Hajrullah Hajdari

Mos heqja e kishës në Rumi dhe  objekteve të egra në liqenin e Shkodrës – pafuqia e shtetit të Malit të Zi në raport me Kishën Ortodokse Serbe dhe moszotësia e partive shqiptare!

Nga Hajrullah Hajdari

Me rastin e konstituimit të saj, Qeveria e 44-të, dhe jo vetëm ajo, premtoi publikisht se do të angazhohet fort për funksionimin e shtetit ligjor që nënkupton ndër të tjera zbatimin e ligjeve të shtetit të vet dhe barazinë e të të gjithë qytetarëve para shtetit dhe ligjit, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre kombëtare apo fetare. Padyshim, një premtim i tillë, jo se premtime të tilla kanë munguar edhe nga qeveritë e mëparshëme, na bën të mendojmë se ndoshta, më në fund, e kanë përnjëmend  dhe do të fillojë zbatueshmëria e ligjeve, vendimeve, urdhëresave e akteve të tjera ligjore që çojnë drejt funksionimit të shtetit të së drejtës, çka nënkupton barazi për të gjithë qytetarët e shtetit. Sëpaku mbesim në shpresë!

  • Çfarë është shteti ligjor

Teoria dhe praktika na kanë mësuar se organizimi i shtetit, sidomos atij bashkahorë, duhet të bazohet në parimet e një shteti demokratik, të drejtave njerëzor dhe funksionimit të shtetit të së drejtës.

Që në fillim lind një pyetje krejtësisht logjike – çfarë është një shtet ligjor demokratik?Në përpjekje për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, fillimisht duhet thënë se thelbi i ekzistencës së shoqërisë njerëzore në një shoqëri të organizuar konsiston mbi të gjitha nga siguria personale dhe juridike dhe siguria (siguria fizike personale, liria sociale, siguria e pronës dhe paprekshmëria e saj), barazia e të gjithë qytetarëve para shtetit dhe ligjit, pavarësisht nga karakteristikat dhe veçoritë personale dhe kolektive, mbrojtja nga arbitrariteti shtetëror dhe kërkimi i lumturisë njerëzore, natyrisht, ashtu si çdo individ e mendon.

Bazuar në përvojat historike, shteti i së drejtës (ligjor), para së gjithash nënkupton: heqjen e privilegjeve klasore, kufizimin e pushtetit politik me ligj, vendosja e një demokracie efektive dhe vendosjen e kontrollit të ushtrimit publik të pushtetit, ndarja e pushteteve, detyrimi dhe kufizimi i shtetit dhe organeve të tij me ligjet e tyre, garantimi adekuat (material, juridik, institucional dhe procedural) i të drejtave themelore të njeriut, gjyqësorë të pavarur, pluralizmin politik në planin ekonomik dhe kulturor,  konkurencën e lirë cilësore në kuadrin ligjor, në principet e vendosura globale të ekonomisë së tregut. Koncepti i një shteti ligjor demokratik në kuptimin e tij të mundshëm modern është një kategori sociologjike që ofron korniza optimale për liritë e njeriut, barazinë e njerëzve në shanset për sukses, barazinë e tyre para shtetit dhe ligjit dhe kufizimin e shtetit për veprime arbitrare si dhe depersonalizimin e bartësve të funksionëve shtetërore dhe funksionëve të tjera publike në një shoqëri.

Jam i bindur se qeveritarët tanë janë (dhe ishin) të njohur me parimet e përmendura demokratike, por problemi kryesor është dhe ishte zbatimi apo zbatimi seleksionues i vendimeve administrativo-gjyqësore dhe ligjeve ashtu si e kërkojnë interesat partiake apo individuale të njerëzve të veshur me pushtet. Megjithëatë, këto ditë jemi dëshmitarë të një fillimi të veprimit të shtetit ligjor, një fillimi të mbarë të qeverisë aktuale. Fjala është për zbatimin e vendimit për shëmbjen e objektit të ndërtuar pa leje ndërtimi – Lamela C në Podgoricë. Jo se duhet përkrahur këtë shembje të banesave të blera me djersën e punëtorëve të të gjitha strukturave, sepse përgjegjësi më i madh në këtë rast është shteti, gjegjësisht mosfunksionimi i tij, por për faktin se vendimet dhe çdo akt ligjor duhet të zbatohen. Shteti është i obliguar, duke zbatuar vendimet e organëve të veta të sjellura në bazë të dispozitave ligjore, t’iu mundësojë qytetarëve të tyre mbrojtjen ligjore në mënyrë të njëjtë dhe të barabartë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, kombëtare apo fetare e në këtë mënyrë pengohet sjellja arbitrare e politikës dhe njërëzve të veshur me petkun e politikës, madje edhe të atyre me pak ose aspak kompetenca, por vetëm se janë njerëz të politikës të qeverisë në pushtet, janë të dëgjuashëm dhe zbatojnë politikën e tyre të mbrapshtë në dëmë të qytetarëve të tjerë. Mbetet për të dëshiruar deklarata e ditëve më parë të ministrit të Ministrisë për Rregullimin Hapsinor, Urbanizëm dhe Pasurinë Shtetërore, z.Janko Odoviq, i cili veçojë zbatimin e të gjithë vendimëve për shembjen e obkekteve të ndërtuara pa leje ndërtimit, pas të cilës filloi edhe shembja e objektit në fjalë. Dhe pikërisht kjo deklaratë dhe ky fillim mund të jetë pikënisje e funksionimit të shtetit të së drejtës. Por, shteti i së drejtës përseri nuk do të funksionojë nëse zbatimi apo përmbarimi i vendimeve administrative dhe gjyqësore bëhët vetëm për hir të dikujt, seleksionues dhe të lënë përgjysëm. Për këtë arsye, fillimi i përmbarimit të vendimeve të organëve shtetërore duhet të përkrahet fuqishëm, nga njëra anë dhe na obligon që të ngrisim zërin e të kërkojmë zbatimin e vendimeve edhe në territoret e banuara me shqiptarë, nga ana tjetër.  

  • Kisha në Rumi duhet të hiqet ndërsa punimet e egra në goricat e liqenit të Shkodrës duhet të shemben

Siç është e njohur “kisha e sherrit”e konstrukcionit metalik është vëndosur në Rumi, me ndihmën e helikopterëve të ushtrisë të Bashkësisë së Shtetit Serbi-Mali i Zi, në vitin 2005. Në ndërkohë kisha është rrethuar me gurë dhe është betonuar. Përkundër asaj se vetëm disa muaj pas vendosjes së saj ilegale, Inspeksioni Republikan i  Ndërtimtarisë  solli vendimin për heqjen e këtij konstrukcioni metalik e më vonë edhe vendimin për shembjen e mureve rrethuese, edhe pas 18 vjetëve vendimet e organeve shtetërore nuk janë zbatuar e si rrjedhojë nuk është larguar as objekti metalik. Pritshmëria për largimin e kishës buronte nga obligimi i shtetit për të zbatuar vendimet e veta. Pra, nuk është çështje e pritshmërisë por e çështjes së zbatimit të ligjit. Sadoqë të jetë i fortë ndikimi i Kishës Ortodokse Serbe, ajo forcë nuk mund të jetë mbi ligjin dhe mbi shtetin. Fatkeqësisht, ashtu si ka vepruar shteti në lidhje me zbatimin e akteve të veta në rastin konkret na jep të kuptojmë se KOS-i është udhërefyes dhe urdhërues i politikës shtetërore të Malit të Zi, edhe pse detyra e KOS-it nuk është të merret me ndërtime të palejueshme, me uzurpimin, gjegjësisht okupimin e hapsinave publike të cilat me shekuj kanë qenë simbol i bashkjetesës së tre popujve me konfesione të ndryshme në këto troje e aq më pak të  nxisë urrejtjen mes tyre. Veprimtaritë e institucioneve fetare janë të ndara nga shteti ndërsa kompetencat e tyre janë të përcaktuara me ligj. Mënyra si gjithë këto vite po vepron KOS-i është përzierje e drejtëpërdrejtë në kompetencat e shtetit. Nga ana tjetër lejimi i tillë tregon pafuqinë e shtetit të Malit të Zi.

Baseni i liqenit të Shkodrës është një thesar i paçmuar i trashëgimisë tonë kulturore-historike. Ndërkaqë, serbet, gjegjësisht Kisha Ortodokse Serbe mendonjnë se u përkasin kulturës së tyre. Sidoqoftë, ekzistojnë dëshmi të panumërta se themelues të objekteve sakrale në goricën e Plakut, Besit, Marshnikut dhe Tophallës është familja fisnike shqiptare Balshaj, për përkatësinë e tyre shqiptare po ashtu ka dëshmi të panumërta. Përkundër kësaj KOS-i, sidomos nga viti 2002 ka filluar devastimin e këtyre objekteve për të arritur një qëllim të caktuar – humbjen e gjurmëve të kulturës shqiptare. Përveçse ka kryer devastimin e objekteve ajo në këto gorica ka kryer edhe ndërtime të reja dhe ka bërë uzurpimin apo okupimin e goricave në përgjithësi. Enti apo Drejtoria për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, gjatë viteve 2002, 2004, 2010,2012 e deri n vitin 2016 ka bërë disa inspektime në vend dhe ka konstatuar shkelje flagrante të konservimit dhe restaurimit të objekteve sakrale dhe ndërtimeve pa leje ndërtimit të objekteve të reja brenda goricave. Si rrezultat i konstatimeve të kalimit të kompetencave ligjore, këto institucione shtetërore me rëndësi kanë sjellë disa vendimi për ndalimin e punimeve të mëtejshme dhe kthimin e objekteve në gjëndjen e mëparshme, çka nënkupton prishjen e ndërtimeve pa leje (njëri nga këto vendime është vendimi UP.I, nr.04-471-20.09.2012). Fatkeqësisht asnjëri nga vendimet nuk janë zbatuar, veprimet e KOS-it mbetën të paprekura dhe si rrjedhojë humbja e gjurmëve të kulturës tonë është evidente.       

  • Deputetet dhe anëtarët e qeverisë (shqiptarë) të depozitojnë në qeveri kërkesën për zbatimin e vendimeve për zbatimin e vendimeve ose të japin dorëheqjen

Duke u nisur nga koncepti i shtetit ligjor dhe duke u nxitur nga premtimet dhe deklaratat e bëra publike të kreministrit Spajiq që kanë të bëjnë me përmbylljen e kapitujve 23 dhe 24 me BE-në dhe ministrit Odoviq për zbatimin e vendimeve të organëve shtetërore dhe pse jo edhe nga fillimi i shembjës së objektit në Podgoricë, konsideroj se ka ardhur koha që në mënyrë më energjike (jo pse deri me tani nuk ka pasur ndonjë veprim aty-këtu) të angazhohemi më fort e të kërkojmë të organet përkatëse shtetërore që të zbatohen konkretisht vendimet e organeve shtetërore për heqjen e objektit metalik, të formësuar në kishë ortodokse, në Rumi dhe shembjen e objekteve të reja të ndërtuara në goricat e liqenit të Shkodrës dhe kthimin në gjendjen e mëparshme të objekteve sakrale të rindertuara, konservuara dhe restauruara pa pëlqimin e askujt. Koha është mos të flejmë më gjatë, të zgjohemi nga gjumi e të gjithë së bashku, qytetarë shqiptarë pa marrë parasysh katolikë apo myslimanë, parti politike shqiptare e në veçanti përfaqësues  shqiptarë në parlamentin dhe qeverinë e Malit të Zi, të ndihmojmë njëri-tjetrin e të veprojmë më një zë: Duam zbatimin e vendimeve të organeve shtetërore, as më shumë e as më pak, duke paralajmëruar mosdëgjueshmërinë qytetare.

Lidhur me këtë problematikë ftoj të gjithë deputetet shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi, duke filluar nga Ilir Çapuni, Mehmet Zenka, Nikollë Camaj e veçanërisht nga Artan Çobi, i cili vjen nga trojet e përmendura të devastura, si dhe ministrat Nikë Gjeloshaj, Fatmir  Gjeka dhe Marash Dukaj që të angazhohen më energjikisht dhe të gjithë së bashku, në emër të popullit shqiptar gjegjësisht votuesve të tyre të depozitojnë në qeveri kërkesën për zbatimin e vendimeve të organeve të veta – përmbarimin e vendimeve administrative dhe gjyqësore në lidhje me kthimin në gjendje të mëparshme të objekteve sakrale të kulturës tonë në liqenin e Shkodrës dhe lirimin e hapsirave të zaptuara në Rumi nga KOS-i. Nëse kërkesa e tyre nuk do të realizohej, po ashtu i ftojë të japin dorëheqje nga funksionet e tyre që populli shqiptarë u siguroi.

  • Mos respektimi i ligjeve të shtetit nga vetë shteti – kërcenim i sovranit

Respektimii parimeve bazë të shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit sot përfaqëson një nga standardet civilizuese dhe është një llojë bilete hyrëse  në rrethin e vendeve të qytetëruara dhe në BE. Sapo shteti nuk respekton ligjet e tij dhe vendimet e organeve të veta shtetërore, nuk ka kërcënim më të fortë për sovranin dhe sovranitetin. Me veprimet tona mos të lejojmë që edhe më tutje shteti  të tregojë pafuqi dhe gunjëzim në raport me KOS-në, por të kontribojmë me insistimet dhe veprimet tona përkrahjen e funksionimit të shtetit ligjor dhe të kontribojmë në kthimin e denjitetit tonë kombëtar.

By admini