Më poshtë mund të lexoni urimin e Genci Nimanbegut, kryetar i Forcës së Re Demokratike dhe njëheri deputet në Kuvendin e Malit të Zi për presidentin e ri të Malit të Zi i dalur nga zgjedhjet presidenciale të mbajtur të dielen e fundit.

I nderuar z. Jakov Millatoviq,

Në emër të Forcës së Re Demokratike dhe në emrin tim, dua t’ju uroj për zgjedhjen tuaj si President i ri i Malit të Zi.

Jeni në dijeni, që Forca e Re Demokratike mbajti  qëndrim neutral në këto zgjedhje pasi që nuk kemi dashur të radhitemi mbas kandidateve  dhe kemi theksuar që politikat që përfaqësonin ata nuk na kanë  garantuar që interesat tona do të jenë të përkrahura në masë të nevojshme për mbështetje në këto zgjedhje. Por, kjo nuk do të thotë se nuk do të japim dorën e bashkëpunimit për të mirën e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, veçanërisht të shqiptarëve në Mal të Zi.  

Shpresoj se do ta realizoni me sukses detyrën e re si President dhe se do të punoni drejt realizimit të vizionit të Malit të Zi, si një shtet sovran e i qëndrueshëm, duke i dhënë prioritet zhvillimit ekonomik dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Për ne si popull autokton janë më se të rëndësishme arritjet për sa i takon anëtarësimit në  Aleancën Veri Atlantike por edhe shumë pjesë të të drejtave të pakicave, gjë që me shumë mund e kemi fituar vite me radhë. Për ne janë  më se jetësore marrëdhëniet me Republikën e Kosovës si shtete sovrane dhe miqësore.

Po ashtu, dua të ju përkujtoj në bisedën tonë që kishim, se shqetësimet tona si popull pakicë, autokton, mbesin po të njëjtat ato që ju kam kumtuar gjatë takimit të javës së kaluar.

I nderuar z. Millatoviq, 

Ndonëse kjo letër është një mesazh urimi, unë po e shfrytëzoj rastin që të ju përkujtoj me disa çështje që ne si shqiptarë na shqetësojnë dekada me radhë:   

– Niveli i centralizimit në Mal të Zi drejtpërdrejtë e kërcënon vendimmarrjen e bashkive kombëtare dhe të vetëqeverisjeve vendore. Urojmë që të punoni për decentralizimin e kompetencave gjë që është shumë  e rëndësishme për arritjen e inkuadrimit, jo vetëm proform të pakicave kombëtare.

– Rajonet ku banojnë shqiptarët kanë potencialin më të madh për zhvillim në Mal të Zi, por kanë mbetur si vendet më të pazhvilluara. 

– Ulqini ka qenë superfuqi detare me flotën e vet të anijeve dhe sot pas 143 viteve ende nuk ka port, edhe pse si deputet e kam kërkuar shumë herë.

– Ulqini ka qenë superfuqi hotelerike e sot ka më pak shtretër në hotele seç ka pasur në vitet e ’80-ta sepse edhe gjatë privatizimit edhe pas tij, interesat politike dhe ekonomike të klasave të caktuara kanë marrë primatin ndaj interesave të përgjithshme të popullsisë dhe punëtorëve.

– Zhvillimi ekonomik i zonave tona duhet të bëhet në atë drejtim i cili nuk do të ndikojë në mënyrë negative në strukturën demografike në mjediset tona.

– Në të kaluarën kemi pasur shqetësim me veprimtarinë e Kishës Orthodokse Serbe në Ulqin, Anë të Malit, Krajë dhe Martinaj.

– Shqiptarëve u është bërë e padrejtë me ligjin zgjedhor dhe besoj që do të jeni përkrahës i kërkesës sonë për mandate të garantuara.

Këto janë shumë pak ndaj asaj që ne si popull na shqetësojnë, por këto dhe shumë të tjera kanë folur të dielën e 2 prillit, ku në vendbanimet shqiptare dalja e ulët kishte një mesazh të qartë.

I nderuar Jakov,

Ne shpresojmë që ju do të jeni promotor i investimeve të vërteta që nxisin zhvillim ekonomik e jo monopole politike. Gjithashtu, besojmë që veprimtaria juaj do të nxisë edhe më tej demokratizimin e vendit, decentralizimin e pushtetit dhe në veçanti përfshirjen e popullit shqiptar në administratë jo për të plotësuar numrat e kënaqur klanet politike, por mbi të gjitha për të punuar sinqerisht.

Që populli shqiptar ka punonjës dhe profesionistë të aftë, më së miri e tregon fakti i suksesit të tyre jashtë Malit të Zi, sepse fatkeqësisht, nuk kishin status të barabartë për të dëshmuar njohurit e tyre në vendin e vet.  

Në mbyllje, dua të ripërsëris urimet tona për fitoren tuaj me shpresën e sinqertë që do të jeni President i të gjithë qytetarëve të Malit të Zi përfshi këtu edhe shqiptarët.

Sinqerisht,

Genci Nimanbegu

Kryetar i Forcës së Re Demokratike
Deputet në Kuvendin e Malit të Zi

By admini