Diskursi politik

Ndonëse kemi të bëjmë me një vend të vogël për nga sipërfaqja e numri i banorëve  Mali i  Zi veçohet me   numër të madh të partive politike(51) qe marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare e ato lokale si të vetme apo përmes koalicionëve, që është dëshmi se marrja me politike paraqet mundësi për  përfitime si për individët dhe grupet e ndryshme të interesit, dukuri e cila është e pranishme kudo në vendet e ish kampit socialist, ku as Mali i Zi nuk paraqet përjashtim

Nail  Draga

Me përjashtime të veçanta, nuk kemi të bëjmë me subjekte politike të cilat angazhohen për përmirësimin e kushtëve shoqërore të qytetarëve, por përfitojnë individët dhe klanët e tyre nga del qartë se partitë politike nuk veçohen  me programet e tyre  dhe me përfaqësim me kuadra të dëshmuara ku vlerësohen vlerat dhe meritokracia, por e kundërta andaj nuk duhet të na befasojnë deformimet shoqërore.

Partitë politike-grupe të interesit

Në zgjedhjet parlamentare të cilat u mbajtën vitin e kaluar të drejtë vote kanë pasur  543.599 votues,  ndërsa sipas regjistrit të partive politike në vitin 2023, në Mal të Zi ishin 51 parti politike. Nga një e dhënë e tillë del së përafërsisht kemi një parti politike në 10.000 votues. Në ato zgjedhje kemi pasur 15 lista zgjedhore, ndër 9 prej tyre kanë fituar mandate të deputeteve.

Nuk ka dilemë se Mali i Zi si vend i vogël me sipërfaqe dhe numër të banorëve veçohet me numër të lartë të partive politike, madje kjo sasi nuk ofron ndonjë cilësi të ofertës për qytetarët, sepse të gjithë jemi dëshmitarë se një veprimtari e tillë është për interesa personale apo të grupeve të ndryshme të interesit.

Politika si mundësi për përfitime

Skenës politike si në nivel lokal e ate shtetëror i janë bashkangjitur edhe partite politike të popujve pakicë(shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve).Një dukuri e tillë ka pasojat e saja sepse qytetarët në shumë raste kanë shprehur paknaqësi, sepse nuk kemi të bëjmë me programet e partive politike por me individët të cilët politikën e kanë si mbulesë për të realizuar përfitimet material e shoqërore.

Një numër i lartë i partive politike del qartë se nuk  kemi të bëjmë me profilizimin e tyre programor  apo ate ideologjik,  sepse në rend të pare janë individët  dhe grupet e interesit që është dëshmi se nuk kemi sistem politik të konsoliduar  si në aspektin lokal dhe ate shtetëror.

Numër i madh i partive politike në zgjedhjet lokale

Opinioni është i informuar se zgjedhjet lokale të parakohshme  do të mbahen në dy komuna; Budva me 26 maj ndërsa në  Andrijevicë me 2 qershor  Por, e veçanta e tyre zgjedhjeve është se do të marrin pjesë numër shumë i madh i partive politike, që për njohësit e rrethanave nuk paraqet ndonjë befasi, sepse politika ofron mundësi të përfitimeve të ndryshme.

Kështu për zgjedhjet lokale në Budva ku janë të regjistruar 19.042 votues   janë paraqitur të marrin pjesë 9 lista zgjedhore me nga 19 parti politike dhe grupe të qytetarëve. Ndërsa në Andrijevicë me 3.831 votues marrin pjesë 7 lista zgjodhore me 12 parti politike.

Duke marrë parasysh se Budva paraqet  qytetin me investime të mëdha si më parë edhe tash nuk është për tu çuditur interesimi  për të gjitha partite politike  për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në këtë qytet. Por, se politika është bërë biznes dëshmon edhe numri i lartë  partive politike qe do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Andrijevicë, sepse të gjitha partite dëshirojnë të përfitojnë nga ndarja e pushtetit lokal në këtë komunë.

Në këtë aspekt, nuk mund  të përjashtohen edhe shqiptarët të cilët ndonëse me numër të vogël votuesish, veçohen me numlr të madh të partive politike, që dëshmohet  sin ë zgjedhjet locale e parlamentare.Përveç partive politike  në pjesëmarrje në skenën politike janë paraqitur edhe grupet e qytetarëve, ku një mundësi të tillë iu ka ofruar ligji zgjedhor.

Reforma zgjedhore nuk iu intereson partive politike

Paraqitja e disa partive politike në zgjedhje vetëm për të përfituar materialisht nuk është dukuri e panjohur, sepse buxheti atyre iu siguron mjete të konsiderueshme financiare.  Pra, kemi të bëjmë me një motiv i cili është konstant në të gjitha zgjedhjet dhe një motiv i tillë do të vazhdojë gjithnjë deri sa te vendoset ndryshe ne reformën zgjedhore.

Por, reforma zgjedhore si obligim i partive politike është bërë monotone për qytetarët, sepse ajo cekët vazhdimisht ne çdo përbërje te re parlamentare, por realisht nuk është punuar  asgjë  edhe pse janë formuar këshilla dhe grupe punuese por për të pasur avancim në këtë çështje  mungon vullneti politik i partive politike.

Për të eliminuar deformimet zgjedhore duhet të miratohet reforma zgjedhore siç e kanë vendet demokratike evropiane. Këtu kryesisht mendojmë për zgjedhjet  me lista të hapura, për të ia mundlsuar qytetarit të votojë për kandidatin e preferuar dhe jo si deri tash duke votuar subjektin politik. Ky do të ishte hapi i parë demokratik, duke inauguruar demokracinë direkte qe është në favor të demokracisë pluraliste. Me një veprim të tillë do të eliminohej monopoli i partisë politike.

Listat e hapura eliminojnë shtetin partiak

Kujtojmë me këtë rast se ligji për zgjedhjen e këshilltarëve dhe të deputetëve është miratuar në vitin 1998, e deri më tash është ndryshuar 17 herë, por në lidhje me te çdo shumicë e re parlamentare vazhdimisht formon grupin punues për reformën zgjedhore, por pa rezultate konkrete. Edhe pse në lidhje me këtë çështje nga ana e OSBE-s ka rekomandime të vazhdueshme për reformë zgjedhore bllokues janë partitë politike.  Ne këtë aspekt si model mund të jenë disa vende siç janë Finlanda,Suedia,Belgjika, Austria, Holanda, Zvicra, Italia etj. Por, për  Malin e Zi, model mund të jetë edhe Kosova. Fillimisht, ky model do të përdorej në zgjedhjet lokale e më pas në ato parlamentare.

Por për t´u  realizuar  ndryshimi i sistemit zgjedhor iniciativa duhet të mbeshtetet nga 2/3 e deputetëve në parlament përkatësisht të ndryshohet Ligji për zgjedhjen e këshilltarëve dhe të deputetëve, në të kundërtën çdo gjë do vazhdojë si deri më tash jo me shtetin .qytetar por ate partiak.

(Maj 2024)

 

By admini