Kosova duket se e ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme vitin 2024. Liberalizimi i vizave, mundësia e udhëtimit në Serbi me automjete me targa të Republikës së Kosovës apo edhe njohja e pasaportit të kësaj republike nga Spanja janë vetëm disa indikacione që ky shtet e ka filluar mbarë vitin që sapo filluam, shkruan Ulqini Online
”Java e parë e vitit të ri ka qenë javë e fillimeve të reja për qytetarët dhe shtetin tonë. Për herë të parë, mund të udhëtojmë në zonën shengen pa viza. Targave ilegale të Serbisë u erdhi fundi 24 vjet pas çlirimit, e targat RKS u njohën nga Serbia 15 vjet pas shpalljes së Pavarësisë. Filloi regjistrimi i energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit, pas më shumë se dy dekadave. Ndërkaq në prag të 16-vjetorit të Pavarësisë, Spanja iu bashkua shteteve të Bashkimit Evropian që e njohin pasaportën e Kosovës”, kështu shkruan në një post të tij kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti.
Në vazhdim të shkrimit të tij, z. Kurti falenderon qytetarët e vendit për mbështetjen e vazhdueshme.
”Fillimet që po i shënojmë e festojmë tani, janë rezultate të një pune të gjatë e vendosmërie të madhe të institucioneve tona që vazhdon edhe më tej. Falënderoj të gjithë kabinetet politike dhe punonjësit e shtetit dhe qeverisë për kontributin e tyre, dhe partnerët tanë ndërkombëtar për rolin që kanë luajtur. Por më së shumti qytetarët e vendit tonë që na besuan dje dhe që na mbështesin sot e çdo ditë. Vazhdojmë!”, përfundon shkrimin e tij z. Kurti.