Nga Gjekë Gjonaj

Çifti  i dëshmuar humanitarë, Dina dhe Ahmet Kurmemaj, mërgimtarë në Shtete të Bashkuara të Amerikës,  përmes  Fondit Humanitar Shqiptaro -Amerikan “ Trojet tona”,  vazhdon  misionin e  vet  humanitar. Këta njerëz bamirës me shpirt dhe zemër të madhe  sërish u treguan të gatshëm për të ndihmuar njerëzit në nevojë në Mal të Zi. Fokusi i tyre i radhës  kësaj herë ishin  fëmijët më në nevojë të Komunës së Razhajës, të cilët janë të prekur nga sëmundja e diabetit  të tipit 1,  fëmijët me paralizë cerebrale   dhe të gjithë fëmijët e Qendrës Ditore.   Këto ndihma  financiare dhe dhurata  u ndanë,  më 27 dhjetor 2023,  në sallën  e  leximit të Bibliotekës së qytetit të Rozhajës dhe në ambientet e Qendrës Ditore.

Në ceremoninë solemne të ndarjes së këtyre ndihmave  fëmijëve më në nevojë të Rozhajës, të pranishmëve iu drejtua  koordinatori i  Fondit Humanitar “ Trojet tona” për Rozhajë, Haxhi Lajçi, i cili  falënderoi donatorët për punën e tyre humane. Fondacioni Humanitar Shqiptaro-Amerikan ,,Trojet Tona“  ka ndarë  mjete financiare dhe dhurata  për  këto grupe të fëmijëve që kanë nevojë për përkrahje: 12 fëmijëve  me diabet, 3 fëmijëve me paralizë cerebrale dhe  të gjithë fëmijëve të   Qendrës Ditore. Gjithsej   janë  25 fëmijë. Idenë tonë, të doktor Jaho Pepiq dhe profesoreshës  Sena Tahiroviq, për përkrahjen e  këtyre fëmijëve më në nevojë, e kuptuan shpirtërisht dy bashkëshortët afaristë të shquar, anëtarë të Fondacionit  ,,Trojet Tona,, , Dina dhe Ahmet Kurmehaj, të cilët janë njerëz të mirë, humanist të kujdesshëm, sidomos për qytetarët e Malit të Zi. Ata janë njerëz  zemërgjerë, vizionar  dhe të përkushtuar  për njerëzit që kanë nevojë për mbështetje. Përveç kësaj ata posedojnë  një shpirt human, sakrifikojnë  pasurinë e  tyre për të tjerët, janë dritë dhe shpresë për të  ata që kanë nevojë për përkrahje.”, theksoi ndër të tjera Lajçi.

Me këtë rast folën edhe Dr. Jaho Pepiq dhe profesoresha Sena Tahiroviq, të cilët  kanë përgëzuar fëmijët përfitues të  ndihmave dhe kanë falënderuar çiftin Kurmemaj  që ndihmuan  me mjete të  veta financiare  fëmijët e Rozhajës që kanë nevojë për ndihmë.

Familja Kurmemaj  me këtë donacion fëmijëve në nevojë  të Rozhajës  dëshmoi atë që kërkohet prej nesh:  dhembshurinë ndaj të gjithëve, veçanërisht ndaj  fëmijëve që janë të sprovuar nga sëmundjet dhe  dhimbja. Shembulli i tyre fisnik rindez shpresën  për një njerëzim të ri, më të drejt dhe vëllazëror, ku të gjithë mund të ndihen  të paharruar, të dashur e të mirëpritur.    

By admini