacioneve që kemi, edhe pse Alabar kishte paralajmëruar se do të tërhiqej nga të gjitha plazhet dhe do t’ua linte ato fituesve të mëparshëm, këtë plazh ka qenë i detyruar ta marrë, sepse ofertat e tjera të paraqitura për të nuk kanë qenë të vlefshme.

Sa i përket tetë plazheve të tjera, Alabarit i është dërguar një paralajmërim dhe pritet që në disa ditët e ardhshme të skadojë afati deri kur ai mund të nënshkruajë kontratat. Kjo do të thotë se investitori arab do të duhet të paguajë garanci për të gjitha tetë lokacionet, dhe më pas ato do t’iu jepen ofertuesve të renditur në vendin e dytë.

Për t’ju kujtuar, Alabar kishte ofruar shumën më të lartë në konkursin publik për plazhet e Ulqinit, por pas presionit të opinionit publik dhe sektorit civil, të cilët reaguan kundër ndërtimit të paralajmëruar në Plazhin e Madh, ai u tërhoq nga marrja me qira e tyre.

By admini