Përdorimi i simboleve kombëtare deri në vitin 1968 ishte i ndaluar. Edhe pse ishte lejuar përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar, të gjithë ata që e shfrytëzonin këtë të drejtë nuk shikoheshin me sy të mirë, por përkundrazi u vunë nën kontrollin e vazhdueshëm të SHSSH-së apo UDB-së, siç akoma njihej dhe përjetohej nga populli. E drejta e përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar zgjati vetëm 13 vjet, sepse pas ngjarjeve në Kosovë në vitin 1981, edhe kjo e drejtë e shqiptarëve në Mal të Zi u ndërpre. Në të vërtetë, ndalimi i përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar ishte vetëm ndalesë politike, sepse përdorimi i flamurit shqiptar deri në vitin 1990 nuk u ndalua me ligj.

Cenimi i atyre të drejtave civile të shqiptarëve në Malin e Zi, të garantuara me aktin më të lartë juridik shtetëror dhe me aktet ndërkombëtare, nënshkruese e të cilave ishte edhe Jugosllavia, nga mosveprimi i vetë shtetit e bën Jugosllavinë përgjegjëse para bashkësisë ndërkombëtare dhe dokumenton se ratifikimi i atyre akteve ka qenë sa për formë, duke i përdorur vetëm për të rritur imazhin e vet ndërkombëtar e jo për të respektuar të drejtat qytetare të shqiptarëve.

Kushdo nga shqiptarët që merrte guximin të shprehte përkatësinë kombëtare me qëllim të kërkimit të të drejtave të mohuara arsimore e kulturore ose kushdo që guxonte të këndonte këngë shqipe apo të lexonte ndonjë libër të botuar në Shqipëri, pa marr parasysh përmbajtjen, dënohej me burg shumëvjeçar. Shqiptarët në Mal të Zi, për periudhën 1945-1990 u dënuan me më shumë se 380 vite burg. Kjo e dhënë dhe fakt i pakontestueshëm më së mire e ilustron poziten politike të shqiptarëve në Mal të Zi.

Nga analiza e të gjitha dokumenteve të vlefshme që i kam përdorur gjatë shkrimit të këtij libri, del qartë se shteti i ka keqpërdorur shqiptarët për arritjen e qëllimeve të veta, për t’u treguar para faktorit ndërkombëtar si faktor stabilizues në rajon e më gjerë me gjoja plotësimin e të gjitha të drejtave qytetare të pakicave sipas standardeve më të mira evropiane. Por realiteti ishte krejtësisht tjetër. Shqiptarët u keqtrajtuan, u dënuan e u diskriminuan dhe kështu mbetën pjesa më e nënçmuar e popullsisë në Jugosllavi, gjegjësisht në Malin e Zi. Me pjesëmarrjen e tyre të vogël në pushtet, ata nuk patën mundësi të ndikojnë në zhvillimin ekonomik e kulturor në përgjithësi e veçanërisht të trojeve shqiptare. Rrjedhimisht shqiptarët nuk patën ndikim në vendimmarrje për shpëtimin e shkatërrimit të Jugosllavisë. Megjithatë, ata u cilësuan si nacionalistë dhe iredentistë si dhe u fajësuan për shkatërrimin e shtetit federal.

Nga shqyrtimi i të gjitha dokumenteve veç e veç e të gjithave së bashku mund të konstatojmë se Jugosllavia, gjegjësisht Mali i Zi, nuk veproi ndaj shqiptarëve ashtu si kishte marrë obligim me ratifikimin e akteve ndërkombëtare e po ashtu as në përputhje me aktin më të lartë juridik të shtetit – Kushtetutën e vendit. Rrjedhimisht, liritë dhe të drejtat civile të qytetarëve shqiptarë në Malin e Zi u shkelën pamëshirshëm për plot 45 vite me radhë. Qëllimi politik mbizotëroi mbi aktet juridike, kështu që pozita kushtetuese-juridike e shqiptarëve në Malin e Zi ishte e kushtëzuar nga politika partiake dhe shtetërore.

Pasojat e ndikimit politik mbi aktet juridike bënë që shqiptarët në Malin e Zi të mos konsiderohen asnjëherë të barabartë me malazezët në asnjë sferë të jetës së përditshme, por u ndien të nënçmuar e të diskriminuar.

Periudha kohore e trajtuar në këtë libër është shumë komplekse, sidomos për faktin se kemi të bëjmë me një shtet komunist, ku jo gjithmonë ngjarjet dhe proceset janë bërë në mënyrë transparente madje shpeshherë gjurmët e ngjarjeve apo proceseve janë zhdukur, siç është rasti i djegjes së të gjitha fasiklave të UDB-ës në Ulqin gjatë mbajtjes së Plenumit të IV të LKJ-së në Brione. Për këtë arsye mendoj se, me qëllim të nxjerrjes së fakteve të reja që do të ndihmonin ndriçimin e kësaj periudhe historike për popullin shqiptar në Malin e Zi.

By admini