ULQIN – Klubi i basketbollit “Ulqini” ka siguruar një sukses historik duke u ngjitur në Ligën e Parë të Malit të Zi pas nje kohe te gjatë. Kjo arritje vjen si rezultat i përkushtimit te udhëeheqësise se klubit, punës së palodhshme të trajnereve dhe shpirtit të ekipit. Me shumicën e lojtarëve vendas dhe vetëm dy përforcime nga SHBA, ky ekip ka treguar se pasioni dhe puna mund të tejkalojnë çdo sfidë financiare, shkruan Ulqini Online.

Ky sukses nuk është vetëm sportiv, por edhe një fitore morale për qytetin, që gjithmonë ka qenë vatër e talenteve sportive. Në një kohë kur shumë ekipe investojnë shuma të mëdha për rezultate, KB “Ulqini” tregon se edhe me shpenzime minimale mund të ndërtohet një skuadër konkurruese dhe fituese.

Në të gjithë këtë sukses, përveç lojtarëve meritëm të madhe kanë edhe trajneret Millan Latkoviq, Darko Vujaçiq dhe Edon Kollari. Suksesi ka vlerë edhe më të madhe nëse merret parasysh fakti se sporti i basketbollit është shumë i popullarizuar në Mal të Zi dhe sukseset si të klubeve ashtu edhe te reprezentacionit janë për tu respektuar.

Poashtu nga ky klub mësohet se edhe ekipi U20 ka arritur sukses duke u kualifikuar ne katër ekipet më të mira. Turneu final do të mbahet në Ulqin me datat 28-29 04. 2025. Në këtë turne, përveç KB Ulqini, do të marrin pjesë ekipet KK Junior Podgorica, KK Sutjeska dhe BKM Podgorica.

Ndeshja e fundit e sezonit e ekipit të parë, e cila do të luhet këtë të shtunë në ora 17:00 kundër ekipit Zeta, do të ketë një karakter festiv. Ajo do të shërbejë si ndeshje ceremoniale, ku përveç përballjes sportive, do të mbahet edhe ceremonia e ndarjes së kupës për shpalljen kampione e Ligës së Dytë.

Klubi fton të gjithë qytetarët dhe dashamirësit e sportit të jenë pjesë e kësaj dite të veçantë për sportin e Ulqinit. Prania e tyre do të jetë një mbështetje e çmuar për këta djem që me përkushtim dhe zemër e kanë arritur këtë sukses me shume vlera.

By admini

Leave a Reply