dritan abazoviq

Politikani shqiptar nga Ulqini, Dritan Abazoviq, është zgjedhur sonte kryeministër i ri i Malit të Zi.

Për Qeverinë e re, votuan 45 deputetë nga 81 sa i ka Kuvendi i Malit të Zi kurse 3 vota ishin kundër, shkruan Ulqini Online

Qeveria e re e Malit të Zi, është e 43-ta dhe pasardhëse e asaj që u shkarkua më 4 shkurt, e ku Abazoviq ishte zv.kryeministër.

Në Qeverinë e re të pakicës, ai do të udhëheqë Qeverinë të cilën do ta përbëjnë edhe Partia Popullore Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.

Kabineti i ri do t’i ketë 18 ministri dhe katër zëvendëskryeministra.

Në rrjetat sociale menjeherë pas zgjedhjes së Abazoviqit kanë ”shpërthyer” urimet nga të gjitha anët ku jetojnë shqiptarë.

”Pra, Ulqini ynë i vogël, Ulqini ynë i bukur, i dha sot kryeministrin edhe një shteti tjetër.Ulqinaku Dritan Abazoviq u bë sot kryeministri i parë shqiptar i Malit të Zi, kurse Albin Kurti u bë më herët kryeministri i parë i Kosovës me prejardhje nga Ulqini.Përndryshe, kjo e enjte e prillit të vitit 2022 i gjen shqiptarët me 3 kryeministra në tri shtete të ndryshme, 1 kryeparlamentar dhe 1 zv.kryeministër në shtetin e katërt. Ëndërrimtarët arrijnë!”, kështu shkruan gazetari dhe publicisti shqiptar nga Kosova, Adriatik Kelmendi.

Në ndërkohë nëpërmes rrjeti social ka uruar edhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.

”Urime të përzemërta dhe shumë suksese z.Dritan Abazoviç për zgjedhjen në detyrën e lartë të Kryeministrit të Malit të Zi.Shpresëplotë se marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore mes dy shteteve tona do të fuqizohen akoma më shumë në interes të popujve tanë. Progresi i Malit të Zi dhe avancimi në proceset integruese janë shumë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët që jetojnë atje, për të ardhmen e përbashkët europiane, si edhe për forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë”, shkruan presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta.

Poashtu edhe gazetari i njohur shqiptar Blendi Fevziu ka uruar kryeministrin e ri të Malit të Zi.

”Dritan Abazovic zgjidhet Kryeminister i Malit te Zi me 45 vota. Suksese Kryeministrit te pare shqiptar te Malit te Zi”, shkruan Fevziu.

Numri i mesazheve të urimit për këtë pak kohë ka qenë shumë i madh dhe shumica e posteve kishte një të përbashkët, Urime Dritan, të priftë e mbara!

By admini