Hajrullah Hajdari

Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë

Hajrullah Hajdari

Dëshira për të mbrojtur dinjitetin njerëzor të të gjitha qenieve njerëzore, paraqet thelbin e

konceptit për të drejtat e njeriut. Termi “të drejtat e njeriut” është një koncept që ka evoluar kohë pas kohe dhe fillon me përpjekjet për të njohur të drejtën për jetë dhe të drejtën për të qenë i lirë si të drejta themelore të qenies njerëzore.

Respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut është një ndër qëllimet dhe përkushtimet kryesore të bashkësisë ndërkombëtare. Historia e të drejtave të njeriut daton që në kohërat e lashta dhe ka kaluar së paku nëpër tri faza:

Faza e parë: Faza e të drejtës natyrore   është zhvilluar qysh në filozofinë antike greke, pra para më shumë se 2000 vjetësh e cila bazohet në idenë e barazisë të pretenduar të të gjithë njerëzve. Sipas kësaj ideje të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë nga Zoti dhe të gjithë kanë detyrime të barabarta përpara tij. Edhe pse këto ide përbëjnë rrënjët e idesë së të drejtave të njeriut, realiteti politik i kohës nuk mundësonte zbatimin praktik në jetën e përditëshme.

Faza e dytë: Zbatimi politik në kuadrin e shteteve kombëtare. Në këtë faze Anglia me “Magna Charta Libertatum” me të cilën i kufizohen mbretit disa të drejta, pastaj “Petition of Rights” e cila siguron paprekshmërinë e qytetarëve luajtën rrol të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të të drejtave të njeriut. Ndërkaqë, dosja “Habeas-Corpus” e vitit 1699, është document i parë sipas të cilit të drejtat e njeriut duhet të mbrohen nga shteti.Në këtë periudhë, mbështetur në idenë e Xhon Lokut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadrin e luftës për pavarësi,  formuluan katalogun e parë në histori për të drejtat e njeriut.

Faza e tretë: Realizimi i përgjithshëm politik, që lindi si ide, për t’u bërë më vonë realitet,si përgjigje ndaj të gjitha atyre të këqijave dhe vuajtjeve njerëzore gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo bëri që të shpejtohej procesi i globalizimit të të drejtave të njeriut. Synimi ishte që fatkeqësitë njerzore të ndodhura gjatë kësaj lufte mos të ndodhin kurrë më. Zatën, e drejta e të gjithë njerëzve në botë për të gëzuar të drejtat dhe liritë themelore dhe vënja në jetë e tyre është një ndër arsyet kryesore të themelimit të Organizatës së Kombëve të Bashkuara. Ndërkaqë, dokumentet e OKB-së: Karta e Kombëve të Bashkuara (1945), Deklarata e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut (1948), Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale e Kulturore (1966) dhe Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (1966) janë shtyllat kryesore mbi të cilat u ndërtua praktika e përcaktimit dhe e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut.

  • Deklarata e Përgjithshme  e të Drejtave të Njeriut

Më 10 dhjetor u shënua Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Deklarata e Përgjithshme  për të Drejtat e Njeriut, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, para 75 vjetëve, më 10 dhjetor 1948 në Palais de Chaillot, Paris, siç cekëm më lart, lindi si përgjigje ndaj tmerreve të Luftës së Dytë Botërore dhe përfaqëson përpjekjen e parë globale për të artikuluar mbrojtjen e atyre të drejtave që shumë persona besonin se ishin të drejta themelore që u takojnë të gjitha qenieve njerëzore.

Deklarata e Përgjithshme e të Drejtave të Njeriut është akti i parë gjithëpërfshirës i të drejtave të njeriut e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombëve të Bashkuara si një rezolutë, d.m.th një akt që nuk është juridikisht i obligueshëm. Në preambulën e kësaj deklarate theksohet se Asambleja e Përgjithshme të OKB-së shpall këtë Deklaratë si ideal të përgjithshëm të cilin duhet ta arrijnë të gjithë popujt dhe të gjitha kombet, në mënyrë që çdo njeri dhe çdo organizëm shoqëror, duke pasur parasysh gjithmonë këtë Deklaratë, të përpiqet që, me anë të mësimit dhe edukimit, të ndihmonte në respektimin e këtyre të drejtave dhe lirive dhe që, me anë të masave progresive kombëtare dhe ndërkombëtare, të sigurohej njohja dhe zbatimi i tyre i përgjithshëm dhe i vërtetë, si midis popujve të vetë shteteve anëtare , ashtu edhe midis popujve të atyre territoreve që janë nën administrimin e tyre. Në neni 1 Deklarata shprehet: “Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri tjetrit me frymë vëllazërimi” nderësa në neni 2 të saj përcakton se:

Secili gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e parashtruara në këtë Deklaratë pa kurrfarë kufizimesh përsa i përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë, lindjes ose tjetër.

Asnjë dallim nuk do të bëhet në bazë të statusit politik, juridik ose ndërkombëtar të shtetit ose vendit të cilit i përket çdo njeri, qoftë kur shteti ose vendi është i pavarur, qoftë nën kujdestari, qoftë jo vetëqeverisës ose që gjindet në çfarëdo kushtesh të tjera të kufizimit të sovranitetit”. Synimi i autorëve të tij, siç thuhet në dispozitat hyrëse, është që Deklarata e Përgjithsme të përcaktoj “një standard të përbashkët të cilin duhet ta arrijnë të gjithë popujt dhe të gjithë kombe, në mënyrë që çdo individ apo organ i shoqërisë nëpër mes mësimit dhe edukimit të kontribojë në respektimin e të drejtave të përmendura”. Me fjalë të tjera kjo Deklaratë paraqet konkretizimin e obligimeve që dalin nga Karta e Kombëve të Bashkuara, e të cilat shtetet janë obliguar që do t’i respektojnë.

Pas këtij akti historik, Asambleja ftoi të gjitha shtetet anëtare që ta shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqen që të përhapet, të paraqitet, të lexohet dhe të shpjegohet sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukative të të gjitha vendeve dhe shteteve, pa marrë parasysh statusin e tyre politik.

Deklarata e Përgjithshme e të Drejtave të Njeriut përmban dispozita për të drejtat civile dhe politike, si dhe dispozitat për të drejtat ekonomike dhe sociale, duke u nisur nga qasja që një qenie njerëzore mund t’i përdorë të drejtat e veta politike dhe civile në tërësi vetëm nëse ata kanë një standard të mirë jetësor, një shkallë të caktuar të mbrojtjes sociale, si dhe mundësinë që të shkollohet dhe të zhvillojë kulturën. Gjatë shekullit XX, të drejtat e njeriut janë zhvilluar si formulime morale, politike dhe ligjore por jo gjithmon janë realizuar në praktikë. Në kuptimin formal-juridik shqiptarët i gëzonin të drejtat dhe liritë si të gjithë qytetarët tjerë. Mirëpo, gëzimi i specifikave kombëtare si gjuha, kultura dhe simbolet kombëtare nuk u lejuan në nivelin sa ata të jenë të barabartë me popujt tjerë në shtetin ku jetonin dhe vepronin. Kjo ndodhi edhe për faktin se fryma dhe përmbajtja e dispozitave ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut nuk janë përfshirë sa duhet në kushtetutën vendore dhe dispozitat tjera ligjore, edhe pse Jugosllavia ishte nënshkruese e shumicës prej tyre.  

Edhe pas 75 vjetëve nga aprovimi i kësaj Deklarate ndodhë që të drejtat dhe liritë qytetare në mënyrë flagrante shkelen dhe nuk respektohen. Është mirë që duke kujtuar këtë ditë të reflektojmë e të ndihmojmë, me sjellje e me veprime konkrete, sa është e mundur në krijimin e  kushteve për krijimin e një shoqërie sadopak të barabartë, ku të gjithë, pavarësisht nga raca, kombësia, gjinia apo ngjyra, feja ose bindjet politike do t’i gëzojnë të gjitha të drejtat civile dhe politike dhe të jenë të lirë në zgjedhjen e tyre për realizimin dhe shfrytëzimin e të drejtave themelore të njeriut. Përgjegësia për zhvillimin dhe përmirësimin e të drejtave dhe lirive qytetare bie mbi shtetin i cili vazhdimisht duhet të punojë në përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe strategjive zhvillimore sidomos të pakicave kombëtare dhe grupeve etnike. Natyrisht, edhe sjellja dhe veprimi i individeve, sidomos i OJQ-ve, në lidhje me këtë çështje mund të ketë ndikim në implementimin e dokumenteve ndërkombëtare dhe vendore për realizimin dhe avancimin e të drejtave themelore të njeriut.

By admini