Nga Xheladin Zeneli*

(Fjalim me rastin e inagurimit të Qendrës së Komunitetit në Staten Island me 27 Prill 2025)

Të nderuar pjesëtarë të komunitetit anamalas dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar,

Të nderuar bashkatdhetarë,

Mirdita dhe mirëse keni ardhur në inagurimin e Qendrës tonë kulturore , në këtë ditë kaq të rëndësishme për komunitetin tonë;

Unë jam këtu që t’ju flas shkurtimisht për të kaluarën e Shoqatës dhe rruga e gjatë e saj e cila na solli deri këtu, pra në inaugurimin solemn të Qendrës kulturore të komunitetit tonë

Gjatë viteve ’80-ta dhe ’90-ta të shekullit të kaluar mërgata e Anës së Malit ( me prejardhje nga Komuna e Ulqinit) ishte kryesisht e përqendruar në lagjen e Rixhvud-it (Ridgewood-Queens) ku  dhe fillojnë organizimet e para të kësaj mërgate. 

Diku rreth viteve 1987/ 1988 paraqiten format e para organizuese të anamalasve në Nju Jork me rrethe, në formë të grupeve kulturo-artistike, me ç’rast themelohet Grupi Folklorik ” Mërgimtari” në Rixhvod i cili  muar pjesë në manifestimin madhështor  me rastin e Festës së 28 Nëntorit që u mbajt  në hotelin ” Sheraton” në Manhattan , i organizuar nga komuniteti i atëhershëm shqiptar. 

Gjithashtu në at  kohë , në kuadër të Klubit Kombëtar ” Jusuf Gërvalla”(me qendër në Bronks), ka egzistuar edhe një shkollë shqipe në  lagjen e Rixhvud-it  ku mësonin kryesisht fëmijët e mërgimtarëve nga Ana e Malit, Kraja e Ulqini.

Në këtë lagjë ka egzistuar edhe një lokal në formë klubi ku anamalasit u takonin me njëri tjetrin dhe ndanin bashkë mallin për vendlindjen.

Anamalasit vertetë janë larguar nga vendi i tyre gjatë periudhave të ndryshme, për shkaqe ekonomike dhe politike por ata kurrë njëherë nuk e kanë harruar ate dhe gjithëmonë kanë ndarë brengat dhe shqetësimet e me bashkëvendasit e tyre në vendlindje. Me dekada të tëra anamalasit në mërgim, konkretisht anamalasit në SHBA, gjithëmonë iu kanë ndejë pranë bashkëvendasve  të tyre duke i përkrahur ata  gjithëmonë me mjete financiare në aspektin humanitar, kulturor, arsimor shëndetësor, infrastrukturor etj.  Një ndër aksionet e para humanitare që u organizu nga anamalasit në Nju Jork dhe që u përkrah në mënyrë të konsiderueshme nga komuniteti, ishte Aksioni i për mbledhjen e ndihmave financiare për vendlindjen në vitin 1993/1994.

Falë bujarisë së pjesëtarëve të komunitetit anamalas në Nju Jork dhe shtetet e tjera për rreth, gjatë aksionit në fjalë u mblodhën 20.400 dollarë , një shumë jo e vogël për at kohë, me dedikim për nevojat e nxënësve dhe studentëve  si dhe ndihmë materiale për familjet me gjendje të dobët ekonomike në Anë të Malit.

Një organizim tjetër që i parapriu themelimit  të Shoqatës ” Ana e Malit ” ishte formimi i Klubit Futbollistik me të njëjtin emër, me datën  22 Korrik 1995, poashtu në Rixhvod. KF ” Ana e Malit” ishte anëtare e Ligës Shqiptaro-Amerikane të Futbollit ku muar pjesë dhe zhvilloj gara me sukses disa vite  me radhë deri në shpërbërjen e saj. 

S’ka dyshim që Aksioni  për mbledhjen e ndihmave humanitare në vitin 1994 si dhe themelimi i KF ” Ana e Malit” në NY, në verë të vitit 1995, kanë luajtur rol të rëndësishëm në organizimin e komunitetit anamalas, të cilat më vonë do të ndikojnë në themelimin e Shoqatës me të njëjtin emër, pra ” Ana e Malit”, në Janar të vitit 1997 kur për herë të parë u zgjodh kryesia dhe u aprovu statuti dhe programi i saj, dhe që nga ajo kohë kemi një shoqatë të strukturuar të kësaj pjese të diasporës tonë.

Ndër aktivitetet e shumta të Shoqatës Ana e Malit duhet të veçojmë ndihmën financiare që kjo Shoqatë i ka dhënë Kosovës dhe UÇK-së duke mbledhur me qindra mijëra dollarë gjatë kohës kur ajo po kalonte ditës e saja më të vështira në luftën kundër okupatorit serb.Ne jemi krenar që patëm rastin të kryejmë obligimin tonë kombëtar në përkrahjen e motrave vëllezëeve tanë në Kosovë.

Shoqata ” Ana e Malit” për rreth tre dekada me radhë ka përkrahur aktivitete të ndryshme në atdhe dhe vendlindje duke ndihmuar financiarisht projekte në aspektin arsimor,kulturor, humanitar, shëndetësor, sportiv si dhe veprimtari që kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit kombëtar të bashkëvendasve tanë në trevat e tyre autoktone. Kurse në komunitetin e vet në SHBA është  angazhuar poashtu në ruajtjen dhe kultivimin e kulturës , gjuhës shqipe dhe traditave kombëtare shqiptare dhe trashigimin e  përcjelljen e tyre te gjeneratat e reja në diasporë.

Me këtë rast duhet të falenderoj të gjithë aktivistët anëtarët e Shoqatës “Ana e Malit” që nga themelimi i saj e deri më sot për punën dhe kontributin e tyre në vazhdimësi në shërbim të vendlindjes, komunitetit dhe çështjes tonë kombëtare dhe  duke mbajtur gjallë vizionin e ëndrrën tonë për një komunitet me të organizuar dhe më të suksesshëm.

Pjesë  e kësaj ëndrre ishte edhe posedimi i një objekti të cilin ne do ta quanim ‘shtëpia jonë’. Falë përkushtimit të pjesëtarëve të komunitetit tonë kjo ëndërr filloi të realizohet në vitin 2020/2021 nga kryesia e atëhershme e Shoqatës me kryetar z.Safet Llolla  i cili siguroi kontratën e pronësisë me ç’rast edhe filluan punimet në renovimin e objektit .Më pas, me ardhjen  e kryesisë së re të Shoqatës dhe me kryetarin aktual z. Albert Salaj, vazhduan punimet intenzive në renovimin e objektit në fjalë dhe sot kemi këtu para nesh lokalin që tani quhet Qendra e Komunitetit.

Përveç asaj që kjo Qendër   do të shërbejnë si seli e Shoqatës “Ana e Malit”, dyert e saja do të jenë të  hapura për mbarë kumunitetin shqiptar dhe do të jetë në dispozicion për nevojat e shoqatave të tjera të komunitetit tonë,kuptohet mvarësisht nga kapaciteti i tij. Por ajo çka është më e rëndësishme kjo ndërtesë do jetë vendi i organizimit të aktiviteteve të ndryshme kulturore që kanë për qëllim ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe, artit e kulturës së trashigimisë shqiptare dhe edukimin dhe përcjelljen e këtyre vlerave tona kombëtare  te brezat e rinj në mërgatë.

Zonja dhe zotërinj të nderuar, Vëllezër e motra,

Mos të harrojmë për asnjë moment se realizimi i këtij projekti, që nga blerja e ndërtesës deri te renovimi i plotë i tij, do të kishte qenë i pamundur pa kontributun, donacionet financiare, punën vullnetare të qindra pjesëtarëve të komunitetit anamalas, por edhe pjesëtarëve të tjerë të komunitetit shqiptar.

Me gëzon fakti që këtu sot kemi prezent një numër të konsiderueshëm të fëmijve, dhe të rinjëve tanë . Është kjo gjeneratë e cila do të kenë mundësinë ta shfrytëzojnë më shumé  këtë Qendër të Komunitetit, sepse me dashurinë që ata kanë treguar për kultivimin dhe trashigimin e vlerave tona kulturore dhe kombëtare,  e kanë merituar që ne t’ju dhurojmë një  Qendër të tillë.

Janë këto të rinjë që me shembullin e tyre n’a inkurajojnë dhe n’a frymëzojnë në angazhimet tona dhe n’a japin shpresë për një të ardhme të ndritur të komunitetit tonë .

Me ndërtimin e kësaj Qendreje ne vetëm kryem një obligim ndaj fëmijëve tanë, ndaj gjeneratës së re të komunitetit tonë.

Mirënjohje dhe falenderim për të gjithë ata që kanë kontribuar, në mënyra të ndryshme, pra në mënyrë financiare, materiale dhe me punë vullnetare në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm e cila ishte një ëndërr e kahershme e kësaj Shoqate dhe komunitetit të saj. 

*Ish- kryetar i Shoqatës “Ana e Malit” në dy mandate dhe një ndër themeluesit e saj

By admini