Xhamia e marinareve ne Ulqin

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, z. Faik Nika, ka drejtuar një mesazh urimi për të gjithë besimtarët myslimanë, duke theksuar vlerat shpirtërore, njerëzore dhe kombëtare që kjo festë mbart për shqiptarët në Mal të Zi dhe më gjerë, shkruan Ulqini Online.

Në mesazhin e tij, z. Nika uroi që kjo festë të sjellë begati, dashuri, tolerancë dhe harmoni në familjet e të gjithë besimtarëve, duke rikujtuar rëndësinë e ndihmës ndaj të tjerëve dhe përkushtimit ndaj vlerave humane. “Qofshin këto ditë të mbara për ju, të shoqëruara me begati, besim, dashuri dhe tolerancë,” thuhet në urimin e tij.

Ai theksoi se Kurban Bajrami është më shumë se një festë fetare – është simbol i sakrificës, bamirësisë dhe solidaritetit, por edhe një moment që shqiptarët e kthejnë në një festë gjithëpërfshirëse, duke treguar unitet dhe afërsi, pavarësisht përkatësive krahinore apo fetare.

“Shqiptarët janë të bekuar nga Zoti, sepse momentet e festave fetare i shndërrojnë edhe në festa kombëtare,” – u shpreh Nika, duke nënvizuar se këto vlera kanë qenë ndër faktorët kyç në ruajtjen e identitetit dhe unitetit kombëtar ndër vite.

Në përmbyllje të mesazhit të tij, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi uroi që Zoti të bekojë familjet shqiptare dhe të gjithë kombin shqiptar.

Festa e Kurban Bajramit, një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin islam, shënohet këtë vit me mesazhe të fuqishme të solidaritetit dhe respektit të ndërsjellë, duke sjellë njëherazi atmosferë shpirtërore dhe shpresë për më shumë mirëkuptim në shoqëri.

By admini