Ulqin, 2 qershor 2025 – Në një atmosferë solemne dhe entuziaste, sot në Ulqin u inaugurua zyrtarisht Qendra e Shkencës dhe Inovacionit, një projekt që pritet të shndërrohet në një pikë kyçe për edukimin modern, zhvillimin teknologjik dhe fuqizimin e të rinjve në rajon, shkruan Ulqini Online.

Siç mësohet nga një kumtesë e Komunës së Ulqinit, qendra synon të jetë një hapësirë e gjallë për krijimtari, mendim kritik dhe përvetësim të aftësive praktike në fusha si robotika, inteligjenca artificiale, programimi dhe teknologjitë bashkëkohore. Përmes këtij projekti, Ulqini futet në hartën e qyteteve që investojnë seriozisht në të ardhmen e dijes dhe inovacionit.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë figura të larta politike, diplomatike dhe akademike, duke përfshirë ambasadorin e Turqisë në Mal të Zi, z. Barış Kalkavan, ministren e Arsimit të Malit të Zi, znj. Angjella Jakshiq, kryetarin e Komunës së Ulqinit, z. Genci Nimanbegu, si dhe përfaqësues të Fondacionit Teknologjik të Turqisë T3 dhe agjencisë shtetërore turke për bashkëpunim TİKA.

“Sot nuk po hapim vetëm një qendër – po ndërtojmë një urë bashkëpunimi mes popujve tanë, me sytë nga e ardhmja,” – deklaroi znj. Elvan Kuzucu Hıdır, drejtoreshë ekzekutive e Fondacionit T3, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes së shkencës në kohëra të sfiduara nga pabarazia dhe konfliktet globale.

Kryetari i Ulqinit, Genci Nimanbegu, në fjalën e tij e përshkroi qendrën si më shumë se një projekt infrastrukturor:

“Kjo nuk është thjesht një ndërtesë. Është një hapësirë ku lindin ëndrrat, zhvillohen idetë dhe fuqizohen brezat e rinj… Idetë për këtë qendër udhëtuan deri në Stamboll që të kuptoheshin dhe të mbështeteshin siç duhej.”

Pjesë e veçantë e ceremonisë ishte edhe mesazhi me video nga Selçuk Bayraktar, kryetar i Bordit Drejtues të Fondacionit T3 dhe një prej figurave më të njohura në zhvillimin teknologjik të Turqisë. Ai i përshëndeti qytetarët e Ulqinit dhe vlerësoi qendrën si një investim në pavarësinë teknologjike të brezave të ardhshëm.

Në përmbyllje të ceremonisë, Prof. Assoc. Dr. Ilir Çapuni, ideatori dhe iniciatori i projektit, theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për të krijuar mundësi të reja për të rinjtë:

“Sot përmbusha një amanet si prind – që fëmijët tanë të mos ecin vetëm, por bashkë drejt suksesit. Kjo qendër është një fillim i ri për ta.”

Qendra është themeluar përmes një partneriteti të ngushtë mes Komunës së Ulqinit, Fondacionit XL LABS, Fondacionit T3 dhe agjencisë shtetërore turke TİKA, dhe është pjesë e iniciativës ndërkombëtare Bilim Türkiye – Deneyap.

Ky projekt ambicioz vjen si një shembull i shkëlqyer se si bashkëpunimi mes institucioneve lokale dhe organizatave ndërkombëtare mund të krijojë ndryshim konkret në jetën e të rinjve, veçanërisht në zonat periferike.

Qendra e Shkencës dhe Inovacionit – Ulqin nuk është thjesht një investim në teknologji – por një investim në të ardhmen e të rinjve, në një qytet që po kthehet gjithnjë e më shumë në qendër të zhvillimit arsimor dhe shkencor në Mal të Zi.

By admini