Fjalori  Enciklopedik i Edukimit i Prof.Dr. Hajrullh Koliqit – vepër me vlera shkencore  dhe historike për zhvillimin e edukimit shqiptar

Gjekë Gjonaj

Shkenca e edukimit sipas ekspertëve  të kësaj fushe  vlerësohet “ shkenca e së ardhmes, si e para nga të gjitha, sepse është motori i krejt të tjerave”.  Ajo sot ka  përparuar mjaft. Ky  zhvillim  kërkon që të hartohen  fjalorë të ndryshëm  dhe t’i përgjigjen nevojave  të kohës  të arsimit shqiptar  dhe të  shfrytëzuesve. Një përpjekje të tillë  e  realizoi me sukses  Prof. Dr. Hajrullah Koliqi, i cili  botoi veprën e tij jetësore ( opus vitae) , të  titulluar ” Fjalor Enciklopedik i Edukimit” me dy vëllime të plota  (vëllimi I A-LL dhe vëllimi II M-ZH).   Kjo vepër gjithëpërfshirëse leksikologjike  e edukimit prej 1.976 faqesh dhe rreth 6.700 njësish (zërash) nga të gjitha fushat e edukimit,    është një kontribut  jashtëzakonisht i çmuar  i  autorit  për këtë fushë, mbase edukimi  është  shtylla kryesore  e përparimit të shoqërisë  dhe garancia më e mirë e zhvillimit të vendit. Ky botim, i cili ka munguar në Kosovë,  është edhe  një arritje  e madhe dhe e rëndësishme  e shkencës dhe edukimit shqiptar një përgjithësi dhe si i tillë përbën një risi për shkencat e komunikimit.  Është një dëshmi  domethënëse  e karrierës  më se dyzetvjeçare universitare  e kërkimore-shkencore  e Prof. Dr. Hajrullah Koliqit në fushën e historisë dhe praktikës së edukimit. Ky fjalor njëkohësisht është  dëshmi e aftësisë së kapaciteteve dhe njohurive të tij të thella intelektuale që janë shprehur në strukturën e këtij libri studimor.

Në hartimin e kësaj vepre me vlerë  historike për zhvillimin e edukimit në Kosovë, kërkesë themelore e autorit ka qenë trajtimi i zërave ( termave e nocioneve)  me vërtetësi e saktësi shkencore. Fjalori është shtjelluar sipas traditës së hartimit të fjalorëve, sipas alfabetit të  shqipes, nga shkronja “A -ZH”, duke i shtuar atij edhe “W” pas shkronjës “ V”.   Të gjitha  shkronjat trajtohen  nga aspekti  etimologjik i tyre,  kurse   zërat  përgjithësisht  janë të vegjël dhe të mesëm, me disa përjashtime. Në të gjitha hallkat e punës për këtë vepër janë bërë përpjekje  për të dhënë një trajtim shkencor sa më objektiv për  zërat e trajtuar. 

Në këtë   vepër  autori Hajrullah Koliqi ka përfshirë edhe  zëra  dhe informacione nga shkenca e disiplina të tjera , të afërta me edukimin siç janë: psikologjia, filozofia, sociologjia, historia, fiziologjia, mjekësia etj.   Ato  janë përfshirë në dy rrafshe, në rrafshin vertikal apo historik dhe në rrafshin  horizontal ose bashkëkohor.  Të gjitha shkronjat  trajtohen nga  tri aspekte kryesore:  filozofia e edukimit, teoria e edukimit dhe praktika e edukimit. Autori i fjalorit, duke u nisur nga fakti se  të gjitha shkencat shoqërore e kanë traditën e tyre e cila nuk duhet të mohohet  për arsye se trungu i shkencës është  tradita dhe mbi çdo traditë ndërtohet  ajo bashkëkohorja në çdo fushë, pra edhe në atë të edukimit, bën përpjekje  që të bëjë  njëfarë  harmonizimi të traditës së edukimit dhe edukimit bashkëkohor. 

Hartimi i fjalorit enciklopedik të autorit Prof.Dr. Hajrullah Koliqit   është një përpjekje për harmonizimin e  terminologjisë së edukimit evropian  me atë amerikan, sepse kemi këtu   edhe mospërputhje, madje edhe shpërputhje  midis terminologjisë shqiptare.  Autori parimisht  është nisur nga ajo që  asnjë zë të mos shkruhet ( shpjegohet) nga një  burim, Prandaj ai ka shfrytëzuar burime të  shumta e të llojllojshme  shkencore-profesionale, si: fjalorë dhe enciklopedi të përgjithshme, tekste universitare, monografi shkencore,  enciklopedi  të përgjithshme, pedagogjike, filozofike , psikologjike   dhe burime elektronike , me autorë   në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja.

Konsiderojmë se ky  fjalor do t’u shërbejë  jo vetëm ekspertëve të kësaj fushe, studentëve e studiuesve të edukimit, por edhe mësimdhënësve, prindërve,  njerëzve të zakonshëm  dhe të gjithë të  tjerëve që e duan arsimin dhe shkencat e edukimit,  të cilët dëshirojnë të zgjerojnë njohuritë e veta në fushat e edukimit. “Hartimi i këtij fjalori më ka shërbyer dhe mua, për t’u rritur në aspektin profesional dhe shkencor.  Punova  shumë dhe mësova shumë “, thotë autori në parathënien e   kësaj vepre. Edhe ne mësuam shumëçka  që nuk e dinim më parë   për sa  kohë që  e lexuam këtë  vepër.

Ky  vepër leksikologjike  pritet të zgjojë interesim, diskutime, dilema e vlerësime të ndryshme tek  intelektualët, edukatorët edukologët,  edukantët, edukatëdashësit, entet, institucionet shkencore të kulturës shqiptare  dhe të gjithë ata/ato që duan  të mësojnë më shumë  rreth  fushës së edukimit.

Fjalori   është botuar nga Fakulteti i Edukimit ( Universiteti i Prishtinës, në vitin 2022), dhe financuar  nga MASHTI i Kosovës. Recensentë janë: Prof. DR. Afërdita Deba-Zuna, Pof.Dr. Bardhyl Musai dhe Prof.Dr. Naser Zabeli, redaktor Prof.Asoc.Dr.Blerim Saqipi, ndërsa  kryetar i Këshillit Botues Prof.Dr.Kurtesh Sherifi.   Publikimin  dhe përdorimin e këtij fjalori  e lejoi  Këshili Botues i Universitetit të Prishtinës me Vendimin nr.616 të datës 1 prill 2022.

Në mbyllje të këtij vështrimi  po citojmë  edhe një mendim të Prof.Dr.  Hajrullah Koliqit  që ka të bëjë me  modestinë e tij njerëzore. “ Unë bëra atë çfarë  dita dhe munda, me shpresë se studiuesit dhe autorët e tjerë shqiptarë ( individë apo grup individësh) do të hartojnë fjalorë të  tjerë cilësorë  dhe enciklopedi gjithëpërfshirëse të shkencave të edukimit, të krahasueshme me vepra të tilla të ngjashme në vende të zhvilluara”.

 Ulqin, 13 korrik 2023

By admini