Kadri leskovci

Nga Gani Karamanaga

Kafeneja e vogël në afërsi të Plazhit të Vogël. Në tavolinë me ne u ul Kadri Leskovci. Kishte ardhur nga Gjermania për pushimin veror.
“ Do të jemi këtu në Ulqin deri më 20 shtator. Tash disa vite jemi në pension. Gruaja ime Marijana ka filluar të harrojë, duhet kujdesuar për të vajza edhe unë”.
Kadriu në dekadën e gjashtë të shekullit XX ishte nxënësi i Riza Shurdhës, fotografit legjendar të Ulqinit.
“Kam mësuar zanatin e fotografit te Rizoja. Kam punuar edhe në laboratorin e tij, por edhe si fotograf në plazh. Gruaja e parë e Rizos ka qenë Cveta nga Beogradi. Së bashku me mua ishte nxënëse e punëtore edhe Nada, vajza e Kresho Raçiqit, që kanë jetuar në Ranë. Duke punuar aty e vërejta afërsinë e Rizo Harapit me Nadën. Daja im, Qiro Zyberi, ishte shok i ngushtë me Rizo Harapin. Një herë më pyeti: “A ke pa ndonjë gjë ndërmjet Rizos edhe Nadës? U përgjigja se unë nuk di gjë. Daja më tha: “Edhe ti qenke si ata të dy.” (E vërteta ishte se unë i kisha vërejtur në odën e territ duke u përqafuar Rizon me Nadën). Dhe kështu, Cveta shkoi për Beograd dhe Rizo Shurdha u martua me Nadën” – e vazhdoi Kadriu tregimin e tij.
E pyeta: Më thuaj se kur ke shkuar në Gjermani?
“Kam pasur 23 vjet. Kemi qenë fukara. Baba ka nxan peshk, fëmijë shumë, kena qenë katër vëllezër dhe dy motra. Nëna Havaja është munduar shumë me gjithë babën për të jetuar. Atëherë filloi turizmi masovik. Erdhën edhe prej Gjermanisë dhe vendeve të tjera. Në lokalitetin, në Sukë, në afërsi të hotelit “Jadran”, në vitin 1960 Organizata Rinore “Pan-Europa” nga Gjermania, ndërtoi pushimore me disa shtëpiza përdhese. Këtu u njoftova me Marijanën. Si thuhet dashuria nuk pyet, nuk ka kufi”.
Hoteli “Jadran” gjendej në siujdhesën më të bukur të pjesës bregdetare të Ulqinit, në Sukë. Në këtë vend më përpara ishte shtëpia e cila fillimisht i takonte Ismail Pashës. Pasi ai shkoi me detyrë në Egjipt, shtëpinë e bleu Beqir Suma. Pastaj, në mënyrë të dhunshme, këtë shtëpi e mori mbreti i Malit të Zi, Nikolla I, si rezidencën e tij.
Pjesa e parë e hotel “Jadran”-it u ndërtua më 1938. Në vitin 1945, pas Luftës së Dytë Botërore vazhdoi rindërtimi, kështu që kishte kapacitetin prej 120 shtretërve. Tërmeti i vitit 1979 e shkatërron plotësisht dhe kurrë më nuk u rindërtua.
Në këtë vend deri tani nuk u rindërtua më hoteli i dikurshëm.
Kadriu kujtohet:
“Ditët e bukura kaluan shpejt, Marijana u kthye për Gjermani. Mbas pak kohe më erdhi me postë një zarf i madh. Ishte aty garancia dhe 200 marka për rrugë. U nisa deri në Tivar. Prej Tivarit me autobus deri në Split. I hipa trenit i cili shkonte deri në Gjermani, në Mynih. Pas dy ditëve udhëtimi mbërrita në Mynih. Dola prej trenit i habitur, shumë drita, ndërtesa, një botë tjetër. Menjëherë, dikush më troklloi në shpinë, u solla, ishte Marijana me shokun tim, Fredin”.
Kadri u punësua në një firmë të madhe për fotografi.
Tash pas shumë viteve, vjen rregullisht në Ulqin. Para 20 viteve ka ndërtuar shtëpinë në Kodrën e Meterizit.
Kadriu ishte me sheshir në krye. Gjithmonë i qeshur, shumë e do shoqërinë.
I fola: “Po të shikoj, shumë i përngjan nëndajës tënde, Neçe Zyberit e cila ishte kojshija jonë, në Kala”.
Gjyshja e tij (nëndaja), Neçe Zyberi, ka jetuar në Kalanë e Ulqinit. Me familjen e djalit të saj, Mustafës, kanë banuar në katin e parë të shtëpisë së Qame Fazlibegut. Neçja ka qenë mamia e të gjithë fëmijëve të Kalasë në atë kohë. Të gjithë neve na ka lindur ajo. Ka qenë grua e urtë, ka pasur një seriozitet dhe një besim të madh. Ashtu siç thotë edhe babai i mjekësisë, Hipokrati, ajo ka ditur ta ruajë çdo gjë lidhur me punën e saj. Kanë jetuar vështirë prej peshkimit.
Më vonë, si mjek i ri vizitova njëherë maminë tonë, Neçe Zyberin.
Ka vdekur në pleqëri të thellë.
Kadriut i thash: Na flit edhe diçka tjetër për Rizo Harap Shurdhën?
Kadriu me nostalgji, i buzëqeshur, fillon tregimin për Rizon dhe ato kohëra:
„Unë kam qenë nxënësi i dytë i Rizo Harapit. Para meje ka mësuar dhe punuar Mitar Andriqi, prej Limanit. Edhe Nada, gruaja e Rizos, filloi atëherëtë punonte te Rizoja. Rizo Shurdha e ka dashtur shoqërinë. Shpeshherë vinte profesori Ilija Vuksanoviq. Rizo më thonte:- Na i sjell – (dy birra). I merrja në hotelin „Republika“. Pas një sahatit thoshte: – Na i sjell edhe 4-. Tjetër herë më tha të shkoja te motrat e tij, të cilat kanë banuar sipër barnatores së vjetër, që të sillja tavën me mish të përgatitur. Kur u ktheva, u ulëm të hanim. Rizo m’i dha dy copa mish. Ne në shtëpinë tonë nuk kemi hangër mish kurrë, vetëm peshk të cilin e zinte baba Qamili”.
Kadriu vazhdoi: “Në Gjermani më ka ndihmuar shumë përvoja dhe puna në “Foto Pinjesh”, te Rizoja. Kam pasur punën jo të rëndë. Gjithmonë kur kam ardhur në Ulqin e kam takuar Rizon. Ai ka mbetur mësuesi, miku dhe bamirësi im, ka qenë legjenda e Ulqinit…”. /Koha Javore/

By admini