Kryetari i Komunës së Ulqinit i bën thirrje deputetëve që të respektojnë vullnetin e qytetarëve

Ulqin, 17 prill 2025 – Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i është drejtuar me një shkresë zyrtare të gjithë deputeteve të Kuvendit të Malit të Zi, duke ju drejtuar kryetarëve të grupeve parlamentare, duke kërkuar që të mos përkrahin propozimin për ndryshimin e rendit të ditës në seancën e tretë të rregullt pranverore të Kuvendit të Malit të Zi që mbahet sot, më 17 prill 2025, shkruan Ulqini Online.

Në letrën e tij, kryetari Nimanbegu thekson se propozimet për ndryshimin e rendit të ditës nuk janë në përputhje me qëndrimet e Komunës së Ulqinit, të cilat janë miratuar në mënyrë unanime nga Kuvendi Komunal. Ai rikujton se Kuvendi i Ulqinit ka miratuar dy konkluzione të rëndësishme: nr. 02-016/25-110/3 të datës 21 mars 2025 dhe nr. 02-016/25-124-2 të datës 27 mars 2025, të cilat pasqyrojnë qartë vullnetin e qytetarëve të kësaj komune lidhur me çështjen në fjalë, që mbetet ende e panjohur për publikun në detaje, por që mesa duket ka rëndësi të veçantë për komunitetin lokal.

“Ju bëj thirrje që, si përfaqësues të zgjedhur dhe si vendimmarrës përgjegjës, të votoni kundër këtyre propozimeve në rast se përfshihen në rendin e ditës,” thuhet në letrën e Kryetarit të Komunës së Ulqinit.

Ai gjithashtu paralajmëron se çdo qëndrim që bie ndesh me vendimet dhe qëndrimin e Komunës së Ulqinit do të konsiderohet si një mosrespektim i vullnetit të qytetarëve të saj.

Kjo ndërhyrje e drejtpërdrejtë nga një autoritet lokal tregon për rëndësinë që çështja ka për qytetarët e Ulqinit dhe përpjekjet e pushtetit lokal për të siguruar që zëri i tyre të dëgjohet në institucionet më të larta të vendit.

By admini