Takim-me-shkrimtaret-shkodraneFjala përshëndetëse në Takimin me shkrimtarët shkodranë në Ulqin

Ali Salaj
Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, si shoqatë joqeveritare, arriti në këto vitet e fundit të zhvillojë një raport më të avancuar të bashkëpunimit institucional me Bibliotekën Publike “Marin Barleti” Shkodër dhe me Shoqatën e Shkrimtarëve Shkodër. Ky bashkëpunim, i cili për rrethana të ndryshme ka munguar, u fuqizua edhe falë angazhimit të drejtorit të Bibliotekës, z. Gjovalin Çuni, dhe kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër, z. Skender Temali, të cilët ndihmuan në prezantimin e kulturës së shqiptarëve në Mal të Zi në Shkodër. Duke qenë se letërsia e shqiptarëve në Mal të Zi është një filiz i kulturës kombëtare, mbetet obligim i përbashkët në avancimin dhe thellimin e bashkëpunimit me qëllim që të njihemi më mirë dhe t’i zhdukim barrierat e panevojshme kulturore. Në të vërtetë, kultura jonë do të kthehej atje ku ishte gjatë historisë – një kulturë e përbashkët ndër shekuj. Për t’i përtërirë këto marrëdhënie duhet të bëhemi pjesë e komunikimit të përbashkët letrar, duke i tejkaluar sforcimet e nganjëhershme provinciale në kulturë. Ky tejkalim bëhet vetëm me mbështetjen e ndërsjellë të krijuesve, shoqatave dhe institucioneve përkatëse.
“Art Club”-i gjatë këtyre viteve ka ideuar, nxitur dhe mbështetur veprimtarinë kulturore, si botimet letrare e shkencore të shqiptarëve në Mal të Zi, konferencat, simpoziumet, ekspozitat etj. Në këtë kuadër, e shoh si tejet pozitive partneritetin me institucionet kulturore të Shkodrës ku besoj se në të ardhmen do të jetë dominues komunikimi letrar dhe kulturor midis dy qyteteve, Ulqinit dhe Shkodrës.

By admini