Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mbajti sot seancën konstitutive në të cilën për kryetar të Kuvendit u zgjodh Afrim Gashi, raporton Anadolu.

Gashi u zgjodh në krye të legjislativit me 76 vota pro dhe 6 kundër, ndërsa pjesa tjetër e gjithsej 120 deputetëve nuk morën pjesë në votim.

Seancën e hapi deputetja më e moshuar e përbërjes së re parlamentare, Merita Kollçi-Koxhaxhiku, ndërsa Kuvendi fillimisht votoi dhe i verifikoi mandatet e 118 deputetëve.

Deputeti i zgjedhur, Bilall Kasami, kishte dorëzuar deklaratë me të cilën kërkonte të mos i verifikohej mandati i deputetit, duke mbajtur postin e kryetarit të komunës së Tetovës.

Ndërkohë, një deputet akoma nuk është konstatuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për shkak të procedurave që vijojnë pas rivotimit të mbajtur në disa vendvotime më 22 maj.

Votimit të kryetarit të Kuvendit i parapriu debat në të cilën më të zëshëm ishin deputetët e partisë opozitare E Majta (Levica), të cilët akuzuan VMRO-DPMNE-në se “është dorëzuar” para kërkesave të partive shqiptare. Ndërkohë, deputetët e “Frontit Evropian” të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim lëshuan sallën para se të bëhej votimi për kryetar të Kuvendit.

Pasi bëri betimin solemn, Gashi mbajti fjalim para deputetëve, në të cilin u zotua që do të angazhohet që asnjë deputet të mos ndjehet i papërfaqësuar apo i diskriminuar.

Ai bëri thirrje në bashkim, duke theksuar se temë e debateve nuk duhet të jenë çështjet që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe historinë.

“Nga ne kërkohet të japim zgjidhje për të ardhmen, e jo shpjegime për të kaluarën. Nëse nuk e bëjmë këtë, por vazhdojmë të krekosemi ose akuzohemi për të kaluarën, kjo nuk u bën asnjë dobi qytetarëve tanë. Kjo është arsyeja që t’ju ftoj të gjithëve që të bashkohemi në vijat e përgjithshme të interesit të qytetarëve, siç është integrimi në BE, mirëqenia ekonomike, shteti i së drejtës, reformimi i arsimit barazia mes komuniteteve, mbrojtja e famijles dhe mbrojtja e mjedisit”, tha Gashi.

Biografia

Afrim Gashi është kryetar i partisë Alternativa, e cila në zgjedhjet parlamentare ishte pjesë e koalicionin VLEN. Ai u zgjodh kryetar i me votat e partive që ishin në opozitë në mandatin e kaluar, por të cilat tani përbëjnë shumicën e re parlamentare. Këto janë VMRO-DPMNE e cila fitoi 58 mandate, koalicioni VLEN që fitoi 14 mandate dhe “Znam” që fitoi 6 mandate, parti të cilat janë në bisedime për të formuar qeverinë e ardhshme.

Gashi është lindur në vitin 1977 në Shkup, ku ka kryer shkollën fillore dhe të mesme. Ka mbaruar fakultetin juridik në Universitetin e Tetovës, ndërsa është angazhuar si redaktor dhe publicist në gazeta, revista dhe shtëpi botuese.

Ai është inkuadruar aktivisht në politikë në vitin 2014 si pjesë e Lëvizjes BESA. Ka shërbyer dy mandate si deputet në vitet 2016-2024.

By admini