xheladin zeneli

Nga Xheladin Zeneli

Ditë më parë u bë e njohur për publikun përbërja e qeverisë së re të Serbisë, duke u paralajmëruar emërimi i anëtarëve  të kësaj qeverie e cila përfshin disa persona ultra nacionalist serb, idhtarë të Rusisë së Putinit të cilët promovojnë politikat ekspanzioniste serbomadhe dhe pro-ruse në rajon , dy prej të cilëve, Aleksandër Vulin dhe Nenad Popoviq, për shkak të lidhjeve me Rusinë, janë në “listën e zezë” të SHBA-ve.

Kjo duhet  të jetë këmbanë e fortë  alarmi për Bashkimin Europian ,SHBA-të  dhe botën përendimore si një mesazh shumë i qartë ndaj tyre se Serbia nuk ka ndërmend jo vetëm që të ndërroj orientimin e vet pro-rus por njëkohësisht po angazhohet edhe më shumë në përforcimin e marrëdhënieve me Kremlin-in.

Është kjo Serbi e cila posaçërisht nga koha e fillimit të agresionit ushatarak të Rusisë në Ukrainë, ka pasur statusin e një vendi të përkdhelur nga BE dhe Përendimi, me qëllim që ajo të largohet apo të distancohet nga ndikimi rus. Kjo deri më tani nuk ka funksionuar, bile kjo politikë ka pasur efekte të kundërta, pasi që Beogradi zyrtar dhe presidenti Vuçiq janë bërë më agresiv ndaj vendeve të saj fqinje, sidomos ndaj Kosovës.Në anën tjetër, në mënyrë paradoksale, është Kosova ajo e cila vazhdon të jetë nën masat ndëshkuese të BE-së për arsye absurde.

Kosova- vendi i vijës  së parë të frontit kundër ndikimit rus në Ballkanin Përendimor

Përendimi dhe Bashkimi Europian duhet medeomos t’a ndryshojnë politikën aktuale të tyre deri sa nuk është vonë, duke filluar me trajtimin e  Serbisë si aleat i Rusisë çka nënkupton  zbatimin e një politike ndëshkuese ndaj saj, kurse Kosovën ta trajtojnë si aleat i saj i vertetë dhe si vend i cili po e dëshmon vazhdimisht se është në vijën e parë të frontit kundër ndikimit rus në Ballkanin Përendimor. Që Kosova është në vijën e parë të këtij fronti, e vertetoj dështimi i sulmit terrorist në Banjskë në  Shtatorin e vitit të kaluar, me ç’rast grupi i armatosur paramilitar i Radojçiq-it i organizuar nga Aleksandër Vuçiq-i dhe me mbështetjen logjistike të Rusisë, të cilët tentuan të aneksojnë një pjesë të veriut të Kosovës, u zbrapsën nga forcat speciale të policisë së Kosovës. Pra dështimi i Serbisë në Banjskë ishte edhe dështimi i Rusisë.

Agresioni i Rusisë  në Ukrainë ka nxjerë  në sipërfaqe shumë gjëra, por çka është më e rëndësishme është ajo se  diktatori i Kremlin-it, Vladimir Putin, përveç Bellarusisë, ka edhe një mik dhe përkrahës tjetër në Europë dhe kjo është Serbia e Aleksandër Vuçiq-it.

Derisa Përendimi nuk përqendrohet në deputinizimin dhe në demillosheviqizimin e Serbisë, ky shtet, pra Serbia  do të vazhdojnë të jetë kërcnim i paqës dhe stabilitetit në Ballkan dhe nxitësi kryesor i një lufte të mundshme të re në rajon.

By admini