Më 3 maj 2014 në Herceg Novi u mbajt Kampionati i Karatesë së Malit të Zi për Fatosa, Pionierë dhe Shpresa, në të cilin karateistët e Klubit të karatesë “Ulqini” u kurorëzuan me 17 medalje, prej tyre 3 të arta, 6 argjendta dhe 8 të bronzta. Në këtë Kampionat Klubi i karatesë “Ulqini” u paraqit me 20 garues.
Titullin Kampionë të Malit të Zi e fituan: Ronald Jacoviq, Resul Ceka dhe Elvir Islami.
Në disiplinat individuale me nga disa medalje u kurorëzuan këta garues: Ronald Jacoviq – 1 e artë dhe 1 e argjendtë, Resul Ceka – 1 e artë dhe 1 e bronztë, Elvir Islamoviq – 1 e artë, Diellëza Rama – 1 e argjendtë dhe 1 e bronztë, Xhenisa Dervishaga – 1 e argjendtë, Yllëza Rama – 1 e argjendtë, Eliza Salihu – 1 e bronztë, Gabriell Bytyqi – 1 e bronztë, Adis Demiri – 1 e bronztë, Simon Simonoviq – 1 e bronztë dhe Erijon Hasani -1 e bronztë.
Fitues të medaljeve të argjendta dhe njëkohësisht nënkampion të Malit të Zi u shpallën dhe dy ekipe: ekipi i fatosave dhe fatoseve, në përbërje Rea Kurti, Yllëza Rama, Xhenisa Dervishaga, dhe Simon Simonoviq, Riad Tafiq dhe Adis Demiri.
Ndërsa me medaljen e bronzt u kurorëzu ekipi i shpresave, në përbërje Albert Rudoviq, Elvir Islami dhe Ronald Jacoviq.
-S’mund të themi se jemi të kënaqur me këto rezultate që kemi arritur, sepse garuesit tanë ishin shumë të dëmtuar nga ana e referëve. Nuk mund të jetë rastësi që garuesit tonë të humbin në 6 finale, edhe pse ishin dukshëm më të mirë se kundërshtarët. Kemi dëshmi të manipulimit të referëve në disa inçizime të luftërave, ku shihet qartë dëmtimi ndaj garuesve tanë.
Këtu duhet të cekim rastin e garueses sonë Diellëza Ramës,e cila e mban titullin e kampiones së Malit të Zi për 4 vite me radhë dhe e pa konkurencë në kategorinë e vet. Padrejtësia e referëve ndaj saj ishte shumë e dukshme, kur edhe pas një lëndimi shumë të rëndë nga ana e kundërshtares, referi jo vetëm që nuk e dënoi kundërshtaren e saj sipas rregullave, por i dha tri pikë, duke ia mundësuar kështu fitoren. Trajnerët menjëherë protestuan për padrejtësinë dhe sjelljen e referit, i cili atyre u përgjigj me këto fjalë: “Kështu kam vepruar kësaj herë dhe kështu edhe do të veproj edhe 10 herë të tjera nëse më jipet rasti t’ju bëj këtë!”
Për këtë sjellje, jo vetëm arogante, por edhe diskriminuese të referit udhëheqësia e klubit i është drejtuar Federatës së Karatesë së Malit të Zi me ankesë që në mënyrë urgjente dhe të prerë të merren masa ndaj referit në fjalë. Na mbetet vetëm të shpresojmë që rastet e tilla nuk do të ndodhin më, por shpresat janë të vogla, sepse këto padrejësi po na ndodhin shumë shpesh, shprehen të revoltuar trajnerët e klubit.
Për ndihmën e dhënë për pjesëmarrje në këtë garë ata falënderojnë ndërmarrjen “Elita Grup” në krye me Enver Demirin, prindërit e garuesve, si dhe kryesinë e klubit.
Shërbimi informativ i Klubit të Karates ”Ulqini”