80-vjetori i Masakrës së Tivarit(1945-2025)

Në vendet më traditë demokratike me rastin e datave jubilare qeveritë përkatëse formojnë komisione të veçanta për shënimin e ngjarjeve historike. Pikërisht diçka e tillë është pritur të ndodhë me rastin e 80-vjetorit të Masakrës së Tivarit(1 prill 1945), por mungoi angazhimi konkret si nga Kosova dhe Shqipëria, sepse ka qenë e udhës që qeveritë jo veç e veç por së bashku të shënojnë këtë jubile, por siç duket  në mungesë të koordinimit dhe të agjendave  tjera qeveritare, ky jubile mbeti në heshtje, që nuk mund të arsyetohet, sepse ngjarjet e tilla  janë obligim i institucionëve shtetërore

Nga Nail  Draga

Për Masakrën e Tivarit, pas vitit 1990 janë botuar studime dhe botime të veçanta nga autor të ndryshëm shqiptarë duke i ofruar opinionit të gjerë të dhëna për të parën herë për një ngjarje tragjike e cila ishte ideuar e realizuar sipas skenarit të ushtrisë jugosllave. Por pa përgjegjësi nuk është as pushteti në Shqipëri, sepse kolonat e kosovarëve në rrugëtimin e tyre për në Tivar, kanë kaluar nëpër territorin e Shqipërisë, të përcjellur me roje të ushtrisë jugosllave. Dhe pikërisht me 1 prill 1945, ata u masakruan në Tivar  te Monopoli i duhanit, ku janë vrarë qindra shqiptarë të Kosovës. Të dhënat numërike janë të ndryshme  varësisht prej burimeve, që janë nga disa qindra(454 indvidë) e deri mbi njëmijë. Por, deri sa nuk do të hapën dosjet e arkivave ushtarake e të UDB-ës jugosllave nuk do të kemi të dhëna definitive për numrin e të masakruarve  shqiptarë në Tivar. Por, është e pakontestueshme se   ata u likuiduan, vetëm se ishin shqiptarë, me qellim të spastrimit etnik te Kosovës, që ishte strategjia e politikës jugosllave të kohës.

Tryezë shkencore në Prishtinë

Më rastin e 80-vjetorit të Masakrës së Tivarit(1945-2025), është pritur që si në Kosovë e Shqipëri ky përvjetor të shënohet me ndonjë veprimtari të veçantë,  apo të përbashkët të dy qeverive, por si  në të kaluarën edhe ky përvjetor kaloj në heshtje, që nuk mund të arsyetohet më asgjë.

Por, ate që nuk e bënë qeveritë si në Kosovë e Shqipëri për të parën herë në organizim të Institutit Albanologjik në Prishtinë me 3 prill është mbajtur  Tryeza Shkencore ”Masakrat ndaj shqiptarëve  në ish-Jugosllavi 1944-1945(me rastin e 80-vjetorittë Maskrës së Tivarit të vitit 1945)”.

Ishte ky organizimi i parë kushtuar kësaj ngjarje historike në pluralizëm, ku referuesit  nga Kosova, Maqedonia e Veriut e Shqipëria me kumtesat e tyre  ofruan të dhëna me interes për masakrat kundër shqiptarëve në përgjithësi e ajo e Tivarit në veçanti. 

Konferenca e parë në Ulqin

Cekim me këtë rast se nga data 30-31 mars 2013, në Ulqin në organizim të KKSH, është mbajtur konferenca shkencore “Masakra e Tivarit 1945”, ku me kumtesa kanë marrë pjesë studiues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Mali Zi (të cilat ende nuk janë botuar) ku për të parën herë është trajtuar çështja e kësaj ngjarje tragjike e shqiptarëve nga Kosova. Ishte ky një takim i veçantë, sepse pjesëmarrësit me 31 mars kanë shkuar në vendin e krimit në Tivar, ku për të parën herë  në nderim të viktimave është vendosur kurora me lule.Po ashtu lule janë vendosur edhe më pas në vitin 2015 dhe 2025, por ende mungon pllaka apo monumenti përkujtimor i shkruar në tri gjuhë,  si referim për të gjithë ata që duan ta vizitojnë vendin e krimit.

Presidentin nuk ka kush ta këshillojë

Pasi nga data 9-11 shkurt në vizitë zyrtare në Mal të Zi, ishte presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Bajram Begaj, në takimin e zhvilluar me homologun malazias Jakov Milatoviq,  sipas mediave janë diskutuar çështje me rëndësi të bashkëpunimit të dy vendëve. Por, në këtë takim me 10 shkurt në Podgoricë presidenti J.Milatoviq, njoftoj se i është kërkuar presidentit Begaj, që në vendin ku kanë humbur jetën në det në afërsi të Shën Gjinit një numër i konsideruar malazezësh  më 6 janar të vitit 1916, në nderim të tyre të vendoset një pllakë përkujtimore, e cila nga presidenti Begaj është pranuar më kënaqësi.

Një qendrim i tillë nga presidenti Begaj, është për respekt, por ai është dashur që në këtë takim të inicojë, në mënyrë analoge që në nderim të vrarëve në Masakrën e Tivarit(1 prill 1945), aty të vendoset një pllakë përkujtimore. Por, reagimi i munguar lënë për të kuptuar, së ai nuk ka qenë i informuar personalisht apo nga këshilltarët e tij, duke hapur dilema tjera, që kanë të bëjnë me këtë tragjedi të shqiptarëve nga Kosova në fund të Luftës së Dytë Botërore. Por, shpresoj së një lëshim i tillë, ka mundësi të përmirësohet, sepse deri në vitin tjetër ekziston mundësia të evitohet ky lëshim, sepse të vendi i krimit të monopoli i duhanit në Tivar, duhet të vendoset më së pakut  pllaka përkujtimore, si dëshmi e simbolit të kujtesës për këtë ngjarje tragjike.

Përfundim

Përkujtimi i ngjarjeve historike si në nivel lokal e ate kombëtar, përkatësisht shtetëror, paraqet moment reflektimi për qytetarët  e mjedisit përkatës ku kontributin e tyre e japin individët, shoqëria civile e sidomos institucionet përkatëse lokale apo ato shtetërore. Por, në këtë aspekt  përjashtim bëjnë vendet e pakonsoliduara të cilat nuk janë të përkushtuara  ndaj ngjarjeve të tilla ku si rast tipik kemi  Masakrën e Tivarit(1 prill 1945),   e cila  edhe tash në pluralizëm  është margjinalizuar nga institucionet qeveritare  te Shqipërisë dhe te Kosovës  veprim që nuk mund të arsyetohet më asgjë sepse shënimi apo  përkujtimi i ngjarjeve të tilla historike është obligim moral, kombëtar, qytetar e institucional  si kudo  në vendet  demokratike.

(Prill 2025)

By admini