– U befasova si mund të pranohej kjo gjë …kur kishte punime të tjera dinjitoze!

-Skëndebeu simbolizon një luftëtar të pathyeshëm, i armatosur me përkrenaren e tij të lavdishme me kalin besnik dhe me një qëndrim heroik.

– Skulptori Julian Muçollari: Për shqiptarët Skënderbeu është simbol i unitetit, i vizionit shtetformues, i besës, i përkushtimit ndaj kombit, jo ky Skënderbe

-Duke qenë korrekt me kolegët kam rezervat e mia për vendosjen e një vepre të tillë monumentale

-Skënderbeu i Sabri Behramajt është abstrakt, vepër atipike dhe futuriste dhe i shmaget traditës.

Albert Z. ZHOLI

Këto ditë u shpallën fituesit e konkursit ndërkombëtar për monumentin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu në Ulqin. Komuna e Ulqinit ka përmbyllur konkursin ndërkombëtar për përzgjedhjen e zgjidhjes ideore të monumentit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Në këtë konkurs kanë marrë pjesë 17 punime nga autorë të ndryshëm, të cilat kanë përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara në shpalljen e konkursit. Të gjitha punimet janë shqyrtuar dhe vlerësuar nga një komision i përbërë nga:

Prof. Gazmend Leka, piktor
Prof. Adem Rusinovci, skulptor
Prof. Dejan Duraković, skulptor
Prof. Muhamet Mala, historian
Gazmir Pulti, arkitekt


Në bazë të kritereve të përcaktuara në detyrën projektuese, komisioni ka shpallur punimet fituese si më poshtë:

Vendi i parë: Shifra 2030 – autor Sabri Behramaj
Vendi i dytë: Shifra 54 – autor Vasil Rakaj
Vendi i tretë: Shifra PHOENIX – autor Agron Ujkashi

Komuna e Ulqinit falënderon të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre krijues dhe profesional në këtë proces të rëndësishëm për identitetin kulturor dhe historik të qytetit tonë. 
Reagime dhe debate

Është shpallur modeli fitues për monumentin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, i cili do të vendoset  në Ulqin, por nuk ngelet me kaq.

Nga Komuna e Ulqinit kanë njoftuar se është përmbyllur me sukses konkursi ndërkombëtar për përzgjedhjen e zgjidhjes ideore të monumentit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Pas shpalljes së vendimit për fituesin ka pasur shumë kontestime nga autorë të ndryshëm. Shumica thonë se skulptura fituese nuk ka në thelb figurën madhështore dhe krenare të Skënderbeut.  Thënë thjesht, punimi abstrakt i Skënderbeut, i cili ka fituar ka ngjallur kritika të opinionit. Pikërisht vepra atipike dhe futuriste e Brahimajt ka ngjallur reaksion refuzues. Realisht e drejta e gjithkujt është legjitimitet i të drejtës për të patur të drejtë të japë mendimin e tij, për sa dhe si ai mendon për një vepër arti, duke ju përgjigjur ndjenjës kombëtare dhe thirrjes së shpirtit kombëtar.

Këto kritika që do të gjenerojë debati në vijim, është legjitime dhe vjen nga një pritshmëri e rrënjosur thellë në ikonografinë tradicionale të Skënderbeut, ku ai është përfaqësuar si luftëtar i pathyeshëm, i armatosur me përkrenaren e tij të lavdishme me kalin besnik dhe në një qëndrim heroik. Megjithatë, përgjigja ndaj kësaj kritike kërkon një hapësirë mirëkuptimi ndërmjet artit si memorie dhe artit si reflektim bashkëkohor. Për shqiptarët Skënderbeu është simbol i unitetit, i vizionit shtetformues, i besës, i përkushtimit ndaj kombit, dhe këto janë koncepte, jo thjesht atribute fizike.

Punimi fitues i autorit Sabri Behramaj me një punim abstrakt të Skënderbeut ka ngjallur kritika të opinionit. Ja si shprehet një ndër skulptorët pjesëmarrës në konkurs:

– Skulptori, Julian Muçollari: U ndjeva i fyer dhe jashtë çdo perimetri në konkurs, që vepra ime u prezantua e amballazhuar me dërrasa

Jam skulptori Julian Muçollari, autor i shumë veprave si ajo e monumentit të Ibrahim Rugovës në qendër të Prishtinës, mbretëreshës Teuta etj.

E vlerësova dhe ndjehem i angazhuar në konkursin e Heroit tonë Kombëtar “Gj.K. Skënderbeu” në Ulqin. Një vlerë dhe predispozicion maksimal i imi dhe kolegëve. Por u ndjeva i fyer dhe jashtë çdo perimetri në konkurs, që vepra ime u prezantua e amballazhuar me dërrasa, e paprecedent për një konkurim gjë që reagova me organizatorët dhe për fyerje të dinjitetit të autorit dhe konkursit serioz.

Respekt për kolegët e mi që kishin paraqitur punë serioze dhe dinjitoze për këtë figurë Kombëtare Shqiptare. Duke qenë korrekt me kolegët kam rezervat e mia për vendosjen e një vepre monumentale dinjitoze, por si pjesëmarrës në konkurs ruaj etikën profesionale, kritikët e artit duhet të flasin. Duhet fjala e profesionistëve pasi unë kam pretendim.

**

Piktori dhe tenori për Telegraf.al, Edmond Tullumani: Ky Don Kishot i quajtur fitues nuk është për tu vendosur në qytetin e lashtë të Ulqinit!

Mora gazetën Telegraf në fillim të javës dhe si gjithmonë dhe m’u bë qefi kur pashë  shkrimin e zotit F.Shkreli një personalitet i gazetarisë shqiptare për reagimin e tij për  vendosjen e monumentit të Heroit Kombëtar Skënderbe në Ulqin!

Atë ditë qëllova me një mikun tim skulptor në Ulqin dhe pashë ekspozitën e këtyre veprave në konkurim ku organizatori më pyeti: ” A të pëlqen ky çmimi i parë i Skënderbeut që do vendoset në Ulqin ?” Pa nguruar ju pergjigja qartë dhe prerë …..I nderuar! Ky Don Kishot i quajtur fitues nuk është për tu vendosur në qytetin e lashtë të Ulqinit !!! Dhe vërtet isha i befasuar si mund të pranohej kjo gjë …kur kishte punime të tjera dinjitoze! Pata rezervat e mia pasi në traditën tonë Skënderbeu tregohet madhështor, gjithmonë mbi kalë në ecje, me shpatën lart, krenar, triumfues. Kjo skulpturë kishte diçka abstrakte, moderrne, jashtë traditës./Telegraf.al

By admini