Nuk ka asgjë të keqe dhe është krejt e natyrshme të bashkëpunosh me forca të tjera politike me të cilat ndan vlera dhe qëndrime të njëjta, por si mund të bashkëpunosh me parti politike që janë pjellë e Kishës Ortodokse Serbe, mbështesin hegjemonizmin serb dhe krimet gjenocidale serbe ndaj shqiptarëve, boshnjakëve etj.?! Pjesëmarrja e shqiptarëve në një qeveri proserbe bëhet edhe më problematike në rrethanat ekzistuese, të një krize globale dhe rajonale, ku janë të dukshme përpjekjet serbe dhe ruse në zhbërjen e pavarësisë së Kosovës, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës etj.
Nga Ismet Kallaba
Që prej fillimit të sistemit politik pluralist, partitë politike shqiptare në Malin e Zi në programet e tyre kanë pasur prioritet ruajtjen e vlerave kombëtare, siç janë identiteti kombëtar, gjuhësor, kulturor etj. Në thelb të programit të çdo partie shqiptare, si një rregull e pashkruar, ka qenë patriotizmi si një vlerë e shenjtë dhe e paprekshme. Sado që patriotizmi i partive shqiptare dhe i politikanëve shqiptarë është zbehur përgjatë viteve, ai ka qenë streha e vetme e sigurt për gabimet dhe dështimet e tyre politike. Ky lloj patriotizmi folklorik, i shprehur më tepër gjatë fushatave zgjedhore, ka shërbyer si opium për votuesit e tyre.
Vendimi i partive më të mëdha politike shqiptare për të qenë pjesë e qeverisë së re të Malit të Zi, për të mos thënë se përbën një akt jopatriotik dhe marrëzi politike, bie ndesh me veprimtarinë dhe qëndrimet e tyre politike të deritanishme. Nuk ka asgjë të keqe dhe është krejt e natyrshme të bashkëpunosh me forca të tjera politike me të cilat ndan vlera dhe qëndrime të njëjta, por si mund të bashkëpunosh me parti politike që janë pjellë e Kishës Ortodokse Serbe, mbështesin hegjemonizmin serb dhe krimet gjenocidale serbe ndaj shqiptarëve, boshnjakëve etj.?! Pjesëmarrja e shqiptarëve në një qeveri proserbe bëhet edhe më problematike në rrethanat ekzistuese, të një krize globale dhe rajonale, ku janë të dukshme përpjekjet serbe dhe ruse në zhbërjen e pavarësisë së Kosovës, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës etj.
Në përpjekjen për të justifikuar metamorfozën politike të tyre, nga udhëheqësit dhe përfaqësuesit e këtyre partive politike dëgjohen edhe deklarata e arsyetime fëmijërore dhe të pabesueshme për çdo mendje njerëzore, sikundër ato se partitë shqiptare ndikuan që partitë proserbe ta njohin Kosovën apo se mund të ndikojnë në ndryshimin e politikës së partive proserbe ndaj proceseve integruese të Malit të Zi. Këta politikanë sikur e kanë harruar fjalën e urtë popullore shqiptare se “Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron!” Kush është ai i çmendur që beson se Mandiqi do të ndryshojë brenda nate, sapo të bëhet kryetar i Kuvendit të Malit të Zi?! Edhe Vuçiqi ka firmosur disa marrëveshje në emër të Serbisë me Kosovën, por nuk i zbaton ato. Derisa deklaron se është për paqe, nxit trazira dhe konflikte në pjesën veriore të Kosovës. Rasti në Banjska duhet t’u ketë shërbyer shqiptarëve si një alarm për veprimet e ardhshme politike, por partitë kryesore shqiptare në Mal të Zi duket se e kanë përtypur këtë sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Të mbyllësh sytë para fakteve nuk bën, sepse ato janë kokëforte. Miopia politike e partive shqiptare dhe inatet ndërmjet dy grupimeve kryesore politike shkon aq larg sa nuk kanë dëgjuar as thirrjet nga Kosova dhe ato amerikane kundër hyrjes në këtë përbërje të qeverisë.
Duke pranuar të jenë pjesë e qeverisë së re të Malit të Zi, partitë shqiptare që janë pjesë e qeverisjes kanë demaskuar fytyrën e vet të vërtetë. Kuazi-patriotizmin e tyre e kanë zëvendësuar me patriotizmin e xhepit. Është e kuptueshme se e kanë pasur zor t’i lënë postet dhe privilegjet që i kanë gëzuar në qeverinë e mëparshme. Me këtë kanë dëshmuar se për ta nuk ka vijë të kuqe në veprimin politik. Pas gjithë kësaj, pyetja që shtrohet është se ku mbeti patriotizmi i partive politike shqiptare dhe i atyre politikanëve shqiptarë, të cilët më parë e kishin gojën plot dhe ishin përbetuar në emër të patriotizmit?!
Natyrisht, e ardhmja do të tregojë nëse partitë shqiptare kanë bërë mirë apo keq që kanë pranuar të jenë pjesë e qeverisë së re. Por, nisur nga përvoja, qeveritë e dala pas zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit 2020 ngjasojnë me një familje pa zot shtëpie. Kjo amulli pritet të vazhdojë edhe me qeverinë e kryeministrit Millojko Spajiq.
Zaret tashmë janë hedhur… /Koha Javore/