Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, ka vizituar ekspozitën retrospektivë “Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokaj”, të hapur më 15 maj, në nder të 90-vjetorit të lindjes së artistit të madh që bashkon Malin e Zi dhe Kosovën dhe 18-vjetorit të pavarësisë së Malit Zi.    

Kryeministri Albin Kurti i kushtoi vëmendje çdo punimi duke u shprehur se nuk është e rastësishme që Gjelosh Gjokaj quhet babai i grafikës në Kosovë.
Kurti shtoi se Gjeloshi është shembull brenda dhe jashtë profilit të tij, dhe se veprat, estetika e tij janë frymëzim për gjeneratat e sotme dhe ato të së ardhmes.

Në profilin e tij në Instagram, kryeministri Albin Kurti i ftoi artdashësit që ta vizitojnë ekspozitën kushtuar maestros Gjokaj. “Për të gjithë ata që duan ta shohin madhështinë e teknikës së grafikës edhe të formave tjera në korridoret e mendjes së Gjelosh Gjokaj, ju ftoi ta vizitoni këtë ekspozitë në Galerinë Kombëtare”.

Ekspozita e fundit e maestros Gjelosh Gjokaj në Mal të Zi ishte pikërisht më 15 maj, në nder të atëherë 10-vjetorit të pavarësisë së Malit Zi.

Kryeministrin Albin Kurtin e kanë shoqëruar përfaqësuesit e Ambasadës së Malit të Zi në Prishtinë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrullah Çeku, drejtori i Teatrit Kombëtar të Malit Zi, z. Ilija Subotiq, drejtoresha e Festivalit Internacional të Teatrit Alternativ – FIAT, znj. Ana Vukotiq, sopranoja Milica Llallosheviq, pianistja dhe intelektualja nga Ulqini Iliriana Gjoni, zëvendësministri nga komuniteti malazias në Qeverinë e Kosovës, z. Llazar Radulloviq, piktorja e mirënjohur Zake Prelvukaj, dhe drejtoresha e Galerisë Kombëtare Alisa Gojani-Berisha.

By admini