Nga aktivitetet e KK “Ulqini” vitin e kaluar
REAGIM I KLUBIT TË KARATESË “ULQINI”
VLERËSONI TË GJITHË SPORTISTËT, VLERËSONI MUNDIN E TYRE! ATA JANË AMBASADORËT MË TË MIRË TË QYTETIT TONË!
Më 28.12.2022 në Shtëpinë e Kulturës u ndanë mirënjohjet për më të mirët e vitit 2022 në sport dhe në fusha të tjera ku veprojnë, me ç’rast i urojmë përzemërsisht të gjithë ata që u dekoruan me këto mirënjohje.
I përgëzojmë të gjithë ata që punojnë gjatë tërë vitit dhe kanë rezultate të shkëlqyeshme, që u vlerësuan nga Komisioni dhe fituan çmimin e më të mirëve. Urime dhe edhe më shumë rezultate në vitin 2023 dhe të vazhdoni të na përfaqësoni me dinjitet si çdo herë deri më tash!
Reagimi jonë i drejtohet Komisionit apo atyre që në këso mënyrash bijnë vendime, pa pasur asgjë kundër të përzgjedhurve, duke anashkaluar klubet dhe garuesit me rezultate kulminante gjatë tërë vitit. Ju, të nderuar, me këso veprimesh nuk i mbani të rinjtë në sport, por i largoni, kur ata shohin se gjatë tërë vitit në çdo shtet e qytet tjetër kudo që shkojnë vlerësohen rezultatet e tyre duke u shpërblyer me lëvdata e mirënjojehje të ndryshme për suksese, e në qytetin e vet, të cilin e përfaqësojnë edhe me emër të klubit, as nuk përmenden!
Jemi të vetëdijshëm se të gjithë nuk mund të vlerësohen si më të mirët në bazë të kriteriumeve apo edhe pa to (kjo është puna Juaj), por së paku me nga një mirënjohje simbolike është dashur të vlerësohet përfaqësimi i këtyre klubeve dhe i garuesve të tyre, të rinjve tanë.
Klubi jonë, klubi i karatesë “Ulqini” plot 47 vite përfaqëson qytetin e Ulqinit , ndërsa vetëm në vitin 2022 mori pjesë në 34 gara të ndryshme në mbarë rajonin me garues të grupmoshave të ndryshme, prandaj bëni kujdes e mos luani me ndjenjat e sportistëve dhe të rinjve tanë, sepse ata janë e ardhmja e këtij qyteti.
Nga një mirënjohje për rezultate të jashtëzakonshme, si dhe kontributin e dhënë në fushëveprimtarinë e tyre, ashtu siç iu ndanë edhe të tjerëve, sigurisht e kanë merituar edhe garuesit tanë dhe klubi jonë, po edhe shumë klube të tjerë që veprojnë në qytetin tonë, sepse kontribut kemi dhënë edhe ne.
Shumë qytete do të mburreshin me një klub dhe garues të tillë, pasi që çdokund vlerësohemi me nderimet më të mëdha, po këtu, a di kush të vlerësojë? Ju lutemi, ruani këtë pasuri të shtrenjtë që kemi, ruani të rinjtë tanë, mos i zhgënjeni e demoralizoni me këso vendimesh, por shpërbleni të gjithë meritorët, sado të thjeshta e simbolike të jenë ato shpërblime, siç veprojnë edhe shumë qytete e shtete të tjera! Le të jenë ato lista më të gjëra, të jenë më shumë mundësi për të gjithë sportistët, sepse falë Zotit ne kemi shumë meritorë në komunën tonë në fushën e sportit – klube e sportistë të mirë që meritojnë lëvdata.
Urojmë dhe shpresojmë që herëve tjera mos të përsëriten këso lëshimesh, e mos t’i quajmë gabime.
Në vazhdim, disa informata për klubin e karatesë “Ulqini”.
KLUBI I KARATESË “ULQINI” TRADITË 47 VJEÇARE
NJË VIT PA U NDALUR NJË VIT MUND NJË VIT PËRKUSHTIM NJË VIT SAKRIFICË NJË VIT USHTRIME ÇDO DITË NJË VIT NDËR MË TË MIRËT E RAJONIT NË FUND TË VITIT ZHGËNJIM
NËSE SUKSESET NUK JU RANË NË SY, PO ORGANIZIMIN MADHËSHTOR I TURNEUT “ULQINI OPEN” PËR 18 VITE ME RADHË, AS ATË NUK E VËREJTËT SI MERITË TË PËRBASHKËT DHE VLERËSUESE?!
Sukses i madh gjatë vitit 2022 ishte edhe organizimi i Turneut të 18-të ndërkombëtar të karatesë “Ulqini Open 2022”.
Klubi i Karatesë “Ulqini” në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit dhe Federatën e Karatesë së Malit të Zi edhe këtë vit organizoi turneun që vlen për një ndër më të fuqishmit në rajon – Turneun e18-të ndërkombëtar të karatesë “Ulqini Open 2022”, i cili organizohet për nder të Ditës së Ulqinit. Ky turne tashmë tradicionalisht për vite me radhë i kushtohet Ditës së Qytetit tonë të bukur, duke grumbulluar me qindra karateistë e dashamirë të sportit të karatesë nga mbarë rajoni e duke e bërë kështu edhe më madhështor festimin e Ditës së Ulqinit. Në Turne morën pjesë 69 klube të karatesë nga 10 shtete pjesëmarrëse me 1076 garues, që kanë ardhë nga 10 shtete: Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Kroacia, Belgjika, Austria dhe Sllovenia.
KJO ËSHTË FUQI E KJO FUQI MBANË EMRIN E QYTETIT! KLUBI I KARATESË “ULQINI” I KOMPLETUAR ME TRAJNERË DHE REFERË PROFESIONISTË, GARUES SUPERIORË DHE UDHËHEQËS TË ZOT EDHE NË TË ARDHMNEN DO TA LARTËSOJË EMRIN MË TË BUKUR NË BOTË – ULQINI NË PIEDESTALET MË TË LARTA!
A THUA TË GJITHA KËTO REZULTATE NUK MERITUAN NJË MIRËNJOHJE SIMBOLIKE PËR PËRFAQËSIMIN E QYTETIT NË 34 GARA?! SI DUKET NUK E MERITUAN!
– Gjatë vitit 2022 garuesit e KK “Ulqini” morën pjesë në 34 gara, ku arritën të kurorëzohen më 619 medalje: 241 të arta, 148 të argjendta, 230 të bronzta dhe 38 kupa në disiplinat individuale dhe ekipore kata dhe luftëra.
Çdo medalje është numëruar sipas rregullave olimpike: çdo disiplinë ka një medalje, si dhe çdo ekip fitues numëron vetëm një medalje.
– Klubi i Karatesë “Ulqini” për këtë vit nën ombrellën e vet mban kampionë ballkanik, kampionë shtetërorë, kampionë mbarëkombëtarë, nënkampionin evropian të shteteve të vogla dhe shumë kampionë e nënkampionë të turneve ndërkombëtare e medalistë të tjerë.
AS REZULTATET E KËSAJ VAJZEJE TË ARTË NUK JU KANË BËRË PËRSHTYPJE!? A THUA NUK DUHET TË JEMI KRENARË QË KEMI FËMIJË TË TILLË QË KANË ARRITUR KËTË NIVEL?!
EMIRA GJONI – fituese e 27 medaljeve të arta në vitin 2022
Kampione Ballkanike luftëra individuale,
Kampione e Malit të Zi luftëra individuale,
Kampione Mbarëkombëtare luftëra individuale,
Kampione e Kupës të Malit të Zi luftëra individuale,
23 herë kampione e turneve ndërkombëtare, luftëra dhe kata individuale
SIMON SIMONOVIQ Në vitin 2022 ka arritur shumë suksese, por sukseset më të mëdha janë: Nënkampion Evropian i Shteteve të Vogla në luftëra individuale për kadetë, Vaduz- Litenshtajn. Medalist i bronztë në Kampionatin Ballkanik në luftëra ekipore për kadetë
Ekipi i vajzave kadete/juniore
Kampione të Malit të Zi, kampione mbarëkombëtare, kampione të Kupës së Malit të Zi dhe kampione të shumë turneve ndërkombëtare
Dhe shumë e shumë kampionë të tjerë, për të cilët do të duhej të shkruhej në shumë faqe
Përveç garuesve, klubi është shpallur disa herë në disa gara shumë të fuqishme ndërkombëtare klubi më i mirë ose ndër më të mirët.
EKIPI I REFERËVE:
Në vitin 2022 nga radhët e Klubit të Karatesë “Uqini” u licensuan për refere ballkanike Seida Suma dhe Antigona Rama, duke e kaluar me sukses provimin për këtë titull. Tash nga Ulqini kemi tre referë ballkanik dhe evropian të shteteve të vogla: Naim Duraku, Seida Suma dhe Antigona Rama.
EKIPI I TRAJNERËVE ME LICENSA SHTETËRORE DHE BOTËRORE DHE SELEKTOR:
– Aktualisht kemi pesë trajnerë shtetërorë të licencuar dhe një botëror, Kujtim Sukaliqin, i cili po ashtu është dhe selektor i Përfaqësueses së Malit të Zi për gjeneratat U10-U14 vjeçare në luftëra.
– Klubi i Karatesë “Uqini” momentalisht stërvitjet i mban në dy salla në qendër në Ulqin dhe në Katërkollë, Anë të Malit. Numëron 165 anëtarë, nga të cilët mbi 105 garues prej vitit 2023 do të dalin në arenat sportive. KK “Ulqini” nuk brengoset për të ardhmen me këtë fuqi garuese, por do të sulmojë nivelet më të larta në vitin 2023.
Me afër pesë dekadash sakrificë, mund edhe kënaqësi, Klubi i karatesë “Ulqini” kryelartë ka qenë dhe ka mbetur gjithmonë ndër më të mirët, kudo që u paraqit, anë e mbanë botës duke u dëgjuar zëri e mbrojtur ngjyrat e qytetit tonë të zemrës ULQINI, emrin e të cilit e mbajmë me krenari 47 vite.
Të rinjtë tanë sportistë janë ambasadorët e vërtetë të qytetit tonë, ata dinë më së miri të na përfaqësojnë anë e mbanë botës, prandaj ata kanë nevojë për përkrahje më të madhe nga të gjithë, qoftë edhe me një lëvdatë apo mirënjohje të shkruar në letër.
Ulqin, më 30.12.2022
Klubi i Karatesë “Ulqini”