Kol-Biba.mirakajNga Frank Shkreli

Kohët e fundit më ra në dorë libri me titull, “Vetvrasja e një Kombi”, me autor Kol Bib Mirakaj, njëri prej protagonistëve kryesorë të ngjarjeve të periudhës kritike për Shqipërinë e viteve të Luftës së Dytë Botërore. Libri i botuar kohët e fundit nga Shtëpia Botuese Fiorentina në Shkoder është një vëllim prej 250-faqesh i dorëshkrimeve të përfunduara nga autori në vitin 1951, por që vetëm tani panë dritën e botimit dhe më në fund i vihen lexuesit në dispozicion.
Kol Biba, si shumë nacionalistë anti-komunistë të asaj kohe, pas ardhjes së komunistëve në pushtet, u detyrua të arratisej për në Itali, ku qëndroi për një kohë, ndërsa më vonë emigroi për në Shtetet e Bashkuara ku edhe ndërroi jetë në New York në vitin 1968. Duke marrë përgjegjësinë e plotë për dorëshkrimin dhe për botimin e këtij vëllimi, Kol Biba shkruan se qëllimi i kësaj kronologjie të ngjarjeve është që të, “nxjerrë kartat në shesh dhe me ia shtrue haptas pengjët Gjyqit të Historisë”.
Si protagonist kryesor dhe si pjesëmarrës aktiv në nivele të larta, në ngjarjet kronologjike të 50 e ca viteve të para të shekullit të kaluar dhe si njohës i mirë i Shqipërisë dhe Shqiptarëve të kohës së tij, Kol Bib Mirakaj na parashtron një libër, me qëllim që e “vërteta të jetë e dokumentueme” sepse sipas tij, “Me pranue me heshtjen tonë një cilësim të tillë që nuk i përgjigjet së vërtetës, mua më ashtë dukë se bajmë krim kundra vetvetes, kundra historisë e kundra fëmijve e njerëzve tanë, që do të mbeteshin me krye-ultë për breza të tanë para shoqnisë”. Por, shton autori, një qëllim tjetër i këtij libri është për t’i “Lanë historishkruesit të së nesërmes nji dokument që t’a kenë të gjithë Shqiptarët për studim”.
Autori thotë se u shty që librit t’i jepte titullin, “Vetvrasja e Kombit”, pasi është i bindur se po të dinin protagonistët kryesorë të asaj periudhe realitetin e situatës së viteve 1942-1944, si dhe rrezikun që i kanosej kombit shqiptar, Shqipëria sipas tij, nuk do të kishte ra “ndër këthetrat e bolshevizmit tiranik”. Ai shkruan se “Që prej 7 Prillit 1939 kam qenë pa ndërpremje në furrë të të gjitha ngjarjeve historike” dhe shton se ka pasur “përgjegjësi të përcaktueme politiko shtetnore”. Kjo përvojë, thotë ai, i dha atij mundësi të njihte mirë Shqipërinë dhe shqiptarët me përgjegësi dhe njëkohsisht të ishte dëshmitar i ngjarjeve historike të asaj kohe në Shqipëri si edhe në mërgim, pas arratisjes nga Atdheu. Si protagonist i këtyre ngjarjeve, Kol Biba pranon se me botimin e librit dikush mund ta konsideroj atë si “pjesë e interesueme” dhe si i tillë “jo i përshtatshëm si dëshmitar”, për të reflketuar mbi ato ngjarje, por pohon se ndonëse kjo është një vërejtje jo e pa vend, ajo që ai i paraqet këtu lexuesit, “ashtë e vërteta e çveshun lakuriq e ngjarjeve.”
Sikurë dëshiron t’i kërkoj ndjesë lexuesit, autori paralajmëron lexuesin se fjalët e tija mund të duken më tepër si një polemikë se sa një dokumentim, dhe për këtë ai ia ve fajin, “shpirtit të përvluem për tragjedinë e kombit”, ndërkohë që shpreh bindjen e tij se “po të kishin qenë partitë politike antikomuniste më të bashkuara do të kishin fituar kundër komunistëve”, ose siç thotë ai “kundër kolonës së pestë të slllavizmit”. Është kjo një temë që Kol Biba e ndjekë dhe e thekson prej fillimit e deri në mbarim, ndërsa përshkruan ngjarjet në Shqipëri dhe më vonë marrëdhënjet dhe kontaktet e tija me protagonistë të tjerë antikomunistë në mërgim, për të formuar një bllok të bashkuar antikomunist. Ai ankohet për veprimtarinë e atyre që sipas tij “penguan bashkimin e forcave antikomuniste në Shqipëri, e që po vazhdojnë akoma sot ta pengojnë në mërgim”, shkruan Mirakaj në vitin 1951. Ai posaçërisht ankohet për mungesën e bashkpunimit nga ana e Ballit Kombëtar dhe udhëheqsit të kësaj lëvizjeje Mithat Frashërit, karshi të cilit thotë ai ne i “drejtuem sytë e përpjekjet, tue e çmue si njeriun e kohës.” Kol Biba personalisht shpreh respekt për Mit’hat Frashërin, duke thënë se, “Rrallë kujt ndër burrat e Shqipënisë ia kishin sjellë rastin ngjarjet e historisë si Mit’hat beut, që ta lidhte emnin e Tij me fatin e Atdheut në mënyrë të pashlyeshme”, por ai shton se, “Mjerisht, nuk dijti të tregohet në naltësinë e misionit që e priste”, dhe si rrjedhim, gjatë viteve 1943-1944 si dhe më vonë në mërgim, “Ai vet i mungoi pikëpjekjes me historinë”. Për këtë mungesë, Kol Bib Mirakaj fajëson më shumë njerëzit rreth Mit’hat Frashërit, të cilët i cilëson si, “ekstremistë vocrrakë”. Autori shkruan se ai kurrë nuk do të vinte në dyshim atdhedashurinë dhe as qëllimet e mira të udhëheqësve të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit, por nga ana tjetër Kol Biba ve në dukje bashkpunimin e “Nacionalistëve (Balli e Zogistë) me komunistët që prej mbledhjes së Pezës e deri në mbledhjen e Mukjës.” Ky flirtim me komunistët nga ana e nacionalistëve dhe mungesa e bashkpunimit midis forcave antikomuniste, ishte sipas tij, arsyeja që solli fitoren e komunizmit në Shqipëri.
Përveç asaj që ai e cilëson si mungesë të bashkpunimit midis forcave anti-komuniste shqiptare, Kol Biba ngarkon me faj edhe botën perëndimore për triumfin e komunizmit në Shqipëri dhe në botë në përgjithësi, duke thënë se, “Përgjegjësinë kryesore për të shpëtue sot njerëzimin e Botës së lirë nga helmatisja e propagandës komuniste e kanë intelektualët dhe borgjezia kapitaliste.” Ai akuzon rëndë edhe udhëheqsit e botës së lirë për një qëndrim krejtë “indiferent ndaj popujve që kanë ra nën këthetrat moskovite staliniste”, dhe shprehë zemërimin e tij, posaçërisht ndaj Anglisë dhe Amerikës, që lejuan që Shqipëria të binte nën influencën e Rusisë. Kol Biba shkruan se fatkeqsisht udhëheqsit e atëhershëm të botës së lirë nuk e kishin kuptuar se komunizmi nuk ishte një lëvizje e proletariatit siç reklamohej nga propaganda staliniste, por ishte një lëvizje e “imperializmit pansllav”, trashëguar nga carët e Rusisë me ndryshimin e vetëm se carët synonin shtrirjen e perandorisë së tyre përtej Dardaneleve deri në grykë të Otrantos, ndërsa carët e kuq, thotë autori, “synojnë të dominojnë gjithë lamshin e botës.” Këtë të vërtetë historike dhe efektet e saj mbi fatin e mbarë botës, nuk e kuptojnë udhëheqsit e botës së lirë dhe borgjezia kapitaliste dhe intelektualët perëndimorë, shkruan ai në dorëshkrimet e tia.

Kol Biba në librin e tij nuk u shmanget as akuzave të kundërshtarëve që e paraqisnin atë dhe të tjerët si ai, të grumbulluar rreth Bllokut Kombëtar Indipendent, duke i cilësuar ata si “fashistë dhe kolaboracionistë”. Pasi thotë se — në Shqipëri nuk kishte fashistë dhe antifashistë në kuptimin e vërtetë të fjalës — ai nuk mohon se ka shërbyer në funksione të ndryshme të Partisë Fashiste Shqiptare, por e konsideron se nën rrethanat e atëhershme, ishte e vetmja mënyrë për t’i shërbyer çështjes kombëtare dhe Atdheut. Mirakaj shpreh bindjen e tij, se siç thotë ai, “ajo fazë historie ndoshta ishte e vetmja rasë që i paraqitej Shtetit shqiptar për me arrijtë Bashkimin e Tij, ndër kufijtë që na caktojnë Gjaku, Gjuha, Historia dhe Ekonomia, pra ndër Kufinjtë Etnikë.” Kol Bib Mirakaj arsyeton se, “Kishe bindjen e plotë se ishte pikëpjekja e Kombit tonë me Historinë, për me realizue aspiratën ma të madhe e të drejtë të Tijë, për t’i afirmue drejtësinë kundër tregjeve diplomatike që ishin ba në kurizin e Tij prej shekujsh.” Kjo bindje e tij, shton ai, “u vërtetua tansisht në Prill të vitit 1941 me zmadhimin e Shqipnisë ndër kufinjtë etnikë”, me realizimin pra të “lirimit të tokave irredente dhe këthimit të Kosovës, Çamërisë dhe të tjera krahinave në gjiun e Nanës Shqipëni.” Edhe kundërshtarët më të egër të Kol Bib Mirakës besoj e kanë të vështirë të thonë se kjo ishte një ide e gabuar — pasi ishte hera e parë që të gjitha trojet shqiptare, përfshirë Kosovën, Tetovën, Dibrën e Madhe dhe zonat bregdetare të Ulqinit, u bashkuan në një shtet duke realizuar kështu ëndërrën e të gjithë brezave të shqiptarëve. Ishte kjo gjithashtu një periudhë kur qeveria shqiptare hapi një numër shkollash shqipe dhe dërgoi mësues në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve të tjera shqiptare. Dr. Rexhep Krasniqi në një shkrim mbi zhvillimin arsimor në trojet shqiptare gjatë atre viteve, nënvijon faktin se me urdhër të Ministrit të Arsimit, Profesor Ernest Koliqi, dërgohen rreth 200 mësues e mësuese anë e mbanë trojeve shqiptare. Rexhep Krasniqi shkruan se Ernest Koliqi i kishte prioritetin kryesor dhe rëndësinë e jashtzakonshme zhvillimit të arsimit kombëtar, sidomos në Kosovë.

Duke qenë i vetdijshëm ndaj kritikave, Kol Bib Mirakaj si burrat deklaron se, “Na nuk i mohojmë përgjegjësitë tona, por kemi dokumentue e dokumentojnë kurdoherë rrethanat që na kanë shty të marrim ato përgjegjësi”, dhe shton se ia “lamë historisë të gjykojë nëse ndër rrethanat e kohës duhej të merreshin përgjegjësitë a jo — se a jemi fajtorë, a po jo?”
“Vetvrasja e Një Kombi” mendoj se ka vlera historike dhe si e tillë, është një vepër me rëndësi megjithse vet Kol Biba thotë se ky vëllim nuk ashtë histori, por kronikë besnike e ngjarjeve për t’i shërbyer mendimit të përgjithshëm shqiptar dhe historianëve të ardhëshëm. Ai ia paraqet lexuesit këtë vëllim duke uruar që të jetë i dobishëm për të gjithë ata që dëshirojnë të mësojnë nga e kaluara — nga tragjedia e madhe që pësoi populli shqiptar, por që sipas tij, mund të ishte zmbrapsur nga gremina, po të mos kishin qenë egoizmat vehtjake”.

Nuk besoj të ketë ndonjë familje shqiptare që të ketë pësuar një tragjedi më të madhe nga regjimi komunist i Enver Hoxhës se sa familja e Kol Bib Mirakës. Për 45 vjetë familja Mirakaj pësoi me të vërtetë golgotën komuniste, ku antarët e saj vetëm për mbiemërin që bartin, u vranë, u burgosën, u internuan dhe u dërguan në kampe përqendrimi. Duke u mbështetur në të dhënat e këtij libri familja Mirakaj ka vuajtur si familje gjithsejt 950-vjetë dënim në burgje dhe në kampe të ndryshme të internimit anë e mbanë Shqipërisë, përfshirë atë në Lushnje, Tepelenë e tjera. Libri i kushtohet Nënës së autorit, e cila ka vdekur në internim, me këto fjalë:

E tash o nanë….,
Ti, kujtimi ma i ambël e i dhimbshëm i kësaj jete!
Nuk ke mbetë gja tjetër veç nji kujtim
e nji grusht Eshtna të Bekuem,
nën nji grumbull dheut.
Pa asnji shënjë Varrit, pa nji Kryq drunit…
Afër Kështjellës së Tepelenës,
Që nuk di as vet se ku!
Syrgjyn edhe për së vdekuni!

Mbi familjen Mirakaj dhe mbi vet figurën e Kol Bib Mirakës, siç shkruan edhe Fritz Radovani në parathënjen e këtij libri, me të pa drejtë dhe pa asnjë arsye është hedhur vetëm baltë për pothuaj 70-vjetë. Kol Bib Mirakaj, me anë të këtij libri ka lënë pas testamentin e tij politik mbi ngjarjet kronologjike të kohës që jetoi, si një vepër dokumentare, jo vetëm për familjen e tij padrejtsisht shumë të vuajtur, por edhe një shërbim për historiografinë shqiptare të periudhës që ai jetoi. Është një burim i dorës së parë, nga njëri prej protagonistëve kryesorë të nacionalizmit shqiptar, që në mendimin tim – duke marrë parasyshë fazën dhe rrethanat historike nën të cilat jetoi e veproi — kontribon shumë në zhdukjen e perceptimeve të gabuara, të paragjykimeve negative mbi arsyen dhe të disa mjegullimeve që gjithnjë mbizotërojnë në disa qarqe, rreth emërit dhe veprimtarisë së Kol Bib Mirakës dhe familjes së tij.

Frank Shkreli

By admini

One thought on “KOL BIB MIRAKAJ: VETVRASJA E NJË KOMBI”

Comments are closed.