
Ilustrim
Kryetari i Komunës së Ulqinit Genci Nimanbegu bën thirrje për angazhim të përbashkët
Me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit, Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka shprehur mirënjohjen e tij për të gjithë individët dhe institucionet që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të gjerë në këtë drejtim, shkruan Ulqini Online.
Në një deklaratë për mediat, Nimanbegu ka inkurajuar të gjithë aktivistët e sektorit civil, sekretariatet, institucionet publike, shkollat, kopshtet dhe qytetarët në përgjithësi që të vazhdojnë me përkushtim veprimet dhe iniciativat që synojnë përmirësimin e gjendjes mjedisore në nivel lokal dhe më gjerë.
“Çdo nismë, sado e vogël, ka vlerë të madhe në përpjekjet tona për të ruajtur dhe përmirësuar mjedisin ku jetojmë. Kujdesi për tokën, ujin dhe shtimi i hapësirave të gjelbëruara duhet të jetë gjithmonë prioriteti ynë,” – u shpreh Nimanbegu.
Ai theksoi gjithashtu se Komuna e Ulqinit mbetet e përkushtuar për të mbështetur çdo aktivitet që ka për qëllim mbrojtjen e natyrës dhe nxitjen e qëndrueshmërisë mjedisore. “Ne do të jemi përherë krah çdo iniciative që sjell ndryshim pozitiv për komunitetin dhe natyrën tonë,” shtoi kryetari.
Dita Botërore e Mjedisit, e cila shënohet çdo vit më 5 qershor, është një moment i rëndësishëm për të reflektuar mbi ndikimin tonë në natyrë dhe për të ndërmarrë hapa konkrete drejt një të ardhmeje më të gjelbër dhe të qëndrueshme.