dritan abazoviq

I mandatari për kryeministër të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka dorëzuar në Kuvend programin e punës së Qeverisë së 43-të, të cilën synon ta udhëheq.

Seanca e Kuvendit e Malit të Zi, ku pritet të votohet Qeveria në krye me Abazoviqin, ka nisur në orën 13:00 në Cetinje, shkruan gazeta “Vijesti”.

Në fillim u zgjodh kryetarja e Kuvendit, Daniela Gjuroviq, e më as Abazoviqi paraqiti ekspozenë para deputetëve.

Abazoviq vuri në dukje se qeveria e re do të bazohet në dy shtylla kryesore – shtetin e së drejtës dhe zhvillimin ekonomik.

Në pjesën hyrëse të ekspozesë thuhet se Mali i Zi ka nevojë për stabilitet politik dhe social, sepse qytetarët presin që përfaqësuesit e tyre të japin një kontribut shumë më të madh për pajtimin dhe largimin e tensioneve, që ai i quajti artificiale.

“Prapa këtyre tensioneve gjithmonë kanë interesat e qarqeve individuale apo dëshira për përfitime të vogla politike”, tha kreu i Lëvizjes Qytetare URA.

Kjo lëvizje, në Kuvend përfaqësohet me katër deputetë. Abazoviq ka marrë përkrahjen e komuniteteve dhe të partisë së presidentit Milo Gjukanoviq, për t’u zgjedhur kryeministër.

Në Qeverinë e fundit, të rrëzuar më 4 shkurt, Abazoviq ishte zv.kryeministër dhe partner me partitë proserbe.

“Detyra e kësaj gjenerate politikanësh është që të punohet për një kompromis për interesat e përgjithshme shoqërore, në dobi, jo në dëm të qytetarëve tanë. Vetëm me mirëkuptim reciprok, respekt dhe gatishmëri për të vënë interesin shtetëror para atij personal dhe partiak, ky shtet mund të ecë përpara. Prandaj sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik do të jenë dy shtyllat kryesore të qeverisë së re”, tha Abazoviq, përcjell “Vijesti”.

Qeveria në krye me Abazoviqin pritet të ketë 20 ministri, përfshirë dy pa portofol. Katër prej ministrave ose ministreve do të jenë edhe zv.kryeministër ose zv.kryeministre.

/Koha Net/

By admini