Nga Hajrullah Hajdari
Mësimet e para në gjuhën shqipe shumica e shqiptarëve në Mal të Zi i morën në Kosovë. Para se filluan të ndjekin shkollat shqipe në Kosovë, ishin të paktë ata nxënës, por as të rriturit,që dinin diçka më shumë për historinë e letërsin shqiptare, për simbolet, vetëdijen dhe identitetin kombëtar. Me shkeljen në tokën e Kosovës filluam të lexojmë vjersha, romane e drama në gjuhën shqipe nga autoret shqiptarë. Ne dinim shumë pak për Isa Boletinin, Bajram Currin, Azem Bejtën apo Hasan Prishtinën, Fan Nolin e Gjergj Fishten. Në Kosovë mësuam për format dhe dukjen e flamurit kombëtar për domëthënien e fjalës identitet kombëtar. Këtu filluam të ndihemi të lirë, flisnim shqip kudo. Për këto arsye e shumë të tjera Kosova për shqiptarët në Mal të Zi është më shumë se fjala “Kosovë”, vërtetë është djepi i arsimit, i vetëdijes kombëtare dhe lirisë shpirtërore.
Shqiptarët në Mal të Zi nuk e harruan kurr kontributin e Kosovës për nivelin arsimor, kulturor, për vetëdijen kombëtare… , përkundrazi me përulje i kujtojnë dhe i përcjellin ngjarjet që kanë ndodhur e po ndodhin atje. Ka shumë ngjarje që duhet kujtuar e sidomos ato ngjarje që kanë pasur ndikim edhe në jetën e shqiptarëve në Mal të Zi. Pa i radhitur sipas rëndësisë, vështrimin tim sot për këtë çështje po e paraqes në tri akte.
Akti i parë: Masakra e Tivarit 79 vjet më parë
Lufta e Dytë Botërore po numronte ditët e fundit të saj. Ishte një pranverë e ftoftë e vitit 1945. Ulqinakët,kranjanët e Anamalësit, por edhe malësorët e Tuzit tregun e bënin në Shkodër. Një ditë duke u kthyer për në shtëpitë e tyre, nga ura e Bunës vërejtën kolona të pafundshme njerëzish, të veshur keq, edhe zbathur ishin, dukëshin të mjeruar! Befasia më e madhe e tyre ishte se i dëgjonin këto të gjorë të flisnin shqip ndërsa përcillëshin nga malazezët e armatosur! Të merrte trishtimi duke i parë se si i grahshin përpara si kafshët. Dikush u tha: “Janë kosovarë”?! “Vallë, ku po i çojnë” pyeti njëri nga ata, duke mos ditur se po marrshojnë drejtë vdekjes! Për Kosovën dhe kosovarët kishin pak njohuri?! Ku i bie Kosova, shpërperitën në mes veti? Kaluan vetëm dy-tri ditë e në Ulqin, Anë të Malit e sidomos në Krajë u hap lajmi se në Tivar ushtria jugosllave kishte bërë kërdi mbi po ata njerëz të mobilizuar kosovarë të uritur, të paarmatosur e të pambrojtur nga askush, që ditë më parë i kishin parë në Shkodër. Flitej për 3000 kosovarë të pushkatuar! Heshtën, nuk guxonin të flisnin sepse mund t’i gjente e njëjta gjë! Madje edhe këtu kishte pas mobilizim të dhunshme, nderësa OZN-a kishte bërë burgosje e likuidime pa gjyq.
U mësua se kasaphanja e pamëshirshme kishte ndodhur në Monopolin e Duhanit në Tivar të Ri. Aty filloi ekzekutimi i pamëshirshëm i shqiptarëve. Njëri nga të përjetuarit e kësaj maskre, Azem Hajdini, autor i disa veprave për këtë masakër, kujton se “në të hyrë të oborrit ishin vendosur 10-15 ushtarë të cilët me shufra hekuri godisnin në kokë, gjoks apo në shpinë çdo njërin prej nesh… dhe nga këto goditje mbetën të shtrirë për vdekje rreth 100-150 veta. Por kjo nuk ishte e gjitha. Rreth orës 14, kosovarët u sulmuan nga të katër anët. Shtihej me të gjitha llojet e armëve të zjarrit si: me pushkë automatike, mitraloza, mortaja, bomba dore, revole e tjera. Oborri dhe sheshi u mbuluan me lumë gjaku që i ngjante një kataklizme të vërtetë, ndërsa ndërtesa u shndërrua në gërmadhë, me qindra kufoma shqiptarësh brenda saj”. Në momentin e sulmit Azem Hajdini kishte ndodhur mbrenda monopolit. Daljen nga ndërtesa në oborr ai përshkruan: “Me të dalur në oborr vërejtëm një skenë të llahtarshme para nesh, ku shtriheshin me mijëra të vrarë e të plagosur. Pamje trishtuese ofronin sidomos gjësendet e mprehura si bajonetat, shpatat, tërfurqit, shkopinjtë që kishin mbetur të ngulitur në gjoks, stomak apo gjymtyrë të tjerë të trupit. Në atë grumbull njerëzish të kryqëzuar si kubiku i druve një mbi një, nuk mund të dallohej se kush është kush, ku e ka kokën, e ku e ka këmbën apo trupin.Kishte shumë të plagosur të cilët qanin e bërtitnin: “vëlla ma jep një pikë ujë”, “ ma hiq sopatë, thikën, tërfurkun nga gjoksi”. Nuk ishin të rralla edhe lutjet “vëllazër, mos na lini në duar të këtyre xhelatëve”, “ na mytni ju”…!!
Disa nga kosovarët e ndodhur në vendin e tragjedisë, paten sukses të dilnin nga rrethimi i ushtrisë, të plagosur, të zbathur ia mësyn malit të Rumisë. Flitet se disa janë pushkatuar duke lëshuar Tivarin e disa i kanë strehuar familjet tivarase duke i shpëtuar nga pushkatimi i çetnikëve dhe ushtarëve që ishin lëshuar në ndjekje të tyre. Të tjerët, të plagosur e të rraskapitur, të uritur e të etur, vazhduan rrugëtimin e përgjakur nëpër malin shkëmbor të Rumisë, me shpresë së një ditë do të mbërrinin në Kosovë Për t’i pasqyruar vuajtjet e atyre që nëpër malet e Krajës kërkonin shpëtimin, zgjodha një fragment nga një intervistë e Nikolla Masoniçiqit, atëherë kryetar i Komandes të Vendit në Ostros. Duke përshkruar gjendje e të ikurve ai thotë: “Në mbrëmje, u ktheva nga Shkodra në Komandën e Vendit në Ostros. Të nesërmen, këshilltarët e Këshillit Vendorë në Krajë e kishin kapur një të ikur dhe e kishin sjellë në Komanden e Vendit. Ata po ashtu kishin lajmëruar se në Brisk ishin edhe dy të tjerë. Ky qe e kishin sjellë në Ostros ishte i zbathur, në një këmbë kishte një çorapë leshi të shqyer, të bërë copa-copë ndërsa këmbëzat e pantallonëve deri në gju të këputura, i parruar, i pakrehur, i frikësuar. Dukej si egersirë. Na shikonte neve thuajse priste vdekjen. E të tillë ka pasur shumë në territorin e rrethit të Tivarit” kishte thënë Masoniçiqi.
Çka u bë me këtë “egërsirë” nuk dihet saktësisht, por gjasat janë që e pushkatuan në vend. Sa ishte numri i të pushkatuarëve në masakrën e Tivarit nuk dihet saktësisht, autorë të ndryshëm japin numra të ndryshëm. Populli e di që u pashkatuan rreth 3000 veta. Po ashtu nuk dihet saktësisht pse kjo masakër ndaj shqiptarëve nga Kosova ndodhi bash në qytetin e vjetër shqiptar në Tivar!? Nuk dihet saktësisht edhe për faktin se shumë familje kranjane dhe anamalëse, përkundër frikës se mos po zbuloheshin, kanë strehuar e mjekuar shumë kosovarë të mjerë që ishin gjendur në vendin e masakrës të cilët pasi ishin aftësuar për ecje ishin nisur drejt Kosovës. A kanë mbërritur atje apo? Ka gjasa që kanë mbërritur por edhe gjasa që nuk i kanë dalë të këthehen kurr në shtëpitë e tyre. Po e përmendi një rast nga përjetimi i familjes time personale. Natën vonë kishin trokitur në derë të shtëpisë 4 njerëz të panjohur, të lodhur, gjysëm të zhveshur e zbathur, këmbët i kishin të gjakosura, kujtonte xhaxhai im Can Selimi. Kërkonin ndihmë, kërkonin shpëtim. Pa na thënë mirë se kush janë dhe çka duan e ditëm se janë kosovarët e shpëtuar nga masakra e Tivarit. I futëm në shtëpi. Tre prej tyre ishin të rraskapitur por nuk kishin plagë të rënda ndërsa njëri kishte disa plagë në këmbë e dorë, ndihej shumë keq. Pasi i ushqyem, u pastruan dhe u dhamë ca rroba për veshje, vëndosëm t’i strehojmë por në marrëveshje me ata vëndësëm që mos t’i mbajmë në shtëpi por t’i strhojmë në një vend të sigurtë, ku për çdo natë u çonim ushqimin, e mjekonim të plagosurin aq sa ne dinim, dhe nga një rrobë, të cilat edhe ne kishim me mungesë, shtonte Cani. Ndenjën tri javë e na kërkuan që pasi ishin aftësuar për ecje t’i kalojmë me lundër në anën tjetër të liqenit të Shkodrës, në Koplik, për të vazhduar rrugën për në Kosovë. I lutëm të rrinin edhe disa ditë, të pushojnë e i plagosuri të marrë veten pak më shumë, por instituan dhe ne i kaluam në Koplik. Në ndarja na premtuan se nëse mbërrijnë shendosh e mirë do të gjejnë mënyrën të na lajmërojnë për mbërrijtjen e tyre, madje i plagusori na tha se kur të qetësohet situata do të vijë së bashku me babaanë e tyre për të na vizituar e falanderuar. Për kundër premtimit ata nuk u lajmëruan kurrë, për fatin e tyre nuk dimë asgjë, shpjegonte Can Selimi. Gjithësesi, gjasat janë të mëdha që ata janë pushkatuar diku maleve të Shqipërisë! Shumë familje shqiptare në Mal të Zi i hapën dyert e shtëpiave të tyre, duke rrezikuar zbulimin dhe dënimin e tyre, strehuan e shëruan shumë të plagosur kosovarë, “gjaku nuk bëhet ujë” thoshin. Sa ishte numri i tyre nuk dihet sikurse nuk dihet se a mbërrijtën të gjithë në shtëpitë e tyre në Kosovë. Për këta arsye e shumë të tjera, sidomos për faktin se shumë nga ata u zhdukën mizorisht gjatë rrugëtimit nëpër Shqipëri, një pjesë u zhduk po ashtu gjatë rrugëtimit në Dubrovnik dhe Trogir, numri i pasojave të masakrës së Tivarit nuk dihet, por dihet se numri i të pushkatuarve e të vdekurve nga pasojat e masakrave në Tivar është shumë më i madh se ai zyrtar. Është kjo një ndër masakrat më të mëdha, më të përgjakshme por edhe më të pabesë, realizuar ndonjëherë ndaj shqiptarëve. Gjithësesi, duke iu referuar burimeve arkivore për masakrat kundër shqiptarëve mund të konkludojmë se Tivari është varri më i madh masiv i shqiptarëve, edhe pse në Tivar një varr i tillë nuk ekziston. Shqiptarët u masakruan dhe u zhdukën. Për këtë arsye kjo masakër duhet të cilësohet e konsiderohet si gjenocid jugosllav ndaj popullit shqiptar.
- Përjetësimi i ngjarjes me ngritjen e lapidarit të dëshmorëve në Tivar – obligim moral
Kjo kasaphane u mundua të fshihej, të zhytej në skutat e harresës, gjaku i të masakruarve të kthehet në ujë dhe vetëm mbas 50 vjetëve ajo nisi të ridimensionohej; është fat që u shkruan disa libra për të, që vazhdon të shkruhet, të përkujtohet dhe natyrisht të zërë vend në memorien kolektive si dëshmi e fatit tragjik të shqiptarëve. Studiuesit shqiptarë duhet të vazhdojnë të hulumtojnë edhe më tutje me qëllim ndriçimin përfundimtarë të kësaj kasaphan ndaj shqiptarëve dhe të bëjnë përpjekjet e vazhdueshme që kjo ngjarje mos të mbesë në pellgun e harresës. Është koha që t’i thërasim mendjes, që brezave, sidomos atyre të rinj, t’u rrëfehet për historinë realisht. Asgjë nga historia nuk duhet të humbasë,të fshihet, të harrohet jo si qëllim i mërisë, apo hakmarrjes, por për të nxjerrë përfundime dhe mësime për të ardhmën tonë. Krimet nuk vjetërsohen, koha dhe rrethanat janë ato që i japin formën dhe përmbajtjen e duhur. Pikërisht për këtë arsye të masakruarit në Tivar, 79 vjet pas ekzekutimit të tyre, meritojnë që shpirti i tyre të flejë i qetë. E do flejnë të qetë nëse e përjetësojmë këtë ngjarje me ngritjen e lapidarit të dëshmërëve në vendin e ndodhjes. Përndryshe shpirti i tyre vazhdon të jetë i trazuar…