Gjekë Gjonaj
Botimi i kësaj monografi kushtuar 25-vjetorit të themelimit të Shkollës së Muzikës në Ulqin pa dyshim është një rast i mirë që autori i veprës, profesor Jusuf Lika, themelues dhe drejtor i kësaj shkollë, do ta ndihmojë lexuesin për njohjen e kësaj periudhe të caktuar të kësaj familje të madhe muzikantësh. Është një rast evokimi të një historie të kësaj shkollë e cila për dy dekada e gjysmë dha një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin dhe pasurimin e traditës muzikore të Ulqinit dhe pati një rol të rëndësishëm për përhapjen e artit muzikor në përgjithësi.
Autori, si njohës i mirë i kësaj shkollë dhe rrethanave të kësaj fushe të dijes. ka bërë përpjekje dhe ia ka dalë faqebardhë ta pasqyrojë punën, rrugëtimin dhe arsimimin e gjeneratave të deritashme në sistemin monist dhe pluralist. Nëpërmjet kësaj vepre monografike, autori ka treguar dashurinë e madhe të tij ndaj kulturës muzikore në Ulqin, i cili, si Konstantin Kristoforidhi ynë i madh, i cili pati vjelë fjalë shqipe, edhe Jusuf Lika , voli shënime dhe dokumente të nevojshme për ta hartuar këtë vepër, e cila po e sheh dritën mu në kohën kur shkolla shqipe po rrugëton drejt ecjes përpara.
Kjo vepër sikur ka një “brumë” joshës për ata që e duan muzikën, artin e shpirtit, artin e jetës, e cila, në fakt, do t’i plotësojë dëshirat e artdashësve për të pasur njohuri për rrugën e shkollimit në lëndën e muzikës në Shkollën e Muzikës në Ulqin, nga fillimi e gjer më sot.
Ajo është monumenti më i bukur që i ngrihet shkollës, monument që përfaqëson vlerësimin më të lartë për rolin, rëndësinë dhe kontributin e saj e shumëplanëshe në ecurinë e muzikës sonë kombëtare e botërore.
Vlen të theksojmë se, nuk ka qenë punë e lehtë e autorit për t’i hulumtuar, për t’i grumbulluar e gjetur të gjitha ato të dhëna dhe për t’i sistematizuar brenda faqeve, sa ka kjo monografi, ku autori ka trajtuar e ka ndriçuar punën e këtij tempulli jete e drite për të rinjtë që e duan artin muzikor, të cilët, e kryen disa gjenerata mjaft të talentuara, ku punuan e u angazhuan disa pedagogë të artit muzikor , interpretë dhe krijues të trevave të ndryshme, të cilët i dhanë fuqi e “jetë” kësaj shkolle me çelësin e pentagramit drejt rrugës së një shkolle shumë të adhuruar nga shkollarët
Kjo monografi është një histori e mos harresës së kësaj faqe të ndritur të këtij institucioni publik arsimor, ku janë tubuar intelektualët e artit muzikor, të cilët , kush më shumë e kush më pak kanë dhënë dhe po japin nga vetja aftësitë më të mira të tyre, të cilët vazhdojnë të jenë misionarë të dritës e diturisë, që me një vullnet e dashuri punuan me talentë deri në vetëmohim. Brenda kësaj vepre autori ngërthen një materie sa interesante dhe të bollshme, një historik përmbledhës me interes të përgjithshëm.
Krahas vlerave njohëse, studimore dhe edukative për lexuesin e gjerë e veçmas për artistët, nxënësit, studentët, mësuesit e pedagogët e muzikës, monografia e prof. Jusuf Likës kushtuar Shkollës së Muzikës në Ulqin sjell dhe vlera të reja e të rëndësishme në pasurimin e historiografisë muzikore shqiptare. Monografia në fjalë është një material që do t’u shërbejë studiuesve të ardhshëm për të njohur fillimet dhe rrugëtimin aspak të lehtë por të suksesshëm të nxënësve dhe pedagogëve të kësaj shkolle të ultë të muzikës.
Ulqin, 24 qershor 2020