OJQ Horizonti i Ri këto ditë po realizon projektin me titull “Edukimi mbi vlerat identitare”, i cili tubon të rinjtë e shkollave të mesme nga Plava e Gucia, Ulqini e Malësia për ndjekur një program të veçantë të edukimit joformal. Në fokus të këtij programi është edhe kampi edukativ për të drejtat e njeriut, liritë dhe përgjegjësitë e popujve pakicë. Në pjesën teorike të programit, nxënësit u njohën me konceptin e identitetit, sfidat në ruajtjen e vlerave identitare për të rinjtë shqiptarë në Malin e Zi, paragjykimet dhe stereotipet që lidhen me këtë koncept. Ligjërues në këtë program ishte gazetari Ismet Kallaba, kurse trajnere e sesionit Sabra Deceviq.
Përveç sesioneve trajnuese, vijuesit e këtij projekti realizuan edhe vizita studimore në institucionet arsimore dhe kulturore si dhe të monumenteve të trashëgimisë kulturore të qytetit të Ulqinit. Në këtë kuadër, të rinjtë pjesëmarrës vizituan Bibliotekën e Ulqinit, respektivisht Këndin për të Rinj, ku u pritën nga udhëheqësja e këtij institucioni znj. Ardita Rama.
Në vazhdim të këtyre vizitave, një pritje e veçantë këtyre të rinjve iu rezervua në Librarinë Ulqini nga kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi z. Faik Nika dhe drejtoresha e këtij institucioni znjsh. Arlinda Osmani. Kampi edukativ i të rinjve shqiptarë u finalizua me vizitën e kompleksit muzeor në Kalanë e Ulqinit, të shoqëruar nga udhëheqësi i këtij kompleksi z. Gazmend Kovaçi.
Qëllimi specifik i këtij projekti është të ndërtojë dhe forcojë kompetencat e të rinjve shqiptarë për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të tyre kombëtare, kulturore dhe të tjera identitare, si dhe të rrisë aftësinë e tyre për të qenë promotorë të antidiskriminimit dhe uljes së distancës etnike. në Mal të Zi.
Projekti realizohet me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.