Kuvendi i Komunës së Ulqinit në mbledhjen e mbajtur në orët e para të ditës së enjte zgjodhi për kryetar të Komunës së Ulqinit z. Genci Nimanbegu nga radhët e Forcës së Re Demokratike.
Për Nimanbegun kryetar të Komunës së Ulqinit votuan 20 këshilltarë të kuvendit, shkruan Ulqini Online.
Pak minuta më heret Kuvendi i Ulqinit shkarkoi nga pozita e kryetarit z. Omer Bajraktari nga LQ URA.
Shumicën e re parlamentare në Ulqin do ta përbëjnë Partisë Demokratike (PD), Forca, Partia Demokratike e Socialistëve, Socialdemokratët, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Partia Socialdemokrate dhe Partia Boshnjake.
Nga ana tjetër në opozitë, përveç Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH) dhe Demokratëve, të cilët nuk ishin pjesë e qeverisë as në dy vitet e mëparshme, do të jenë kolegët e tyre nga Lëvizja Qytetare URA dhe Alternativa Shqiptare.
Biografi e shkurtë e Genci Nimanbegut, kryetarit të ri të Komunës së Ulqinit
Genci Nimanbegu lindi më 6 shtator 1971 në Ulqin. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Ulqin, ndërsa arsimin e lartë e filloi në Fakultetin Ekonomik në Dubrovnik, por për shkak të luftës në ish-Jugosllavi, e vazhdoi në Fakultetin Ekonomik në Podgoricë, ku dhe diplomoi.
Nimanbegur me një grup intelektualësh shqiptarë nga Ulqini, në vitin 2005, mori pjesë në krijimin e partisë shqiptare Forca e Re Demokratike (Forca) dhe u zgjodh nënkryetar i saj. Më 30 tetot 2021, zgjidhet kryetar i partisë Forca. Nimanbegu është deputet në Kuvendin e Malit të Zi që nga viti 2009. Në vitet 2016–2020, ishte nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi. Ai u zgjodh kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi në vitin 2013, detyrë që e mbajti deri në vitin 2018.