Të shtunën me 11 prill 2026 në Ulqin u mbajt aktiviteti përmbyllës i projektit “Të rinjtë, identiteti dhe përkatësia në procesin e integrimeve”, i realizuar nga OJQ Horizonti i Ri me mbështetjen e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave.

Ngjarja mblodhi të rinj nga Ulqini dhe Tuzi, përfaqësues të institucioneve shtetërore, mësimdhënës dhe përfaqësues të shoqërisë civile, duke krijuar një hapësirë diskutimi mbi rolin e të rinjve në proceset integruese dhe rëndësinë e ruajtjes së identitetit.

Në hapje të aktivitetit foli drejtori i përgjithshëm në Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, z. Arben Xhurreta, i cili nënvizoi impenjimin që ka kjo ministri në mbështetja e projekteve që promovojnë demokracinë, të drejtat e pakicave dhe përfshirjen shoqërore.

Gjatë ligjëratës së tij mbi sfidat e sistemit arsimor në proceset integruese, Fikret Lulanaj nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit theksoi se sistemi arsimor në Mal të Zi dhe në rajon përballet me sfida të shumta, duke përfshirë nevojën për përafrimin më të mirë ndërmjet arsimit dhe tregut të punës, emigrimin e të rinjve, si dhe nevojën për reforma më të thella dhe investime më të mëdha në arsim.

Ndërkohë, në ligjëratën e saj mbi perspektivën evropiane të Malit të Zi, Arta Lika nga Ministria për Çështjet Evropiane foli për rëndësinë e përfshirjes aktive të të rinjve në procesin e integrimit dhe për mundësitë që ky proces ofron për zhvillimin e tyre. Ajo prezantoi rrugëtimin e Malit të Zi që nga nisja e  negociatave në vitin 2012.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua rezultateve të projektit, ku u nënvizua roli i kampit edukativ në Plavë dhe Guci si aktiviteti qendror, i cili krijoi hapësirë për edukim, debat dhe fuqizim të të rinjve mbi të drejtat e pakicave dhe pjesëmarrjen qytetare. Kjo pjesë e programit u moderua nga Vediha Gjoni, njëherësh koordinatore e programit trajnues në këtë projekt.

Në përmbyllje të aktivitetit u bë ndarja e diplomave për pjesëmarrësit e programit, duke vlerësuar angazhimin dhe kontributin e tyre gjatë gjithë projektit.

Te rinjtë që ndoqën këtë projekt edukativ i përshëndetën dhe i përgëzuan për angazhimin dhe për përfshirjen në programe që i fuqizojnë ata për t’u përballur me sfidat e proceseve integruese, edhe drejtorët e shkollave të mesme nga Ulqini e Tuzi, Ardita Kovaçi dhe Sehad Lulanaj. Ata njëkohësisht theksuan rëndësinë e vazhdimësisë së iniciativave të tilla për zhvillimin personal dhe shoqëror të të rinjve në komunitet.

By admini