Kryetari i Forcës së Re Demokratike Genci Nimanbegu dhe përfaqësuesit e opozitës dhe partive të pakicave kombëtare u takuan dje me senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters, të cilët po qëndrojnë në Malin e Zi, thuhet në një kumtesë për opinion të Forcës së Re Demokratike.
Në takimin me senatorët amerikanë Murphy dhe Peters, kryetari Nimanbegu foli mbi forcimin e demokracisë në Mal të Zi dhe vëmendjen e SHBA-së ndaj pozitës së pakicave kombëtare. Me theks të veçantë është diskutuar për pritshmëritë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe domosdoshmërinë e decentralizimit të pushtetit në drejtim të kërkesave të shqiptarëve. Kjo është theksuar për faktin se dy qeveritë në dy vitet e fundit janë marrë shumë pak me këto çështje.
Barazia e shqiptarëve në Mal të Zi, bashkimi i politikës dhe zhvillimi ekonomik janë prioritetet tona – theksoi Nimanbegu.
Deputeti Nimanbegu falënderoj senatorët amerikanë për vizitën e tyre dhe theksoj rëndësinë që partneriteti me SHBA është jetik për Malin e Zi dhe rajonin.
Senatorët Murphy dhe Peters vlerësuan arritjet politike sa i takon forcimit të politikës që përkrah proceset euroatlantike dhe shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim dhe ndihmë të vazhdueshme në këtë drejtim, përfundon kumtesa për opinion e Forcës së Re Demokratike..