Nga Frank Shkreli

Portali Ulqinionline njofton lajmin e shumëpritur se më në fund, Komuna e Ulqinit shpalli dje rezultatet e konkursit ndërkombëtar për realizimin e monumentit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Ulqin, duke njoftuar përzgjedhjen e tri veprave më të mira nga 17 punimet e paraqitura. Monumenti fitues, vepër e artistit Sabri Behramaj, u vlerësua më së larti nga juria profesionale duke zenë vendin e parë, thuhet mëtej në lajmin e Ulqinionline. —Kontestime dhe reagime për Monumentin e Skënderbeut në Ulqin – Ulqini Online – Lajme nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Tivari, Tuzi, Plava dhe Gucia –  Në njoftimin e saj për këtë projekt, Komuna e Ulqinit falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre krijues dhe profesional në këtë proces të rëndësishëm për identitetin kulturor dhe historik të qytetit tonë.

Por a është, vërtetë, kjo përzgjedhje ideore e monumentit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, siç e cilëson Komuna e Ulqinit?! A mund të thuhet se vepra e përzgjedhur si e “para”, në atë process, vërtetë, përfaqëson identitetin kulturor dhe historik të qytetit tonë”?

Unë nuk jam artist as skulptor, as kritik arti, as moumentesh. Por një njeri i thjesht, që si shumica e shqiptarëve kudo, e kam mirëpritur vendosjen e monumenteve të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve anë e mbanë trojeve shqiptare, nga Tirana, Shkupi e Prishtina e deri në Malësi të Madhe e në Ulqin, por edhe anë e mbanë botës, në Evropë e deri në Amerikën e largët. Monumenti i përzgjedhur me këtë rast, i shumë pritur për tu vendosur në Ulqin, mua më vret syrin dhe më “këputë zemrën”.  Skulptura në fjalë më duket si e pa dinjetet, gati si një tallje satirike, një karikaturë e turpshme. Për mua dhe për të gjithë ata që dinë sadopak, diçka për historinë e Gjergj Kastriotit-Skenderbe, nuk mund ta lidhin këtë skulpturë me veprat madhore të Gjergj Kastriotit tonë: kësaj Embleme të virtyteve dhe vlerave kombëtare të shqiptarëve kudo. Një pyetje për të gjithë pjesëmarrsit në këtë proces: Në mendimin tuaj, vërtetë, kjo skulpturë, e përzgjedhur si “e para”, lartëson emrin e Atdheut, të Përgjithmonshmit të Kombit dhe Mbrojtsit të qytetërimit perëndimor?

Unë i kam dyshimet e mia se edhe kjo veprë – në sipërfaqe, gjoja si diçka pozitive – prapaskena e saj mund të jetë pjesë e provokimve dhe manovrimeve historike për të mohuar historinë dhe identitetin e shqitarëve, qoftë edhe me përpjekjet për të tjetërsuar ose për t’u tallur me vet identitetin e shqiptarëve. A po mos vallë, dikujt në Ulqin dhe më gjërë, i pengon statuja dinjitoze e Gjergj Kastriotit-Skenderbe në atë qytet dhe në vend të saj të vendoset një karikaturë që shtrembëron dhe mohon figurën historike të Skenderbeut dhe identitetin e shqitarëve atje?  Nuk do të ishte hera e parë që të huajt –serbo-malazezët, turqë e grekë – nga koha në kohë të hedhin pretendime djallëzore duke provokuar me qëllim për të turbulluar ujërat ballkanikë, në përpjekjet e tyre shekullore për të hedhur dyshime, me qëllim zbehjen e historisë dhe të identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës të shqiptarëve në trojet e veta.  Në të kaluarën, shqiptarëve, anë e mbanë trojeve, na ndryshonin emrat duke i sllavizuar/grekizuar/turqizuar ato, e ku ta dij unë. Përveç ndryshimit të emrave shqiptarë dhe të mohimit të gjuhës, kulturës dhe historisë shekullore të tyre në ato troje, vazhdojnë përpjekjet edhe sot për të mohuar figurat më të njohura, botërisht, të historisë së shqiptarëve, përfshir Gjergj Kastriotin- Skenderbe dhe Nënë Terezen.  Mos reagimet nga Tirana dhe Prishtina zyrtare ndaj këtyre dukurive — që në sipërfaqe dhe në thelb kanë qenë dhe janë anti-shqiptare — janë mbytëse. Është detyrim moral dhe kombëtar i dy shteteve shqipatre mbrojtja e historisë, identitetit, gjuhës, kulturës dhe figurave historike kombëtare – si Gjergj Kastritoi-Skenderbe, anë e mbanë trojeve shekullore arbëror-shqiptare.

Sado që ky vendim – përzgjedhja pra e kësaj karikature të shëmtuar të Krye-Prijsit shekullor të shqiptarëve për tu vendosur në Ulqin — mund të jetë marrë edhe me ndonjë qëllim të mirë ose i shtyrë nga mungesa e mjeteve financiare – prapseprap është një vendim që duhet të anullohet menjëherë dhe procesi të rifillohet na 0.

Nëse shqiptarët nuk do ta kishin Gjergjin si Heroin e tyre, ata do duhej ta çpiknin një të tillë. Për fat të mirë që Gjergj Kastrioti-Skenderbe me jetën dhe veprat e tij anë e mbanë botës vazhdon të pasqyrojë meritat dhe vlerat e Kombit shqiptar gjatë shekujve. Por për fat të keq, kjo përzgjedhje e kësaj karikature të shëmtuar e Gjergj Kastriotit-Skenderbe për tu vendosur në Ulqinin e lashtë iliro-arbëror-shqiptar – jo vetëm që nuk reflekton meritat dhe vlerat e Kryeheroit të shqiptarëve, por  pasqyron, ndër të tjera, edhe mjerimin e gjëndjes së shqiptarëve në atë zonë dhe keq-trajtimin e kulturës, mohimit ose shtrembërimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve në ato anë, por jo vetëm. Vaj medet!

By admini