Gjekë Gjonaj
Themi se njerëzit vdesin vetëm atëherë kur ne i harrojmë ata! Kështu edhe këngëtari dhe kantautori i njohur shqiptar nga Hoti i Malësisë së Madhe, Lindon Camaj , nuk është më me ne , por do të mbesë gjithmonë i paharrueshëm. Tashmë u bë një vit që nga koha kur ai vdiq në moshën 45 vjeçare mbrëmjen e 12 gushtit të vitit 2023 pas një sëmundje të rëndë në Shtete të Bashkuara të Amerikës. Vdekja e tij e parakohshme tronditi kolegët e tij artistë të mbarë shqiptarisë, por edhe fansat e këngëtarit, e sidomos familjarët dhe miqtë. Edhe pse nuk është më me ne fizikisht do të mbetet përjetësisht i gjallë me zërin dhe këngën e tij. Si njeri Lindoni ishte i thjeshtë, i dashur, vlerësues përkundrejt kolegëve dhe kolegeve të tij artistë , të cilët i respektonte.
Karriera artistike
Lindon Camaj shkëlqeu që në moshë të re duke u bërë një nga zërat mjaft të nj0hur dhe të dashur të shqiptarëve në Mal të Zi, në Kosovë, në Shqipëri dhe mërgim.
Pa asnjë mëdyshje mund të them se Lindoni bën pjesë në mesin e këngëtarëve shqiptarë më të pëlqyer në të gjitha trojet shqiptare. Repertori i tij është mjaft i pasur, madje i larmishëm, që mund t’ia kishte zili çdo këngëtar. Larmia e këngëve të tij, zëri melodik, tematika e zgjedhur, dhe interpretimi e lartësojnë Lindonin dhe e bëjnë atë një këngëtar të preferuar dhe të dashur. Ashtu si natyra dhe freskia e maleve, bukuria, madhështia, ajri dhe freskia e trevës nga ai ka origjinën, na vjen dhe kënga e tij e bukur, e pastër, kumbuese, dhe e veçantë në llojin e saj.
Gjatë karrierës së tij të pasur artistike ngjalli te shqiptarët ndjenjën e shpresës për një të ardhme të tyre të ndritur. Këtë vlerë artistike e dinë shumë mirë shqiptarët kudo që ndodhen. Por ata dinë më shumë se kaq. Dinë që Lindon Camaj është një birë i denjë i popullit të vet, që kudo dhe kurdoherë kishte në zemër e në mendje Shqipërinë dhe shqiptarët. E kjo është mjaft për ta. Prandaj ai meriton dhe gëzon respektin, nderimin, mirënjohjen, dashurinë dhe ngrohtësinë e shqiptarëve.
Në rrugëtimin e tij të shkurtër artistik numërohen të realizuara dhjetëra këngë, disa prej të cilave janë kthyer në hite. Suksesi më i madh i tij padyshim është bashkëpunimi me këngëtarin e mirënjohur nga Kosova, Naim Abazi me të cilin shkëlqeu në Festivalin e 38-të në Radio Televizionin Shqiptar, në dhjetor të vitit 1999 me këngën “Kujtimi që më vret”. Lindoni u bë i njohur dhe i dashur edhe me këngën me një mesazh të fortë për paqe dhe falje me titull “Krushqit e pajtimit”, përmes së cilës u bëri një thirrje të gjithë shqiptarëve që ti japin fund gjakmarrjes. Përveç këtyre hiteve veçojmë edhe këngët “Moj shkodrane”, “Buzët e tua”, “Maturantët”, ‘”Vasha të bukura”, “Misi shqiptar”,” Ktheju bir”, “ Amerika”, “ Xhamadani” , “ Si i thonë kësaj dashurie”, “ Kur të vdes”, “ Dua” , “Rrugët e kurbetit”, “ Ti më vrave”, “ Pa kufi”, “ Korbat e zi”…
I vetëdijshëm se dëgjuesit donin shumë e më shumë, sesa vetëm interpretimin mekanik të këngës, Lindon Camaj mobilizonte fuqinë e brendshme krijuese dhe shpirtërore, mbante në lidhje dëgjuesin me këngën, të cilën kurdoherë dhe në çdo rast e ka kënduar me emocion dhe dashuri të veçantë. Krahas vlerave artistike si këngëtar, dalin në pah dhe vlerat patriotike dhe atdhetare të Lindonit , si shqiptar.
Vlerësimi më i mirë për të është ai i publikut. Është mirëpritur vazhdimisht prej tij, është duartrokitur gjatë, është kthyer shumë herë në skenë, është admiruar prej tyre, jua ka ngritur zemrat peshë, dhe u admirua nga bashkëkombësit e vet. Ishte ndër ata këngëtarë shqiptarë i cili futej thellë në këngë, e dashuronte atë dhe e ndiente me shpirt. Si këngëtar me shije të veçantë për ta nuhatur disponimin e publikut, ai ishte kurdoherë me të, duke i dhënë shumë e më shumë, duke krijuar atmosferë gëzimi e hareje.
Këngëtari dhe krijuesi i njohur i Malësisë së Madhe dhe përgjithësisht i trojeve shqiptare, Lindon Camaj , ka kënduar solo, por edhe në duet edhe me këngëtarë të tjerë shqiptarë dhe vazhdimisht është shquar për origjinalitetin e tij në këndim, për një stil të veçantë dhe kurdoherë i disponuar , me një këndim të nivelit të lartë dhe mjaft të pëlqyer nga dashamirët e këndës shqiptare. Ky artist malësor çdoherë ka ditur të zgjedhë edhe bashkëpunëtorë të mirë siç janë: Ilir Berani, Edmond Zhulali si dhe shumë kompozitorë të njohur shqiptarë për të sjellë këngë të bukura dhe cilësore.
Përjetësimi në film
Familja e Lindon Camajt u kujdes që jeta dhe vepra e tij të përjetësohen në një film dokumentar me titull “ Ty Malcia t’ka në zemër ” me skenar të Ramazan Çekës “ Mjeshtër i Madh”, regji të “ Engjell Ndocaj “ Mjeshtër i Madh” dhe producent Peti Camaj, i cili u promovua në Vitojë , me 8 gusht 2024, ku morën pjesë qindra malësorë, personalitete të larta të artit e të kulturës, përfaqësues të institucioneve vendore, e qendrore aktivistë e artistë, kolegë e bashkëpunëtorë të Lindonit, gazetarë të mediave kombëtare e lokale, të cilët me pjesëmarrjen e tyre dëshmuan edhe njëherë respektin dhe mirënjohjen ndaj këngëtarit dhe familjes së tij.
Mirënjohjet
Në nder dhe përkujtim të këngëtarit Lindon Camaj, Bashkia Malësia e Madhe, i ka akorduar titullin “Qytetar Nderi”. Po ashtu është nderuar me mirënjohje ( pas vdekjes) nga përfaqësues të organizatave më të njohura në Malësi e më gjerë, si “Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare”, Shoqata Atdhetare “Malësia”, Shoqata “Jehona e Malësisë” në Detroit, dhe Shoqata Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”.
Këngëtarë të tillë si Lindoni i bëjnë nder Hotit, Malësisë së Madhe dhe gjithë shqiptarisë.
Pushoftë në paqe shpirti i tij fisnik e atdhetar! ( Koha Javore)